Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
Në përgjigje të një ndodhie të pakryer!
Para pak kohësh më vunë në dijeni që në një libër të botuar kohët e fundit për Nënë Terezën më kishin përmendur si një nga njerëzit që kisha penguar vendosjen e statujës së saj në ndërtesën e selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Dhe kjo gjë paskësh ndodhur si rezultat i influencës dhe këshillimeve të gabuara të një prej bashkatdhetarëve të mi, z. Gjonleka i cili kishte pasur disa divergjenca me familjen që kishte sponsorizuar statujën e Nënë Terezës.
Le të shpjegoj më poshtë faktin dhe ngjarjen e cila është edhe e protokolluar në OKB.
Gjatë periudhës së shërbimit tim si Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë pranë OKB-së, merrja shpesh takime me personalitete dhe bashkatdhetarë shqiptarë me banim në Nju Jork por edhe më gjerë. Ndërmjet tyre kam takuar edhe njërin prej vëllezërve Leka, i cili gjatë takimit insistoi dhe kërkoi që statujën e Nënë Terezës, statujë që familja e tij e kishte porositur, një kopje të saj dëshironte t’ia dhuronte OKB-së. Mu duk ide interesante dhe u përpoqa që ta realizoja këtë dëshirë të njërit prej anëtarëve të komunitetit shqiptar, për arsye se Kombi ynë do të lartësohej në Pallatin e Xhamtë, si kombi i Nënë Terezës.
Kjo figurë e shquar e kombit tonë jo vetëm do të përkujtohej e nderohej në kryeqendrën e Botës, por do ti shërbente shqiptarëve si një Perëndeshë mbrojtëse për veprimtarinë e tyre. Pasi mora informacionin e parë mbi dhuratën që mund të bënte Shqipëria, zyra e OKB-së më orientoi ne disa pika kryesore:- Çdo dhuratë që një shtet i bënte OKB-së është një dhuratë e pakthyeshme. OKB-ja nuk njeh dhurata të individëve apo shoqatave të ndryshme- Çdo dhuratë duhej të ishte një vepër artistike unikale me vlera të rralla dhe të përfaqësonte kulturën unikale të kombit.
Duke iu përmbajtur ngushtë plotësimit të kritereve të mësipërme, OKB-ja mbronte vlerat e saj dhe rriste prestigjin e vendodhjes së organizatës për çdo shtet anëtar.
Pasi u sigurova se pronarët e statujës do t’ia falnin atë shtetit shqiptar, përpara propozimit tonë në OKB, iu drejtova Ministrisë së Punëve të Jashtme për të më mbështetur në këtë veprim. Tirana zyrtare e mbështeti një veprim të tillë dhe shumë qeveritarë, artistë e njerëz të artit më shtynin për ta realizuar një projekt të tillë.
Misioni i Shqipërisë pranë OKB-së përgatiti një notë zyrtare dhe në emër të Shtetit Shqiptar i kërkoi autoriteteve përkatëse miratimin e këtij akti. I vetmi dyshim që kishim në këtë fazë ishte që statuja të “kishte vlera unikale, dhe të ishte përfaqësuese e kulturës së kombit” , gjë të cilën ne si mision nuk ishim të aftë ta vlerësonim autorin dhe veprën e tij.
Pas një periudhe pak më tepër se një muaj, Ndihmës-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, i cili ishte përgjegjës për çështjet politike por ushtronte edhe detyrën e kryetarit të komisionit kulturor të OKB-së, më ftoi në takim dhe më komunikoi se:- “Komisioni i OKB-së nuk e ka pranuar kërkesën tuaj për dy arsye. Së pari figura e Nënë Terezës është universale dhe nuk i takon vetëm Shqipërisë. Së dyti, vepra artistikisht nuk përcakton një vlerë unikale të kombit tuaj.”
Për të shtjelluar argumentet e tij ai përmendi se shumë shtete kanë sjellë piktura dhe punime artizanale nga mesjeta dhe kohët e lashta që flasin për kulturën dhe për çfarë i diferencon ata nga kombet e tjera. Ishte një refuzim diplomatik, por edhe vetë ne ishim të bindur se po luftonim për të lartësuar vendin tonë.
Tani dua të bëj një sqarim për z. Gjonleka. Unë personalisht e njoh si një gazetar të talentuar, njeri me personalitet dhe tepër aktiv në çështjen e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ishte nga intelektualët e paktë që jo vetëm bashkëpunoi për çështjen shqiptare por ishte i përkushtuar për të. Si përfundim, dua t’ju them miqve të mi bashkatdhetarë se jo çdo gjë mund të shpjegohet sipas skenarëve mediokër të disa njerëzve, të cilët pavarësisht se vetëshpallen patriotë ose bëjnë punë të tilla mbeten të vegjël sa horizonti i tyre. Për më tepër flasin faktet.
Agim Nesho
Ish Ambassador i Shqiperise ne OKB





Politikë
Publicistike
Libra të rinj


