Seksionet
Newsletter
Dua të kyçem tek newsletter (lajmet në e-mail)
Sondazh: Dizajni
Si ju duket pamja e re e faqes?
A ju pëlqehet Artikulli?
(Gjithsej 0 Votime)
Nga Prof. Dr. Ismet Elezi
Historia e popullit shqiptar përmban plot ngjarje e figura të shquara që meritojnë të përkujtohen për kontributet e dhëna në fusha të ndryshme të jetës.Ky vit, viti 2009, përkon edhe me tri data simbolike që kanë rëndësinë dhe vlerat e tyre kushtuar At Shtjefën Gjeçovit, e konkretisht me:
1. 80 vjetorin e vdekjes së tij;
2. 20 vjetorin e përkthimit të Kanunit të Lekë Dukagjinit në gjuhën angleze nga kompania botuese Gjonlekaj në Nju Jork (1989);
3. 10 vjetorin e mbajtjes së simponziumit kushtuar 70 vjetorit të vdekjes së Gjeçovit në Nju Jork (1999).
Të tri këto data janë të lidhura ngushtë me jetën e veprimtarinë e një patrioti dhe intelektuali shqiptar që zë vend nderi në historinë dhe shkencën shqiptare.
1. 80 vjet më parë, në Zym të Prizrenit , At Shtjefën Kostandin Gjeçovi u vra nga shovinistët serbë, për shkak të idealeve dhe veprimtarisë së tij patriotike, sepse kundërshtoi me të gjitha forcat, duke marrë pjesë aktive në lëvizjet kombëtare kundër padrejtësive dhe synimeve shkombëtarizuese të serbomëdhenjve ndaj popullsisë shqiptare e kulturës kombëtare. Vdekja e tij ishte një humbje e madhe për kombin e kulturën shqiptare.
Shtjefën Gjeçovi, njihet për veprimtarinë e tij atdhetare të pandërprerë, që në kryengritjet kundër osmane në krahinën e Kurbinit më 1906, 1909 – 1912, për pjesëmarrjen në çetat e luftëtarëve të lirisë e për pjesëmarrjen në Kuvendin e Vlorës (1912) etj.
Por, Gjeçovi nuk ishte vetëm një atdhetar i flaktë, por edhe një dijetar, etnolog, arkeolog e shkrimtar duke i dhënë kulturës kombëtare vepra me vlerë të madhe.
Shtjefën Gjeçovi është pioneri i mbledhjes nga gojëdhëna popullore të zakoneve e traditave të malësorëve tanë, posaçërisht në Mirditë.
Veprimtaria e tij shkencore në fushën e etnologjisë u kurorëzua me mbledhjen dhe botimin pjesë pjesë të normave të Kanunit, fillimisht në revistën “Hylli i Dritës”, nga viti 1913 e deri në vitin 1929, kur u vra. Pas vdekjes së tij u përgatit e u botuan Kanuni i Lekë Dukagjinit (1933) nga kleri katolik françeskan i Shkodrës, me parathënien e mrekullueshme të poetit të madh kombëtar At Gjergj Fishtës.
Karakteristika themelore e veprës madhore të Gjeçovit, Kanuni i Lekë Dukagjinit, është se normat e tij i mblodhi drejtpërdrejt nga goja e popullit, pranë të cilit jetoi e punoi deri në fund të jetës së tij.
Me normat e Kanunit malësorët vetqeveriseshin dhe me to rregullonin të gjitha marrëdhëniet shoqërore në fusha të ndryshme të jetës, marrëdhëniet familjare e martesore, marrëdhëniet e pronësisë, të trashëgimisë, të punës, të vetmbrojtjes si dhe në fushën penale e procedurale për dhënien e drejtësisë nga pleqtë e zakonit.
Natyrisht vendin kryesor në Kanun e zinin vlerat e larta etike morale shoqërore: nderi, besa, mikëpritja, burrëria, falja, pajtimi, gjakmarrja etj. Pikërisht për shkak të kësaj përmbajtje Kanuni tërhoqi vëmendjen dhe interesimin e shumë studiuesve të vendit e të huaj, që nga Johanes G. Hahn (1853), Edith Durham e deri në ditët tona. Por, këto arsye Kanuni u përkthye në gjuhët italiane, gjermane, ruse dhe në gjuhën angleze, duke i bërë një shërbim të madh kombit dhe kulturës sonë kombëtare.
2. Përkthimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit në gjuhën angleze u bë nga prof. Leonard Fox, me cilësi të lartë. Më 23 tetor 1989, në këtë datë simbolike, që lidhet drejtpërdrejtë me At Shtjefën Gjeçovin, Kanuni u botua në gjuhën angleze. Botimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit në gjuhën angleze u realizua nga kompania botuese atdhetare e mirënjohur Gjonlekaj (Nju Jork). Kjo ishte një ngjarje e madhe për kulturën shqiptare, sepse krijoi mundësira të gjera për njohjen e saj, në një gjuhë kryesore me përmasa botërore në vendet anglishtfolëse e në rradhë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Angli e më gjerë.
Botimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit në gjuhën angleze u prit me interesim të jashtëzakonshëm, jo vetëm nga rrethet e studiuesve të fushave juridike e etnologjike, por edhe nga politikanë, historianë, intelektualë të fushave të ndryshme e persona të tjerë.
Fakti që janë shpërndarë e shitur me mijëra kopje të tij dhe që ka kërkesa të shumta e të vazhdueshme, është dëshmi e gjallë e këtij interesimi të madh. Shtëpia botuese është e gatshme të plotësojë kërkesat e lexuesve kudo ku e kërkojnë. Të shumta kanë qënë vlerësimet e bëra për Kanunin e Lekë Dukagjinit në gjuhën angleze, për kulturën e lashtë juridike të popullit shqiptar. Për këtë janë shprehur me vlerësime të larta presidentë e senatorë të SHBA, gazeta prestigjoze si Nju Jork Times, Washington Post etj., revista të njohura në të gjithë botën, gazetarë, juristë, etnologë e shumë e shumë të tjerë nga SHBA, Anglia, Kanadaja, Australia e deri nga shkencëtarët nga Japonia e largët. Shkencëtari japonez prof Kazuhiko Yamamoto ka botuar librin: “Struktura etike e Kanunit dhe nënkuptimet e saj kulturore” (botuar në Amerikë – 2005 dhe në Shqipëri – 2008, anglisht – shqip).
Duke folur për sistemin e vlerave etike, midis të tjerash shkruan se: “Siç kemi vënë në dukje dhe në trajtesa të mëparshme, sistemi i vlerave etike të shoqërisë homerike ka pasur strukturë të ngjashme me strukturën e Kodit zakonor shqiptar – kanunit” (këtu është fjala për gjashtë koncepte – besa, nderi, miku, gjaku, buka dhe hakmarrja). Këto krahasime janë tregues i lashtësisë së vlerave etike morale të Kanunit shqiptar.
Për Kanunin e Lekë Dukagjini brenda dhe jashtë vendit janë botuar vepra dhe artikuj të panumërt (edhe unë personalisht kam dhënë kontributin modest me më shumë se 25 botime), por botimi i tij në gjuhën angleze do të rrisë në mënyrë të pakrahasueshme studiuesit dhe botimet për vlerat e tij.
Botimi në gjuhën angleze mund të shërbejë e të ndihmojë edhe për rininë tonë studentore për njohjen e terminologjisë e të koncepteve që përmban. Ai ndodhet në qarkullim në Tiranë dhe ne Prishtine për ata që dëshirojnë ta blejnë.
3. Më 23 tetor 1999, 10 vjet më parë, në Nju Jork të SHBA, me nismën dhe sponsorizimin e Kompanisë botuese Gjonlekaj, u organizua simpoziumi kushtuar 70 vjetorit të vdekjes së At Shtjefën Konstandin Gjeçovit.
Në këtë simpozium morën pjesë shumë bashkëatdhetarë të diasporës në Amerikë, studiues – albanologë amerikanë, anglezë, japonezë dhe tre studiues nga Shqipëria, ku bëja pjesë dhe unë, At Zef Pëllumi, Pal Doçi dhe amerikania Kathlen Imholz.
Ligjëratat e mbajtura në simpozium ishin të larmishme, ashtu siç ishte figura e madhe e polivalente e vetë Gjeçovit.
Të gjitha ligjëratat që vunë në dukje meritat e shquara të Gjeçovit para kombit e kulturës popullore, u pritën me interesim të madh nga pjesëmarrësit e shumtë në simponzium. Për zhvillimet e tij folën “Zëri i Amerikës”, radio televizioni “Malësia”, gazeta “Iliria” e mjete të tjera të informacionit.
Ato merita ruajnë plotësisht vlerat e tyre dhe tani me rastin e 80 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta dhe do të ruhen përgjithmonë. Edhe atdhetari e organizatori i simponziumit z. Gjek Gjonlekaj ka merita të mëdha për organizimin e shkëlqyer të simponziumit dhe për mikëpritjen tradicionale shqiptare që na bëri jo vetëm neve që shkuam nga Shqipëria, por të gjithë të huajve e pjesëmarrësve të tjerë.
U larguam nga Nju Jorku me përshtypjet më të mira për zhvillimin e simponziumit dhe me admirim të thellë për popullin amerikan e respekt për diasporën atdhedashëse shqiptare, si dhe me falenderim e mirënjohje për organizatorin, z.Gjonlekaj, i cili bëri të pamundur të përkujtohej në vendin ku nderohen e respektohen vlerat njerëzore, 70 vjetori i të paharruarit Gjeçov.
Përkujtimi i këtyre tri datave simbolike na shërben për të ruajtur me respekt e nderim të thellë kujtimin e Gjeçovit, që u përpoq e luftoi për çështjen kombëtare shqiptare dhe që na la veprën madhore: Kanunin e Lekë Dukagjinit.
Në kushtet e sotme të pluralizmit në Shqipërinë e lirë e të pavarur, të shtetit demokratik ku veprojnë Kushtetuta e ligjet demokratike, për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore e juridike, kuptohet se Kanuni ka vlera historike dhe ruhet vetëm si monument i kulturës kombëtare, por jo për t’u zbatuar.





Politikë
Publicistike


