Kuvendi i Arbënit

Seksionet

Arkivi

He Ma Enj Pr Sht Di
12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930

Newsletter

Dua të kyçem tek newsletter (lajmet në e-mail)

Sondazh: Dizajni

Si ju duket pamja e re e faqes?

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

A ju pëlqehet Artikulli?

(Gjithsej 0 Votime)
Madhësia e shkronjave Decrease font Enlarge font
image Kolec TOPALLI

Para 4 vjetësh, në qytetin e Lezhës, me nismën e Këshillit të Qarkut, u kremtua 300- vjetori i ngjarjes historike të mbajtjes së Kuvendit të Arbënit. Ndër aktivitetet e shumta që u bënë për kremtimin e këtij jubileu, vendin më të rëndësishëm e zuri Simpoziumi Shkencor, që u zhvillua më 14 janar 2003, plot 300 vjet mbas mbajtjes së këtij Kuvendi në fshatin Mërqi të komunës së Kallmetit. Materialet e këtij Simpoziumi u botuan kohët e fundit nga Këshilli i Qarkut të Lezhës dhe paraqitja e librit u bë më 15 shkurt të këtij viti, duke përkujtuar edhe një herë këtë ngjarje të madhe historike me përmasa kombëtare. Me këtë rast, në Lezhë e në Laç u zhvilluan takime me intelektualë, shkrimtarë e artistë të këtyre qyteteve, ku pjesëmarrësit, ndërmjet të cilëve edhe historianë, gjuhëtarë e etnografë nga Tirana, dhanë mendimet e tyre për këtë ngjarje të madhe historike dhe për mundësitë e përjetësimit të saj në memorien e kombit.
Libri i botuar përmban gjithsej 11 kumtesa: "Rreth Kuvendit të Arbënit të vitit 1703" nga Akad. Shaban Demiraj, "Fryma shqiptare e Kishës Katolike dhe Kuvendi i Arbënit" nga historiani Kasem Biçoku, "Etërit e kishës mbi gjendjen fetare e sociale të shqiptarëve në vigjilje të Kuvendit të Arbënit" nga studiuesi Ndue Dedaj, "Kriptokristianizmi (krishtërimi i fshehtë) dhe Kuvendi i Arbënit" nga historiani Ferit Duka, "Laçi si vendbanim i paraardhësve të Papa Klementit XI" nga studiuesi Vlash Prendi, "Kultura e të folurit në kuvendet shqiptare (vështrim etnolinguistik dhe sociolinguistik) nga gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj, "Dëshmitë kishtare në vështrim etnologjik e social. Kuvendi i Arbënit" nga etnografi Mark Tirta, "Kuvendi i Arbënit në historinë kulturore e gjuhësore shqiptare" nga gjuhëtari Seit Mansaku, "Disa veçori gjuhësore të Kuvendit të Arbënit" nga gjuhëtari Kolec Topalli, "Gjurmë të hershme të krishtërimit në Lezhë" nga studiuesi Loro Gjeçi, "Kuvendi i Arbënit dhe sfidat e Kishës sot" nga studiuesi Dom Nikë Ukgjini.
Kumtesat e këtij libri janë një kontribut i çmueshëm shkencor për të njohur vendin që zë kjo ngjarje në historinë tonë kombëtare, rrethanat në të cilat u mbajt, roli i veçantë i Papës me origjinë shqiptare, Klementi XI, në mbajtjen e këtij Kuvendi, veprimtaria arsimore dhe edukative e klerit, etj. Kumtesat trajtojnë aspekte të ndryshme të këtij Kuvendi, duke e vështruar këtë ngjarje në rrafshin historik e shoqëror, fetar e gjuhësor, arsimor, etnografik, etj. Të gjitha kumtesat nënvizojnë faktin se ngjarja e madhe e këtij Kuvendi është dëshmi e përpjekjeve të popullit tonë për të ruajtur ekzistencën e tij, frymën e tij kombëtare, shpirtin e tij shqiptar, që e kishte mbajtur të gjallë që nga kohët më të lashta. Ai pati si qëllim rimëkëmbjen dhe pasurimin e botës shpirtërore në Arbëninë e asaj kohe, në një kohë kur sundimi i egër i të huajit po shkatërronte çdo gjë të mirë e të bukur që ishte krijuar prej vitesh dhe ishte lënë si trashëgim nga të parët tanë. Ai synonte ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të arbnorëve dhe të vlerave të tyre shpirtërore përballë zvetnimit të mentalitetit të huaj të pushtuesit. Duke mbrojtur parimet fetare dhe traditat e rrënjosura prej shekujsh, Kuvendi i shërbeu mbrojtjes së vetive shpirtërore të popullit tonë, që janë simbol i unitetit etnik, të lënë trashëgim nga të parët tanë. Për këtë arsye, mbas Kuvendit të Lezhës, që bashkoi princat shqiptarë, dhe mbas luftërave të Skënderbeut, kjo është ngjarja tjetër më madhore në jetën e kombit tonë në periudhën 500-vjeçare të sundimit otoman. Dhe kjo ngjarje me rëndësi historike e kombëtare u mbajt në Mërqi të Arbënisë, në Dioqezin e Lezhës, çka i bën nder edhe sot këtij qyteti.
Kuvendi i Arbënit kërkonte të vinte rregull në jetën dhe në sjelljen e përditshme të besimtarëve, synonte zhdukjen e veseve, me qëllim që njerëzit t'u ktheheshin virtyteve, mirësisë, ndershmërisë e dashurisë. Ai kërkonte të ruhej trashëgimia e vyer e kombit tonë, të ruhej e kaluara e ndritur, që do të shërbente si bazë e së ardhmes. Kuvendi ofronte zgjidhje dhe horizonte të reja për një jetë më të mirë e më të pasur shpirtërore, për të ruajtur zakonet e doket e të parëve, në kushtet e vështira të pushtimit, kur bota shqiptare po përjetonte ankthin e rreziqeve dhe të humbjes së aspiratave të tij më të mira.
Vlerat e kësaj ngjarjeje me rëndësi kombëtare bëhen edhe më të mëdha kur dihet se mbajtja e këtij Kuvendi, organizimi dhe zhvillimi i tij, janë shestuar nga autoriteti më i lartë i Kishës Katolike, nga Papa me origjinë shqiptare prej fisit të Albanëve, stërgjyshi i të cilit, luftëtar i Skënderbeut, kishte marrë udhën e mërgimit pas vdekjes së heroit. Dhe nuk kishin kaluar as tri vjet nga zgjedhja e Papës Klementi XI në krye të Selisë së Shenjtë, kur në Kishën e shën Gjon Pagëzuesit në Mërqi të Lezhës, në janar të vitit 1703, u mbajt Kuvendi i Arbënit.
Interesimi i Papës Klementi XI për bashkatdhetarët e tij u shfaq që në vitin e parë të zgjedhjes së tij në krye të Kishës Katolike, kur më 1701, me vendim të tij, u themelua Kolegji i Shën Mitrit në Kalabri, të banuar nga bashkëkombas arbëreshë. Po këtë vit, ai emëroi në krye të selisë metropolitane të Tivarit arqipeshkvin 31-vjeçar, Vinçenc Zmajeviç, që është cilësuar nga bashkëkohësit e tij si personaliteti më i shquar i popullit kroat në shekullin XVIII. Pas një viti, ky prelat i kishës katolike u caktua nga Papa vizitor apostolik për të gjitha dioqezat dhe misionet françeskane shqiptare dhe, ndonëse në moshë të re, mori përsipër barrën e rëndë të përmbushjes së porosive të Selisë Papnore për organizimin e Kuvendit të Arbënit. Në letrën e tij, dërguar Papës Klementi XI, ai shkruante: "Ti më urdhërove, o Shenjti At Papë, t'i vizitoj kishat e Shqipërisë të dheut tim. Nën hijen tande, o Shenjti Atë Papë, dheu i Shqipërisë po gazmohet, pse mbas shumë vjetësh nën një Papë shqiptar po del në dritë e mezi pret të fitojë namin e lumninë e moçme". Ndërsa në fjalën që u drejton pjesëmarrësve të Kuvendit, Kryeipeshkvi i Tivarit thekson: "Këto veprime i kërkon prej nesh detyra jonë e bariut, i do Shqipëria jonë e varfër, i pret prej nesh Papa Klementi, nën hijen e të cilit punët tona do të dalin në dritë e do të rriten edhe më fort. Zellit që ka ky At për t'i bërë mirë Shqipërisë, t'i përgjigjemi me përvujtëri e me përkushtimin tonë".
Duket qartë se mbajtja e Kuvendit të Arbënit, që shënon ngjarjen më të rëndësishme të asaj periudhe me vlera kombëtare, është shprehja e drejtpërdrejtë e shqetësimit të Atit të Shenjtë me origjinë shqiptare për fatet e atdheut të tij të robëruar dhe për degradimin e fesë nën peshën e rëndë të pushtuesit. Ky kuvend është dëshmia e interesimit të veçantë që pati ky autoritet më i lartë i Kishës Katolike për besimtarët e krishterë të atdheut të tij të nënshtruar.
Kuvendi i Arbënit pati si synim kryesor frenimin e mëtejshëm të rrënimit të Arbënisë, të fesë, arsimit e kulturës, si edhe rimëkëmbjen shpirtërore e fetare të besimtarëve, që në kushtet e dhunës së pushtuesit po kalonin ditët e vështira të tjetërsimit të fesë, zakoneve e dokeve të vjetra.
Por përtej vlerave shoqërore e kombëtare, Kuvendi i Arbënit, me botimin e akteve të tij, i solli një shërbim të paçmueshëm gjuhës shqipe e kulturës sonë, sepse me të nisin udhën shkrimet e shekullit XVIII në gjuhën shqipe. Megjithëse e përkthyer nga latinishtja dhe e përgatitur për botim nga misionarë të huaj, kjo vepër është vijim i letërsisë fetare të Veriut me autorët e saj të mëdhenj, Buzukun, Budin, Bardhin e Bogdanin, që lëvruan shqipen dy shekuj më herët, duke vënë gurët e themelit të gjuhës shqipe. "Kuvendi i Arbënit" dëshmon qartë se ishte formuar një koine letrare, tradita e të cilës zë fill në gjysmën e dytë të shekullit XVI, e vijon pa ndërprerje për më shumë se dy shekuj. Uniteti dhe vazhdimësia e kësaj vepre me ato të mëparshmet, që u shkruan nga autorët fetarë të Veriut, shfaqen në lëndën e saj, në qëllimet e botimit, në gjuhën, alfabetin e përdorur dhe në frymën e saj të përgjithshme.
Të gjitha këto vlera historike të Kuvendit të Arbënit, të ruajtura nga brezat pasardhës, janë dëshmi e vlerësimit nga brezat më të rinj të qëndresës dhe të vitalitetit të kombit tonë përballë përpjekjeve shkombëtarizuese të pushtuesve të huaj. Botimi i këtij libri i shërben mbajtjes gjallë të kujtesës popullore për ngjarje të rëndësishme të kombit, ndriçimit të saj nga këndvështrime të reja, në një kohë kur ngjarje të tilla u lanë në harresë të qëllimshme për 50 vjet nga historiografia komuniste.

Rd, 23 shkurt 2007

Kuvendi 3-2007
  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

Komento comment Komentimet (0 të postuar)

Lajmet:

Te gjitha te drejtat e rezervuara