65-vjetori i terrorit komunist në Malësi

Seksionet

Arkivi

He Ma Enj Pr Sht Di
1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031

Newsletter

Dua të kyçem tek newsletter (lajmet në e-mail)

Sondazh: Dizajni

Si ju duket pamja e re e faqes?

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

A ju pëlqehet Artikulli?

(Gjithsej 1 Votime)
Madhësia e shkronjave Decrease font Enlarge font
image

 

Për Ata që e panë se komunizmi nuk ishte për shqiptarët 

Nikollë Camaj   

Thuhet se, kur teshtin bonjaku, vetes i thotë shëndet! A thua fatin e bonjakut duhet ta kem edhe ne, shqiptarët në Malin e Zi. Kësaj radhe nuk po qahem për çështjet aktuale, por për ngjarje që kanë ndodhur këtu e 65 vite më parë, e që lidhur me to, në Shqipëri, kohë më parë, u bë një aktivitet për çdo lëvdatë. Me këtë rast u përkujtuan viktimat e terrorit komunist të Malësisë së Madhe, po viktima kishte edhe në Malësinë këndej kufirit, sepse, fillimi i shkurtit 1945 veshi me të zeza Malësinë, në të dy anët e kufirit. Atë që po e bënte regjimi në Shqipëri, me vepër, e përkrahën edhe “vëllezërit” sllavo-komunist të Hoxhës, këndej kufirit. Dhjetëra, këndej, e qindra burra andej, atdhetarë e antikomunistë, u pushkatuan pa gjyq. Disa i qanë e i varruan në heshtje, madje edhe nëpër terr, duke i vjellë kufomat e të afërmve, e disave as varri nuk u dihet. Fituesit komunistë bënë çka ishte e mundur për të humbur kujtesën për ta. Në popull nuk përmendeshin, përpos si reaksionarë, e as familjarët nuk guxonin t’i mbanin për atë çka në të vërtetë ishin. E ata ishin pinjollët e anti-komunizmit shqiptar, komunizmit që do të rrënohet 45 vite më vonë. Ata, pothuaj 45 vite para të tjerëve, panë se komunizmi duhej luftuar, andaj edhe e paguan.  

Derisa, këndej kufirit, në kohën e monizmit, u vu nga një shenjë mbi varr të tyre dhe, me aq mbeti, andej kufirit, nuk u bë as aq. Por, që nga viti 1990, po tentohet që, në raport me ta, shumë gjëra të bihen në vend, aq sa mund të vijnë, pasi që pushteti kishte bërë të pamundurën për t’i shlyer nga memoria, sidomos ajo kolektive, sepse nga memoria e trashëgimtarëve nuk munden kurrë. As andej kufirit, as këndej! Sot shteti shqiptar shkon edhe më larg. Ai po provon të ndreqë të padrejtën historike ndaj atyre që donin atdheun më tepër se ideologjinë. Dhe është obligim që të ndreqet! Por jo vetëm në Shqipëri. Sido që të jetë, në të gjitha shtete ish komuniste është tentuar që të rishqyrtohet historia e asaj kohe, përveç në Malin e Zi ende jo. Sidomos jo në raport me shqiptarët e këtushëm. As kur është fjala për të pushkatuarit e vitit 1945, as për masakrën e Tivarit, por as për të pushkatuarit më 1941, nga ushtria jugosllave, apo për masakrën mbi Malësorët, e mbytur nga regjimi serb, më 1918, kur u likuiduan mbi 80 hotjanë. Regjimi mbahet i shurdhër edhe për kundër pyetjeve, shumë herë të përsëritura, në opinion dhe në Parlamentin e Malit të Zi. 

Pra, derisa në shtetin amë janë bërë, e po bëhen, hulumtime, homazhe, tubime e sesione historike e shkencore, manifestime përvjetorësh, madje edhe kompensime materiale, së paku sa për të shënuar vendin apo varrin e viktimave, në anën këndej kufirit ato janë heshtur. Me qëllim të amnezisë kolektive, kuptohet. Por ja se kujtimi për ta është i përjetshëm edhe këndej kufirit, edhe pse pa ndihmën e institucioneve adekuate, atyre nuk mund t’u ç’borxhohemi, së paku në atë pjesë ku do të ndreqnim të padrejtën historike që u është bërë. E vullneti tek institucionet, për një gjë të tillë mungon. Si edhe për shumë çështje tjera kur jemi ne në pyetje. 

Nuk mjafton vetëm të ngrehim dilemën, apo të kërkohet përgjigje se ç’faje paguan viganët e çështjes kombëtare e të burrërisë malësore, viktima të urrejtjes shekullore sllavo-komuniste siç ishin Patër Zefi, Vasel Mirashi, Pjetër Zeku, Zef  Miliqi, tre vëllezërit Lulgjuraj: Gjergji, Luca dhe Doda, pastaj Kolë Gjel Çaku, Nikë Marash Ula, Nikollë Gjon Curi, Gjon Nik Luli, Gjekë Çuni, Gjekë Kola, Gjon Nikë Lulin... por edhe këta të vlerësohen, ashtu si po vlerësohet vëllezërit e tyre, të gjakut e të fatit, në Shqipëri. Si rojtar të kufirit, të traditës, të gjuhës e kombit, si anti-komunistë e bashkëpunëtorë të idesë e të pushkës së Prek Calit që ishin. Edhe këta burra duhet të kenë vend në sofrën e viktimave të komunizmit dhe të pishtarëve të lirisë, së bashku me viktimat e tjera. Shtetit demokratik shqiptar, Ata nuk guxon t’i ndajë! Sepse, ne këtu, pa institucione, pa atribute të vetëqeverisjes, nuk kemi mundësi t’u kushtojmë kujdesin e merituar. Si individë, trashëgimtarë apo shoqata ndoshta po, por ata meritojnë më shumë. Po aq sa ata edhe “matanë gardhit”!  

Pra është koha që këto episode tragjike të së kaluarës sonë edhe të këndej kufirit, të zënë vendin që e meritojnë në historinë e kombit, ashtu që brezat që vijnë t’i njohin ashtu siç ishin, patriotë e atdhetarë, e jo si reaksionarë e “rrënues të pushtetit popullor”, siç na i mësonin ne dikur. Borxh i madh e detyrë e shenjtë është të bëhesh urë midis atyre që janë sakrifikuar për këto troje dhe janë muruar në themelet e ardhmërisë, dhe atyre që do të vijnë

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

Komento comment Komentimet (0 të postuar)

Lajmet:

Te gjitha te drejtat e rezervuara