Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
Ajni Sinani
Palestina është një territor i vogël arab që ka pozitë strategjike jashtëzakonisht të rëndësishme në rrugët botërore, detare, ajrore dhe tokësore. Ajo gjendet në afërsi direkte me Kanalin e Suezit.
Palestina nën qeverinë osmane ishte një pjesë integrale e Sirisë, ndërsa sanxhaku i Jerusalemit, për shkak të problemeve dhe rëndësisë së tij të veçantë, udhëhiqej nga një mytesarif që lidhej drejtpërsëdrejti me Stambollin.
Palestina ka filluar të trajtohet si problem ndërkombëtar me fillimin e copëtimit të Perandorisë Osmane dhe si rezultat i kërkesave të izraelitëve për të jetuar në një shtet, për shkak të shtypjeve dhe torturave të shumta që të krishterët e Evropës kishin ushtruar ndaj tyre, të cilat e arritën kulmin e tyre me gjenocidin hitlerian.
Gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918, Anglia e pushtoi këtë vend. Arabët në Luftën e Parë Botërore luftuan kundër Perandorisë Osmane dhe iu bashkuan fuqive aleate. Megjithatë ata nuk e fituan pavarësinë e premtuar nga ana e Britanisë dhe ranë nën okupimin e drejtpërdrejtë evropian në emër të Sistemit të Mandatarëve.
Britania e Madhe filloi t’u japë premtime diametralisht të kundërta arabëve dhe çifutëve mbi të ardhmen e Palestinës. Në atë kohë janë hartuar dy letra. Në njërën, komisari i lartë për Egjiptin, sër Henri Mak Maon, në emër të qeverisë britanike, i premtoi sherifit të Mekës, Husejnit, figurës më të njohur politike arabe në atë kohë, se pas luftës Palestina do të bëhet shtet i pavarur arab. Ndërkaq, në letrën tjetër, ministri britanik i punëve të jashtme, A. Xh. Balfur, përsëri në emër të qeverisë britanike i premtoi Lordit Rothschild, një prej përfaqësuesve kryesorë të çifutëve të botës, se pas luftës Palestina do të “bëhej” një vatër kombëtare e popullit çifut.
Konflikti palestinezo-izraelit arriti kulmin me formimin e Izraelit dhe me humbjen e Palestinës. Krijimi i shtetit hebraik me forcën e armëve në vitin 1948 shkaktoi luftëra të shumta në Lindjen e Mesme. Arabët nuk deshën ta pranonin Izraelin, sepse për ta shteti çifut ishte i huaj dhe i imponuar në tokën e tyre. Ai ishte krijuar për të vënë në vend dhe për të kompensuar vuajtjet e çifutëve, të cilat nuk i kishin shkaktuar popujt arabë.
Arabët nuk kishin pasur ndonjëherë probleme me çifutët derisa u themelua shteti i Izraelit. Këtë e pranon edhe Huntingtoni, i cili thotë se në Lindjen e Mesme konflikti ndërmjet arabëve dhe çifutëve në Palestinë ka nisur me themelimin e atdheut çifut.
Në botën muslimane hebrenjtë nuk kanë pësuar kurrfarë dhune, sikurse ushtroi mbi ta Evropa e krishterë ndër shekuj, duke përfshirë edhe holokaustin e shek. të XX-të. Palestinezët muslimanë dhe të krishterët bashkëjetonin paqësisht me pakicën hebraike. Por me themelimin e shtetit të Izraelit, shumica e popullsisë palestineze u detyrua të largohet nga shtëpitë dhe tokat e saj. Ata që mbetën u detyruan të jetojnë si qytetarë të kategorisë së dytë në tokën e tyre.
Konflikti në Lindjen e Mesme është shndërruar në vatrën e krizës më të gjatë në botë dhe me kalimin e kohës ka marrë gjithnjë e më shumë dimensione të rrezikshme kryesisht nën influencën e politikës ekspansioniste izraelite.





Politikë
Publicistike


