Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
Shqipëria, një vend i vogël me potenciale të mëdha
Me një sipërfaqe të vogël, vetëm prej 28 728 km2, Shqipëria përbën një nga vendet më të pasura natyrore dhe kulturore të Ballkanit. Ndërtimi gjeologjik i larmishëm ka kushtëzuar praninë e shumë mineraleve dhe lëndëve djegëse. Klima e përshtatshme dhe tokat pjellore kanë ndikuar në zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme bujqësore dhe të frutikulturës. Pyjet dhe kullotat janë shfrytëzuar që në lashtësi për pylltari dhe blegtori. Vija e gjatë bregdetare dhe liqenet e shumtë me origjinë tektonike, karstike e akullnajore, dallohen për biodiversitet të pasur dhe bukuri të peizazhit. Me këto pasuri natyrore, Shqipëria ka gjithçka: male, fusha, dete, lumenj, liqene, pyje, laguna, etj.
Këto kushte të përshtatshme natyrore kanë favorizuar dhe banimin e hershëm të tyre. Gjetjet arkeologjike vërtetojnë se trualli shqiptar ka një histori të lashtë banimi, që nga prehistoria e deri më sot. Vendbanimet e lashta, qytetet antike, kalatë, fortesat dhe banesat janë dëshmitë e stileve të ndryshme arkitektonike (ilire, helene, romake, bizantine, osmane dhe moderne). Duke dhënë dhe marrë
nga kulturat e vendeve fqinje, kultura shqiptare në shekuj krahas elementëve të rinj ka ruajtur origjinalitetin e saj. Me një larmi kostumesh popullore, veglash muzikore popullore, folklor të pasur,
tradita të vjetra artizanale të punimit të leshit, mëndafshit, drurit, gurit, filigramit, etj, trashëgimia etnografike shqiptare është sa e larmishme aq edhe origjinale dhe e papërsëritshme.
Ndonëse një vend i vogël, Shqipëria ka të regjistruar në Listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s, Butrintin (1992), qytetin e Gjirokastrës (2005) dhe qytetin e Beratit (2008). Po kështu Iso-polifonia labe është futur në këtë listë (2005) si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit” dhe dy kodikët e Beratit (2005) në regjistrin “Kujtesa e Botës” .
Sot trashëgimia natyrore dhe kulturore e Shqipërise përbën jo vetëm një pasuri të tërë, por edhe një potencial të madh për zhvillimin e turizmit dhe përparimin ekonomik të vendit.
Pozita gjeografike
Shqipëria ndodhet në pjesën perëndimore të Gadishullit të Ballkanit dhe në juglindje të Evropës dhe kufizohet nga veriu e verilindja me Malin e Zi e me Kosovën, nga lindja me Republikën ish-Jugosllave të Maqedonisë, nga juglindja e jugu me Greqinë, nga perëndimi me pjesët lindore të deteve Adriatik dhe Jon.
Gjatësia e përgjithshme e kufijve është 1094 km, nga të cilët 658 km janë kufij tokësorë, 316 km kufij detarë, 48 km kufij lumorë dhe 72 km kufij liqenorë. Brenda këtyre kufijve Shqipëria ka një shtrirje gjatësore veri-jug rreth 355 km dhe lindje perëndim 150 km, duke zënë një sipërfaqe prej 28.748 km². Vija bregdetare është 427 km e gjatë, nga të cilat 273 km i takojnë bregdetit Adriatik dhe 154 km bregdetit Jon.
Relievi
Me formacionet e larmishme gjeologjike dhe ndikimin e faktorëve të brendshëm e të jashtëm lidhet edhe forma e relievit të Shqipërisë, e cila për nga larmia përbën një mozaik të vërtetë. Lartësia mesatare arrin në 708 m mbi nivelin e detit dhe pika më e lartë ndodhet në Malin e Korabit (2.751 m), ndërsa më e ulëta (-8 m) në kënetën e Tërbufit. Rreth 80 % e relievit është kodrinoro-malor. Pjesa fushore shtrihet kryesisht në ultësirën perëndimore, por edhe në fushëgropat juglindore dhe në lugina lumenjsh.
Klima
Klima e Shqipërisë është e tipit mesdhetar me dimër të butë dhe të lagësht dhe verë të nxehtë dhe të thatë, sidomos në perëndim të vendit. Duke shkuar drejt veriut, lindjes dhe sipas lartësisë mbi nivelin e detit, klima merr nuanca kontinentale, duke u shoqëruar me temperatura më të ulëta dhe me reshje dëbore.
Temperatura mesatare vjetore luhatet nga 16°-17°C në zonën fushore, në 7°C në veri të zonës malore. Mesatarja vjetore e reshjeve në të gjithë vendin është 1480 mm, por sasia e reshjeve ndryshon sipas zonave, duke u luhatur nga 550-600 mm në fushëgropën e Korçës deri në 3100 mm në Bogë.
Pasuritë natyrore
Për një sipërfaqe të vogël që ka Shqipëria mund të thuhet se është shumë e pasur me pasuri natyrore. Pjesa veri-perëndimore e vendit është e pasur me naftë dhe gaz natyror. Ndërsa në veri- lindje gjenden rezerva të konsiderueshme të mineraleve të kromit dhe hekur-nikelit. Po kështu është e pasur me qymyr, pjesa më e madhe e rezervave të të cilit gjendet në rrethinën e Tiranës.
Shqipëria është ndër vendet më të pasura në Evropë me ujëra: rrjet të dendur hidrografik, pasuri detare (deti Adriatik dhe deti Jon), vijë bregdetare të gjatë dhe të përthyer, liqene të shumtë, laguna, etj. Vendi përshkohet nga lumenj me karakteristika mesdhetare (të shkurtër dhe të vrullshëm). Ndër lumenjtë më të rëndësishëm janë: Drini, Vjosa, Shkumbini, Mati, Ishmi, Erzeni, etj.
Pervec deteve dhe lumenjve Shqipëria ka edhe një numër të madh liqenesh natyrorë dhe artificialë ku dallohen liqenet me origjinë tektonike dhe karstike, me biodiversitet shumë të pasur, siç janë Liqeni i Shkodrës, Liqeni i Ohrit, Liqeni i Prespës.
Sipërfaqet e mëdha me pyje natyrorë dhe artificialë dhe bota e pasur bimore dhe shtazore, përbëjnë një pasuri të tërë natyrore me vlera të mëdha ekonomike për vendin krahas mineraleve dhe pasurive ujore.
Biodiversiteti
Për shkak të pozitës gjeografike, relievit, hidrografisë, klimës, gjeomorfologjisë etj, rezulton se në Shqipëri gjendet 30 % e florës evropiane me 3250 specie bimësh të larta, rreth 2350 lloje bimësh të ulta (alga, kërpudha, likene etj.), rreth 4700 lloje kafshësh invertebrore dhe 1150 lloje vertebrorësh. Kjo pasuri floristike e faunistike rritet në habitate të shumëllojshme, duke formuar ekosisteme detare, bregdetare, lagunore, liqenore, etj.
Rreth 1.1 % e florës shqiptare është endemike dhe rreth 39 % subendemike. Relievi i thyer dhe vertikaliteti i theksuar kanë krijuar kushte për ekzistencën dhe ruajtjen e një numri llojesh relikë, endemikë e subendemikë. Rreth 27 lloje endemikë dhe 160 subendemikë të bimëve të larta, që rriten në vendin tonë paraqesin një rëndësi të veçantë ruajtjeje. Në territorin shqiptar gjenden rreth 91 lloje kafshësh, qe janë të rrezikuara globalisht dhe për disa lloje si pelikani kaçurrel, blini dhe karabullaku i vogël, vendi ynë ka rëndësi të madhe. Rreth 530 specie të faunës shqiptare janë të përfshira në kategoritë e IUCN dhe kërkojnë mbrojtje.
Lagunat bregdetare dhe liqenet e mëdhenj në brendësi të vendit përfaqësojnë zona të rëndësishme veçanërisht për dimërimin e shpendëve migratorë ku rreth 70 lloje shpendësh uji me një numër prej 180,000 individësh kalojnë dimrin në to. Shqipëria është një pikë e rëndësishme e kryqëzimit të rrugëve migratore të shpendëve, lakuriqëve të natës dhe insekteve.
Habitatet natyrore ose artificiale ofrojnë vendstrehim për afër 120 lloje me status ruajtjeje të pafavorshëm. Pra vendi ynë përbën një vendqëndrim të rëndësishëm të aviafaunës evropiane. Diversiteti i peizazheve, që takohen brenda territorit të Shqipërisë, është rezultat i karakteristikave natyrore dhe i historisë së gjatë të popullimit dhe aktivitetit të njeriut në to.
Zonat e mbrojtura
Në Shqipëri ekzistojnë gjashtë kategori zonash të mbrojtura bazuar në kategoritë e IUCN. Në përdorim kategoritë e IUCN për zonat e mbrojtura të përcaktuara në bazë të ligjit Nr. 8906, datë 6 Qershor 2002 “Zonat e mbrojtura”. Sipas këtij ligji, pjesë të rëndësishme ose të kërcënuara të territorit shpallen zona të mbrojtura, të cilat ndahen në 6 kategori sipas rëndësisë: 4 zona rreptësisht të mbrojtura ku përfshihen Laguna e Karavastasë (Lushnje), Lumi i Gashit (Tropojë), Rrajca (Librazhd) dhe Kardhiqi (Gjirokastër); 13 parqe kombëtare; 750 monumente natyrore; 25 zona të menaxhuara; 6 peizazhe të mbrojtura tokësore/detare si dhe 4 zona të mbrojtura për menaxhimin e burimeve natyrore. Zonat e mbrojtura natyrore zënë një sipërfaqe të përgjithshme 238,322.2 ha dhe sipas kategorive paraqiten më poshtë.
Zona tw mbrojtura (2008)
| No. | Kategoria e ZM | Numri i ZM | Sip. në ha |
| 1 | Rezervat strikt i mbrojtur | 4 | 14.500 |
| 2 | Park kombëtar | 13 | 62.531.2 |
| 3 | Monument natyre | 750 | 4.360 |
| 4 | Zonë e menaxhuar | 25 | 66.963 |
| 5 | Peizazh i mbrojtur | 6 | 72.638 |
| 6 | Zonë e mbrojtur e burimeve natyrore | 4 | 18.200 |
|
| TOTALI |
| 238,322.2 |
Trashëgimia kulturore
Shqipëria, ndonëse një vend i vogël, trashëgon një pasuri të madhe monumentesh kulturore si në fushën e arkeologjisë, arkitekturës, etnografisë, historisë, artit, etj, të cilat dëshmojnë aftësitë krijuese të popullit shqiptar në shekuj, marrëdhëniet e tij me vëndet përreth si dhe shkëmbimet dhe ndikimet e kulturave të ndërsjellta.
Në Shqipëri janë shpallur mbi 2400 monumente kulture ndër të cilat: Monumente antike dhe mesjetare 591. Nga këto 483 janë kala dhe rrënoja qytetesh dhe 108 jane ura, ujësjellsa, ndërtime inxhinierike; Monumente kulti 179 (nga këto 109 kisha, 33 rrënoja kishash, 12 manastire, 11 xhami, 3 tyrbe, 5 teqe, 1 kompleks islamik); Banesa popullore të kategorisë së parë 373, të kategorisë së dytë 1151, sipas këtyre vendndodhjeve: Berati 428, Gjirokastra 378, Elbasani 20, Korça 150, Shkodra 80, Vlora 25.
Monumentet e kulturës përbëjnë trashëgiminë më të çmuar, që na kanë lënë paraardhësit. Ata janë burim krenarie dhe identiteti për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Përveç vlerave të tyre në edukimin atdhetar e artistik të brezave, kjo trashëgimi përbën edhe një pasuri të madhe për zhvillimin e turizmit dhe mbështetjen e ekonomive lokale ku ata ndodhen.
Trashëgimia arkeologjike
Shqipëria është tepër e pasur me zona dhe objekte arkeologjike. Trashëgimia arkeologjike më e madhe përbëhet nga qytetet e dikurshme si Apollonia, Amantia, Albanopolis, Bylis, Butrinti, Lisi, etj. Kjo trashëgimi herë-herë i kapërcen kufijtë e rëndësisë kombëtare siç është Butrinti, i cili për vlerat e tij të mëdha dhe unike u shpall zonë e Trashëgimisë Botërore Kulturore më 1992.
Trashëgimia arkitektonike
Trashëgimia arkitektonike përbën një pasuri të rëndësishme për historinë e popullit tonë. Ne trashëgojmë një mori kalash dhe ndërtesash të periudhave të ndryshme, që dëshmojnë vlerat e arkitekturës dhe mjeshtërve shqiptarë. Si të tilla përmendim: kalatë, pazaret, manastiret, kishat, xhamitë, banesat, etj. Shpesh vlerat arkitektonike i kalojnë kufijtë e rëndësisë kombëtare për origjinalitetin e tyre. Të tillë janë Qyteti i Gjirokastërës dhe Qyteti i Beratit, të cilët për vlerat arkitektonike të papërsëritshme dhe unike kanë hyrë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore përkatësisht në vitin 2005 dhe 2008.
Trashëgimia etnografike
Me veshjet popullore, zakonet, zejtaritë, instrumentat muzikorë popullorë, muzikën popullore etj, trashëgimia etnografike përbën një pjesë të rëndësishmë të trashëgimisë kulturore shqiptare me vlera të pazëvëndësueshme. Ne trashëgojmë një mori kostumesh popullore të zonave të ndryshme, të cilat janë sa origjinale aq edhe të veçanta, siç janë: kostumet popullore labe, të Malësisë së Madhe, Shqipërisë së Mesme etj.
Një nga thesaret e etnografisë shqiptare është folklori (mitet, përrallat, legjendat krahas këngëve dhe valleve). Ndër to “Iso-polifonia labe” dallohet për frymën dhe llojin unikal. Ajo përbën një kryevepër të trashëgimisë gojore dhe shpirtërore të popullit shqiptar, e cila tashmë është futur në listën “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, mbrojtur nga UNESCO, më 25 Nëntor, 2005.
Trashëgimia artistike
Fillimet e artit figurativ në truallin e Shqipërisë janë të hershme. Gjurmët e para i përkasin periudhës së neolitit. Nëpërmjet zbulimeve të shumta arkeologjike, në zona të ndryshme të vendit, janë gjetur qeramika, terrakota, zbukurime në metal etj., që u përkisnin fiseve ilire, paraardhësve të drejtpërdrejt të shqiptarëve të sotëm.
Sot në muzetë tanë ruhen një mori objektesh që i përkasin kulturës ilire, një numër mozaikësh, ikonash etj. Mozaikë, afreske, piktura pasbizantine, skulptura, fotografi etj përbëjnë tashmë vepra të trashëgimisë artistike të mjeshtërve shqiptar në shekuj.
Trashëgimia historike
Shqipëria trashëgon një mori dokumentesh me rëndësi historike kombëtare, dorëshkrime dhe botime, libra dhe periodikë me vlera të veçanta historike. Pasuria më e çmuar është Gjuha shqipe, e cila përbën një thesar të trashëgimisë kulturore shqiptare, që i mbijetoi shekujve dhe pushtuesve të shumtë.
Ndër dokumente e botime përmendim një dokument të vitit 1332, të kryepeshkopit të Tivarit, i cili në latinisht shkruan se shqiptarët përdorin në librat e tyre shkronjat latine edhe pse gjuha e tyre është fare e ndryshme nga latinishtja; një formulë pagëzimi e vitit 1462, shkruar shqip brenda një teksti latinisht, nga peshkopi i Durrësit Pal Engjëlli; një fjalor me fjalë shqip i vitit 1496, i gjermanit Arnold fon Harf, si dhe një fragment nga Ungjilli i Shën Mateut, po shqip, por me shkronja greqisht, i shekullit XV; Meshari i Gjon Buzukut, botuar më 1555, etj.
Një fond me rëndësi kombëtare dhe botërore për historinë e zhvillimit të letërsisë së vjetër biblike janë Kodikët e Shqipërisë. Koleksioni i kodikëve përbën një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar në të gjitha kohërat. Ky koleksion, i cili ruhet në Arkivin Qëndror të Shtetit, përbëhet nga mbi 100 vëllime, vepra të plota (dorëshkrime) dhe 17 fragmente. Për vlerat e tyre unike dhe autentike dy kodikët e Beratit kanë hyrë në regjistrin “Kujtesa e Botës” të UNESCO-s.





Politikë
Publicistike


