Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
Flamuri Kuq e Zi ngrihet edhe në Grand Rapids
Nga Redin Hafizi,Michigan
Vetëm një lajmërim i thjeshtë i vendosur në një prej bizneseve të shumta të Shqiptarëve këtu në Grand Rapids,mblodhi me dhjetëra familje ditën e shtunë për të festuar 28 Nëntorin,ditën e shenjtë të Shqiptarëve,Ditën e Flamurit, Ditën e Lirisë.Atje ishim të gjithë bashkë,të lumtur jo vetëm për ditën e pavarësisë,por edhe për Kosovën e lirë. Në fytyrat e të gjithëve mund të shihje në atë natë krenarinë e të qenit Shqiptar,krenarinë e një kombi që kurre nuk rreshti së luftuari për liri dhe që në fund ia ka dalë mbanë.Këtë festë e hapi organizatori i përvitshëm tashmë,Fadil Cana e më pas u lexua fjala përshëndetëse.Në fjalën përshëndetëse u theksua se 28 Nëntori i Shqiptarëve nuk nisi në vitin 1912,por ka nisur shumë herët.Ne Shqiptarët kurrë nuk e kemi duruar zgjedhën e huaj,prandaj kemi luftuar për të jetuar të lirë në trojet tona.Ne Shqiptarët kemi qenë edhe bujarë duke i ofruar toka të ardhurve nga stepat e Rusisë,por kur këta miq të paftuar nisën të shndërrohen në agresorë ne kemi ditur t’i luftojmë.Ne Shqiptarët nuk e kemi patur problem kurrë forcën e armikut,por gjithnjë jemi frymëzuar nga dëshira e madhe për të jetuar të lirë,ndaj ne nuk jemi dorëzuar kurrë edhe kur kemi luftuar kundër perandorive më të fuqishme në historinë e rruzullit.Ne Shqiptarët luftuam Perandorinë Romake dhe sigurisht që patëm heronjtë tanë që dhanë jetën për një luftë të tillë,por i treguam botës se ne duam të jetojmë të lirë.Ne Shqiptarët luftuam Perandorinë Turke dhe sigurisht që i treguam botës se ne nuk bëjmë pakte me pushtues, ndërkohë që fqinjët tanë Serbët ishin dorëzuar totalisht përpara forcës së Turqisë.Dy javë pas hyrjes triunfale në Dibër, Skënderbeu iu vërsul Kështjellës së Bardhë në Krujë dhe në 28 Nëntor 1443 ngriti aty flamurin Shqiptar.Shqipja dykrenore po valevitej më në fund e lirë dhe jo vetëm kaq,por Gjergj Kastrioti do ta bënte atë flamur të famshëm në të gjithë botën perëndimore duke ndaluar sulmet Turke ndaj perëndimit për 25 vjet rresht.Ishin këto fakte historike të cituara në fjalën përshëndetëse që bënin fytyrat e pjesëmarrësve të shkëlqenin nga krenaria,madje mes rreshtave, Fadili,Hakiu,Nazmiu apo Fatmiri tundnin kokën në shenjë pohimi,ndërsa Baca Baki që kishte veshur këmishën e tij speciale me Shqiponjën në krahun e zemrës niste duartrokitjet.Të gjithë po festonin dhe shpesh gjenin rastin të falënderonin edhe organizatorin e këtij aktiviteti,të palodhurin në të tilla raste z.Fadil Cana që së bashku me një tjetër figurë qëndrore jo vetëm intelektuale, por edhe sociale,z.Sabri Balla ose sic të gjithë Shqiptarët e quajnë këtu, Doktori, bënë të mundur realizimin e kesaj feste.Në vijim të fjalës përshëndetëse u theksua edhe finalizimi i përpjekjeve të Shqiptarëve në 28 Nëntor të vitit 1912 nga plaku i urtë i Vlorës.Ishte Ismail Qemali që pas shumë negociatave diplomatike u kthye ne Shqipëri për të shpallur Shqipërinë e pavarur dhe në Vlorë u ngrit sërish flamuri i Skënderbeut.Megjithatë nuk mbaroi me kaq.Shqiptarët vazhduan luftën,por tashmë për të mbrojtur pavarësinë e jo për ta fituar atë. Fuqitë që ishin pro pavarësisë së Shqipërisë në atë kohë ishin të njëjtat fuqi që tani janë plotësisht pro pavarësisë së Kosovës.Edhe në atë kohë,pra në dhjetor të vitit 1912,sipas gazetës prestigjoze “New York Times”, ambasadori Rus në Londër kërkonte jo pavarësi të Shqipërisë,por një krahinë autonome nën sundimin e Turqisë.Kjo kërkesë nuk ishte sepse Rusët kishin dëshirë të mbronin interesat e Turqisë,por sapo ta shkërrmoqnin perandorinë Turke që kishte marrë tatëpjetën të siguronin daljen në Adriatik të Serbisë aleatit më të fortë të Rusisë në Ballkan.Ishin fuqitë demokratike perëndimore që e hodhën poshtë këtë kërkesë dhe mbështetën idenë e Ismail Qemalit për një Shqipëri të pavarur.Ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës që i tregoi sërish botës se Shqiptarët nuk rreshtin së luftuari për liri.Ne kemi lindur të lirë e do të vdesim të lirë.Edhe pse jemi ne shekullin 21,ne nuk i lutemi askujt për të fituar lirinë por luftojmë për të dhe është ky flamur kuq e zi që frymëzon këdo që të ngrihet e ta mbrojë atë.Prandaj edhe ne Shqiptarët,nuk e quajmë dita e pavarësisë,por e quajmë Dita e Flamurit, 28 Nëntorin.Më pas zëri i ëmbël i një vajze nga Kosova me emrin Lumnie Jusufi që recitoi para të pranishmëve poezinë “Atdheu” të shkruar nga poeti Fatos Arapi i hapi rrugën festës.Kënga dhe vallja nisën të shprehnin shumë fuqishëm lumturinë e cdo të pranishmi në këtë festë magjike.





Politikë
Publicistike


