Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
Nga Mimoza Dajçi
Rreshjet e shumta dhe katastrofa e rëndë natyrore që ndodhi në zonat në veri të vendit ku u përmbytën më shumë se 10 mijë hektarë tokë bujqësore, e u mbuluan me ujë mbi 2,400 shtëpi e pallate banimi, sensibilizuan edhe diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Organizata, Shoqata e Fondacione të ndryshme si dhe biznesmenë të veçantë ofruan shuma të kosiderueshme në të holla për këtë fatkeqësi që për nga dëmet përllogaritet e shkallës së dytë e që mund të ndodhë vetëm një herë në 100 vjet.
Situata emergjente në Qarkun e Shkodrës, Komunat Dajç, Velipojë, Gurë i Zi, e Lezhë fokusoi edhe Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York, për të organizuar më datën 17 janar 2010 në Maestro’s Restorant një mbrëmje humanitare ku i bënte thirrje komunitetit për të kontribuar me të gjitha mundësitë e tij financiare për këto ditë të vështira që po kalojnë bashkëatdhetarët e tyre. E këtë organizim e drejtuan më së miri Famulltari i Kishës Dom Pjetër Popaj, veprimtarët Mark Gjonaj e Fran Çotaj, si dhe komisioni për mbledhjen e fondeve kryesuar nga Z. Lekë Përlleshi, Lule Gjokaj, Gjina Çotaj, Gjon Parubi, Victoria Gjelaj, Age Ivezaj, Gjikota Curranaj, Arjan Gjushi, Pjetër Zagreda, Palush Gjuraj, etj, të cilët me punën e përkushtimin e tyre arritën të grumbullonin në këtë mbrëmje $80,000. Ndihmë monetare kjo që do të dërgohej në Shqipëri për banorët e zonave të prekura nga kjo katastrofë e këtij fillim shekulli.
Pas Hymnit Shqiptar dhe Amerikan, mbrëmja mori bekimin e rastit nga i Përndershmi Dom Pjeter Popaj dhe Meshtari i Kishës Ortodokse Shqiptare Rev. Andrew Jarmus. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre personalitet e diplomacisë shqiptare në New York, Ambasadori i Misionit Shqiptar pranë OKB – së Z. Ferid Hoxha, Zv. Ambasadori Petrika Jorgji dhe Konsullja Znj. Admira Jorgji. Në emër të shtetit shqiptar iu dha fjala e rastit Ambasadorit Hoxha, i cili ndërmjet të tjerave tha: “Të dashur bashkëatdhetarë, dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë gjest solidariteti të shkëlqyer, për këtë manifestim mbështetjeje e ndihme konkrete e aq të nevojshme, për këtë ndjenjë pjesëmarrjeje në dhimbjen e mijëra familjeve në Shkodër, Nënshkodër e Lezhë. Fatmirësisht - tha ai - situata po përmirësohet dita ditës dhe uji ka filluar të lerë tokën e zaptuar. Qeveria dhe partnerët ndërkombëtarë po bëjnë analizat dhe llogaritë. Shteti është angazhuar që të zhdëmtojë të gjitha dëmet duke ua lehtësuar në maksimum dhimbjen të gjithë atyre që u prekën nga kjo fatkeqësi”. E më pas ai përcolli edhe falenderimet e Kryeministrit Berisha për shqiptarët e diasporës për ndihmën që po ofrojnë për vëllezërit e motrat e tyre në Shqipëri.
Fran Çotaj, moderatori i mbrëmjes e hapi me këto fjalë përshëndetjen e tij: “Të nderuar Zonja e Zotërinj mirëmbrëma e mirësekeni ardhur! Eshtë kënaqësi t’ju shikoj në këtë numër kaq të madh për t’u ardhur në ndihmë vendasve tanë që gjenden në një situatë të vështirë jetësore”. Fushata për rritjen e fondeve - tha ai - filloi menjëherë që me rritjen e ujrave në zonat e qytetit të Shkodrës, ku u mblodh një shumë të hollash deri në 15 mijë dollarë. Mirëpo Këshilli i Kishës së bashku me Famulltarin tonë Dom Pjetër Popaj i vumë për detyrë vetes që të bëjmë një fushatë më të gjerë për të sensibilizuar opinionin duke organizuar një darkë të kësaj natyre ku shpresojmë të jetë e suksesshme.
Më pas ai lexoi listën e organizatave pjesëmarrëse dhe i falenderoi ato për gatishmëinë e treguar për t’i ardhur sa më parë në ndihmë njerëzve të një gjaku që po përjetojnë një jetë në kushte tepër të vështira. Ne kemi ftuar - vijoi Z. Çotaj - shumë Instuticione Fetare, Organizata jo qeveritare, mediat e ndryshme shqiptaro - amerikane, biznesmenë e individë të ndryshëm dhe shprehim kënaqësinë tonë që të gjithë u jeni përgjigjur pozitivisht kësaj thirrjeje, çfarë pasqyrohet me pjesëmarrjen tuaj sonte këtu. Edhe pse në pamundësi për të qenë pranë nesh Qendra Islamike Shqiptare nëpërmjet Imam Osman Zagajt ofroi një shumë prej $750. Kameramani e fotografi Lavdosh Gjuzaj do të filmojë darkën e sotme dhe do të përgatisë një dokumentar si dhuratë. Pra çdo organizatë apo individ ka gjetur mënyrën e rrugën më të mirë se si mund të nxjerrim vendin nga kriza natyrore që e ka mbuluar vendin. Po ashtu ndihma në të holla - shtoi ai - na ka dhuruar edhe poetja e njohur nga Kosova së bashku me bashkëshortin Rita e Adem Saliu.
Vlen për t’u përmendur edhe pjesëmarrja e shumë personaliteteve të larta të politikës amerikane, si Senatori Jeff Klein, ish Kongresmeni Joseph Dioguardi me bashkëshorten Znj. Shirley C. Dioguardi, Michael Benedetto, Ish Assemblyman Stephen B. Kaufman, Joseph M. McManaus, Dr. Alan Ross nga Klinika “Iliria”, të cilët përshëndetën këtë mbrëmje bamirësie dhe vlerësuan kontributin e diasporës që ofron në situata të vështira e kritike në vendlindje. Por edhe shumë përfaqësues shoqatash e oragnizatash shqiptaro-amerikane që veprojnë në dobi të çështjes shqiptare në New York, New Jersey e Connecticut e morën fjalën duke dhënë kështu jo vetëm mbështetjen e tyre financiare por edhe atë humane, morale e shoqërore. Gjithashtu nuk kaloi pa u përmenduar edhe tërmeti që goditi brigjet e Haitit ku humbën jetën gati 50 mijë njerëz dhe 3 mijë të tjerë janë në kushte të rënda për jetën, si dhe ndihma financiare që kanë ofruar gjithashtu shumë shqiptarë që jetojnë e punojnë në SHBA.
Organizata “Vatra” u përfaqësua nga Nënkryetari i saj, Dr. Gjon Buçaj, e Vatranët e tjerë, te cilet pervec kontributit te tyre financiar qe dhane ne emer te Vatres, edhe ne kete mbremje dhuruan perseri nje shume ne te holla, ku perfshiheshin, Z. Agim Karagjozi, Dr, Gjon Bucaj, Zoterinjte Zef Balaj, Zef Perndocaj, Dalip Gracaj dhe vellezerit Bytyci. LDK me Kryetarin e saj Ramadan Gashi, Këshilli Shqiptaro - Amerikan me zotërinjtë Avni Mustafa dhe Martin Shkreli, biznesmeni Luigj Shkreli si gjithmonë i gatshëm në raste fatkeqësie është kurdoherë mes nesh. E shumë e shumë të tjerë.
Nënkryetari i Federatës Pan Shqiptare “Vatra” Dr.Gjon Buçaj duke vlerësuar darkën e shtruar me këtë rast falenderoi Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, Meshtarin e saj të palodhur Dom Pjetër Popaj, aktivistët Mark Gjonaj e Fran Çotaj që edhe pse në një kohë kaq të shkurtër arritën të realizonin një aktivitet kaq të madh e domethënës. “Edhe ne si Vatranë - tha ai - sapo vijmë nga ambjentet e Organizatës së Vatrës, ku patëm takim përgjatë gjithë ditës me komunitetin e mblodhëm një shumë relativisht jo të vogël për ta dërguar sa më parë në Shqipëri. Tubimi që ne mbajtëm sot në oret e paradites - shtoi ai - kishte nxitjen edhe të Kryetarit të Vatrës Z. Agim Karagjozi, i cili tregoi një interesim të veçantë që t’i viheshim sa më parë në ndihmë njerëzve tanë në vendlindje. Nuk mund të le pa mbështetur Qeverinë Berisha për angazhimin maksimal që ka treguar së bashku me ministrat e institucionet vendore për të zgjidhur me sukses e pa humbje në njerëz këtë situatë kritike. Vetë vajtja e Kryeministrit Berisha – vijoi ai - në zonat e përmbytura, takimi me banorët dhe puna bindëse me ta për të lenë shtëpitë e për tu sistemuar në zona pa probleme tregoi më së miri punën e detyrën e tij si drejtues i lartë i shtetit.” Gjithashtu Dr. Bucaj vleresoi edhe pranine e perfaqesuesve te Kishes prane Organizates Vatra ne kete dite Z. Mark Gjonaj dhe Fran Cotaj, si dhe kontributin financiar qe ata ofruan si personal ashtu edhe Institucional.
Një tjetër folëse në podium ishte edhe e reja Viola Trebicka, përfaqësuese e Bordit drejtues të Organizatës së grave “Motrat Qiriazi”. “Unë - tha ajo - së bashku me Presidenten e Shoqatës “Motrat Qiriazi” Dr. Ana Kohen e anëtaret e tjera të kësaj organizate me të mësuar për tragjedine e ndodhur në Shqipëri, u mblodhëm e vendosëm menjëherë të bënim diçka. E quajtëm si një detyrë imediate, si pjesë të jetës sonë, prandaj edhe jemi sot këtu në shenjë solidarizimi për të dhënë një donacion me shumë $750 dhe shpresojmë se do të japim ndihmë të vazhdueshme deri sa problemet në zonat Shkodër edhe Lezhë të rreshtin. Viola përmendi edhe emrat e anëtarëve të këtij bordi ekzekutiv të cilët ishin të pranishëm në sallë si Dr. Ana Kohen, Kestina Budina, Eduard Toptani, dhe Markus De Rowe.
Solidarizim me këtë tragjedi natyrore për zonat në veri të vendit shprehën në fjalën e tyre edhe Drejtori Ekzekutiv i NACC Z. Avni Mustafaj, ish deputeti i Malit të Zi, sot Kryetar i Shoqatës Ana e Malit, Z. Xheladin Zeneli, Bekim Dafilaç e Ervin Toro nga “Unioni Shqiptar” si dhe shumë folës e dashamirës të çështjes kombëtare.
Me anë të një video – projektori u shfaq për audiencën filmi dokumentar me titull “Flooded Shkodra” kushtuar kësaj fatkeqësie në veri të vendit si dhe me nota optimiste u paraqit ndihma që Qeveria shqiptare ka dhënë e po jep për banorët e këtyre zonave të përmbytyra nën ujë. Skenari i këtij dokumentari u realizua nga regjisori shqiptaro amerikan Rrok Markolaj, i cili kishte emigruar në Amerikë së bashku me familjen në moshën 14 vjeçare.
Z. Lekë Përlleshi dhe Znj. Victoria Gjelaj në fund të mbrëmjes lexuan me rradhë emrat dhe shumat në të holla që u dhuruan, ku kjo shifër arriti shumën 80 mijë dollarë, 18 mijë dollarë prej të cilave ishin donacion i patriotit dhe biznesmenit të shquar shqiptar Z. Xhim Xhema, 5 mijë dollarë të tjera nga patrioti e biznesmeni Harry Bajraktari, 1 mijë dollarë nga Joseph Dioguardi e kështu me rradhë.
Mbrëmja kaloi në harmoni të plotë e shoqëruar në sfond nga DJ Tonny me këngë e melodi përshtatur për të gjitha trevat shqiptare nga “Albanian Sound Studio” me pronar Artan Kurtin.

Avni Mustafaj

Perfaqesuesit e Vatres







Politikë
Publicistike
Libra të rinj


