Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
Pjetër Jaku
( Lirika )
Atje ku s’jam
Po bie shi në këtë vjeshtë
Në mendjen time-kohë me re
erdha si një zog i lehtë
Atje ku s’jam, atje ku je…
Ne anën tjetër, në kurriz
Të ditës sime që po lind
Unë pres nga qielli të leviz
Një puthje mu në fatin tim!
Mendon e lodhet koha ime
Kufijtë e ditës i bën natë
E vjen te unë jo pa mundime
Si yll i mbrëmjes që sjell fat.
Pastaj më futet bash në gji
E më këput me një shikim
Përpiqem t’i jap dashuri
Me veç dy fjalë e një vështrim.
Se u bë pjesë e moshëss time
U bë minut, u bë sekond
Dhe ëndërroj në fluturime
Të bëhëm shpend në horizont...
Unë jam bir i marrëzisë
S’e lë rehat imagjinatën
Në udhëtim drejt pleqërisë
Asnjëherë nuk do të plakëm.
T’i bëhëm vetja e padukshme
Në sytë e saj të bëhëm shpresë
Ah, një ditë të padurueshme
Flakë të gjithin të më ndez.
Nuk iki larg si një Bajron
Të jemë këtu edhe atje
Do jemë ku ti me deshiron
Atje ku s’jam, atje ku je!
Portret
Porsi dritë vetëtimë,
Veç me qiellin përmbi krye,
Do të bjerë kalaja ime
N’fjalen time u zbërthye...
Ballë të gjërë sa horizonti
Sy të ëmbël dhe gjithë zjarr
Krejt përmasat që jep Zoti
Vetëm ty t’i paska falë!
Një fytyrë sa ëngjellore
Aq njerëzore dhe e ëmbël,
Eshtë parajsa më hyjnore
Më skalit plagë në zemër.
Hunda zbret deri tek buza
Bash si kodra e një mali,
Për freskinë që të ka gusha,
Gjithë kalatë i mori zjarri.
E tek binin, dorëzuar
Pa e bërë një qëndresë
Vetëtimat e përshkuan
Trupin tënd si fortesë.
Dhe vjen gusha bardh si bora
Vijnë dhe krojet rend e rend
Ti i more e unë i mora
Gjithë stolitë që kish ai vend!
Trupi yt nuk krahasohet
Asnjë lis s’i bie për shtat
Stinë e luleve të dor’zohet
Dimrit, trupi të ndjen vapë.
Natën bëhësh hënë e plotë
Ditën diell që të djeg
Pse të ec kur s’të zë dot,
Të mundohem te te ndjek?
I sikletur, i vrerosur
Rri e vras rrenimin tim
Kjo fytyrë kaq e përsosur
Më varros me një veshtirm!
Do te mbytëm...
Do të mbytëm unë i mjeri
Veç në lotët e asaj
Si një kalë, liruar freri
Trokun vetes s’do t’ia ndaj.
Do të çmendet krejt e mira
Veç për dhimbjet e një burri
Që s'i pa dy ditë të lira
Një litar në fat e zuri.
Që të dy po ky litar
Do na mbaj ndoshta të lidhur
Dimrit do t’i digjet zjarr
Si kandili dritëpafikur!
Eh, ç’litar që s’ka si digjet,
Sikur hekur është i shkreti!
Prej asgjëjë nuk tërhiqet
Zemërgjërë porsi deti.
Porsi kalë liruar freri
Trokun vetës s’do t’ia ndaj
Do të mbytem unë i mjeri
Në shpirt-mallin e asaj…
Letër
Përsëri e përsëri
Thëm se ç’thëm e s’thëm asgjë
Teksa shkruaj ca fjali
Një ciklon fjalët m’i zë.
Nuk e di a vijnë tek ti,
Siç i shkruaj vetëm unë.
Sa do desha që ta di
Ç’djep në ëndrra të përkund?...
Bëj si bëj e lëtër tjetër
Shkruaj, vuaj e ta nis
Dhëmbja qenka kaq e vjetër
Në altar të dashurisë.
Në të kundërt s’ma ha mendja
Të ketë prekje veç me fjalë
Oh, ta dish sa vuan zemra
Tek trazohet nëpër valë…
Ia kall dhëmbjen vargut tim
Germë për germë e çdo fjalë
Më shëron ky frymëzim,
Si burim termik i gjallë…
E shtunë
Shkon e premtja pa të shkruar
vjen e diela për të dy
sado larg, s’më je harruar,
Jam me ty pa qenë me ty.
Vjen mëngjesi përsëri
Varet shpresa si rrëketë
Vuaj brengën në vemti
As me frymë s’po mund të prek.
Do të shkojë dhe kjo e shtunë
Vjen e diela për të dy
Po besimin nuk e humb
Jam me ty pa qenë me ty.
Sot ka diell ( diell dhjetori ),
Ditë e tij na jep të ngrohtë
Shpresat e kësaj dite mori,
Shkoj e fothta me të ftohtë!
Shkojnë ditët, fluturuan
Koha shkoi, po ne ku shkuam!?
Për së gjalli ç’u harruam!
Vendit tim
Një zgjim i beftë në largësi
ku vetëm ëndrra ty të prek
mergimmërguar për tek ti
një zjarr i djegur që më djeg.
Jam në rrënjët e çdo lisi
Që kur lind edhe rilind,
Veç njëherë ju të kishi
Mundësi për të më bindë…
Të mos shoh lumejt në ëndërr
Arat mos t’i shoh të mbjella,
Të mos kisha unë në zemër
Përrenj e male e të tjera…
Bukuri që veç i ka
Vendi ku kam lindur unë.
Fshihen troftat e mëdha
Vallëzojnë pa frikë në lumë.
Në atë lumë ku gjithë beharin
Duart kisha nën çdo gur.
Tash që unë plagosa mallin,
Po marrë plagë të tjera shumë…
Plagë që vijnë nga dashuria
Të të jëm aty ku s’jam,
T’i krasit vreshtat e mia
T’u kujtoj pemëve babanë.
T’u çoj mallin e një nëne
Që ka nëna ime vetë.
T’i prek degët e çdo peme
Dhe t’i vjelë të gjitha pemët!
Pastaj le të shkojmë e vijmë
Gjer ku dielli shkon e vjen
Le të jem për vendin tim
Dhe pse larg, një gur i rëndë!
Shkruar s’di se kur
Rrokullisëm shkëmbinjve të gjoksit,
Këmbët i hanë udhët
Sytë e ulin qiellin e së dashurës
E më vërbuan
I dhashë fjalën t’i shkruaj
Asaj që për mua qan.
Udhët i mblodhi në grusht
Dhe erdhi si vetëtimë
Në mendjen time.
Unë, i mërguar viseve të lodhjes
I kisha humbë fjalët
Ne shkretëtra e pafund
Të ndjenjës
Derisa nata u ndalua
Të mos mbrri te mengjesi.
Orët, ulen kokën dhe mbetën
Fjalët për të dashuren
Nuk i gjetëm!
Pritje...
Si nuk shkon dita pa ty
muaj më bëhët gjer në mbrëmje
herë më vjen një mal në sy,
herë shkumbon nje lumë në zemër
Herë më fryn ciklon në vesh,
herë më ngjitet nje ofshamë,
herë mesnata më buzëqesh,
herë ne gjoks dita zë qan!
Por, gjithëherë një gjë e di
së të pres dhe do të pres,
gjer kur fjaltë të bëhen shi,
gjer kur sytë të bëhen vesë...
Ndezur-djegur në zjarmi
Malli i saj e malli im
Mbytur krejt në dashuri
Mbetëm varur pa shpëtim!
Pa ty dita s’ka kuptim!
Endërr
Sa të dua te kemë pranë
Nëse don ti të më kesh,
Gjithë ç’kemi t’i bashkojmë
Si dy pjesa në një pjesë.
Pastaj diellin ta pjestoj
Të të puthë në bark të ditës
Ta vë dorën, të lëmoj
Te lendina e mosmbrritjes.
Dhe, më pas të kem të tërën
Të vë zjarrin e të ndez
Dhe të bëjmë të pabërën
Duke pasur pakëz shpresë!
Në deshirën për t’u parë,
Për ta shuar etjen shpesh
Të shkojmë pyllit si të marrë
Hipur vetëm mbi një gjeth.





Politikë
Publicistike


