Cikel poetik nga libri per botim “ Mekati im i katert” i Elinda Markut

Seksionet

Arkivi

He Ma Enj Pr Sht Di
12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930

Newsletter

Dua të kyçem tek newsletter (lajmet në e-mail)

Sondazh: Dizajni

Si ju duket pamja e re e faqes?

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

A ju pëlqehet Artikulli?

(Gjithsej 0 Votime)
Madhësia e shkronjave Decrease font Enlarge font
image

Elinda Marku

 

 

Mëkati që vendosa të mos e bëj


Ç'ke që kerkon nallban ,
Të mbathesh kuajt e tu,
Që sigurisht nuk kalërojnë;
Fluturojnë!!!
Të kujtohet kur me tregove për kuajt e tu të zbathur,
Tek stacioni i trenit,
Teksa prisnim të dashuren tënde Penelopën?
...
Diten e fundit, para se t'i hypja largësive,
Të kujtohet tek stacioni përballë RTV,
Të kërkova një krah këmishë,
Të cilen e ruaj si krahët e mi të hollë e të gjatë
Por, që s'mjaftojnë për ta mbërthyer,
Asnjërin prej qiejve, ku dremisin në këmbë kuajt e tu. .
...
Kam lindur zbathur,
Ndoshta që t'i shpëtoj ndjekjes së përsonazheve,
Të cilët mund të na kërkojnë t'i mbushim
Me të tona të pamjaftueshme
E të ngatërrohemi deri aty,
Sa të blejmë veten në vend të personazheve!
Kam lindur zbathur,
Ndaj në vend të këpucëve mora-mbaj dhe ruaj,
Si krahët e mi,
Një krah këmishë...
Këmisha ishte ngjyrë- sysh
Sy kuajsh!






Vjeshtë 2003- Verë 2007

Zbrita në Romë, e Romen nuk e pashë,
Veç periferive, ku gjarpëronte autostrada....
Që, përveçëse gjithandej të çonte
Dhe në Firenze
(Toscana).
E bukur Toscana kësaj here.
Më e bukur se herën e fundit!
Pastaj në Milano
Në piazen më të madhe, atje
Njerën prej mbrëmjeve që ngjante
Aq shumë më tonat
E, që shoqërohej me shiun e mungesave të pranishme,
Ndoqa për pothuaj gjithë mbasditen
Lojen e bukur të një saksofonisti
Të talentuar,
Që nuk e di pse më bëhej se kishte lidhje me ty
Dhe, jo vetëm kaq, por genjeja besueshëm veten,
Se ishte saksofonisti, për të cilin ti më ke folur,
Ashtu siç vetëm di TI të flasësh .
Ishte i gjatë, dhe fytyrën e kish mbuluar me kapuçin e xhupit,
I cili ishte "gucci".
Gishtin e unazës e kishte të stolisur me një unazë
Te çmuar...
Sandalet i kishte si të Jezusit .
Luante trishtimin !!!
Sapo vinte re, se rrotull tij grumbulloheshin shumë degjues,
E thyente muziken dhe bëhej"amator"...
Njerëzit pakësoheshin.
Vetëm unë rrija pa levizur.
Pyeta njerin prej miqve që shoqëroheshim;
-Po ky pse e fsheh fytyrën me atë kapuç të madh?-
Ai m'u pergjigj.
-E shikon, xhupin e ka Gucci,
Unazën e ka diamant
Dhe, sandalet nga më të shtrenjtat "Ecco".
Eshtë muzikant i njohur!
Del në piazë e luan vetëm kur bie shi!
-Ky duhet të jetë saksofonisti i "N".
I thashë vetes time me bindje
Ende çuditem si durova pa iu afruar,
Sa të mund t'i ngrija pak kapuçin e ti shikoja fytyrën.

***
Të nesërmen, sigurisht dola prap.
Piaza çdo mbrëmje ishte, pothuaj plot me artistë
Madje, kam parë në mes të kryqëzimit
( mbas ore 7pm.nuk levizin makina në qendër)
Një aziatike të bukur, që kishte nxjerrë pianon
E i binte për shtatë palë qejfe të saj e për shtatë palë qejfe
Të kalimtareve, që harroheshin për minuta të tërë
Rreth tingujve .
Kam pare piktorë,
Madje, njërin prej tyre e kam patur komshi në fshat
Dhe, tetë vjet rrjesht në klasë.
Dritan e quajnë , ka qënë i talentuar.
Emigroi në Itali, pak para se të diplomohej.
Ditën punonte murator,
Ndërsa në mbremje dilte tek piaza e famshme
Dhe piktornte portrete turistësh;
Nje portret 30 euro.
Kur e pashë, m'u bë një lëmsh transparent në sy.
kur me ra prej syve, u bë muzgu gri.
Ishte thinjur, duke mbetur i butë njësoj.

***
Mbas 4 ditësh m'u desh të shtyja biletën
Prisja shiun e rrallë në verë,
Të shikoja saksofonistin në piazë.
Mbaruan ditët, të tjera ditë s'më jepnin të rrija,
Deri në një mbremje tjetër me shi.
As të vija deri tek kafeja që do pija me ty.






Në sytë e Marës

Në dritën e mëngjesit dhe në sytë e sime bij
Sot, më fort se asnjëherë
Kam parë, besuar e ndjerë
Se....
Ime bij,
Eshtë nëna ime dhe unë bashkë.
Eshtë gjyshi i saj
Megjithë t'anë.
Ka sy të mëdhej sa qielli,
Ku brenda të cilëve gjindemi të shtatë.
Lleshi e Maria,
Maria dhe Prenga,
Unë, Pjetri dhe
Mara.
E vogla ime kaq e madhe!





Poezia në  ditët e sotme

Lindi liria e fjalës me vdekjen e diktaturës
E u plak kaq e re liria e fjalës
Tash po i digjen kërcenjtë e lirisë së fjalës
E fjala ka mbetur lakuriq pa kuptimin.
...Pimë kafe-kafeneve të botës
Pa mundur të lexojmë asgjë në gjuhën
Tonë të pasur.
Lajmet dhe vargjet s'janë me as fjalë,
Janë thjesht tym i zi,
I djegjes së lirisë në pakuptimësi.
...
Tani ne vend të fjalës së lirë
Shenjtëron heshtja
Dhe poezia rri palë
Në arkën e sendeve të të vdekurve
Të pavdekshëm.






***Edhe në parajse ndodh të vdesin***


Fluturuan zogjtë, deri në fund
Të qiellit
U vonuan një stinë.
Kur u kthyen i pyeta;
Vetëm një stinë larg qenka parajsa?
Ata thanë;
Atje ishin zënë të gjitha pemët,
Ku ne mund të ngrinim fole
Dhe, jo vetëm pemët ishin zenë.
Keshtuqë na duhet të bëjmë
Një parajsë të re këtu
E këtu të rrojmë edhe mbas vdekjes.







Mbetur gjalle!



Jo gjithmonë shpirti ia del hidhërimit.
Të dëshpëruarin e vrasin
Edhe këpucët e përdorura.
Nga të gjitha pritjet e gjata,
Asnjëra nuk është e lavdërueshme!
Lakuriqësia shpesh është ndershmëri,
me shpesh është turpësi!
Pambarimisht vazhdon njëra gjysëm
Të tërheq gjysmën që e shtyn shoqen.

S'e shikon?! Ka filluar të ndërrojë moti!
...
Në ëndërr dëgjohet një derë tek hapet
Ndoshta tek mbyllet.
Ndoshta tek shëmbet.





20 vjet ra mbrëmbja paraditen!


Edhe dita e ka ndrruar kuptimin.
Jo me atë të natës -ndoshta
Fjalët kaq të pamundura,
Të cilave vetëm mund t'u ndrroj vendin
E të mos mund t'u shtoj diçka që ti,
Të mund të besosh në to.


Mes fjalëve, njësoj e mbetur këtu
Duke ndrruar fustanet, këmishat, kapelet
Duke zgjedhur biankeritë, bizhuteritë, parfumet,
Që do t'i merrja me vete në çantë
(më të bukurat do t'i merrja në trup)
Po qe se ti, do të më thoje-nisu!
Po qe se unë, do t'i besoja pritjes tënde
Qoftë edhe nga kureshtja
Për të më parë,takuar, prekur,
Dashur pa më dashur.
(dashje pa dashje)!

***

Po i bie deri në fund dashurisë tonë
(që në të vërtetë - është vetëm imja
E që më duhet- dua ta ndajë-mbaj e ta bëj me ty),
Ende e mbetur-ketu para pasqyres dhe larg teje
Kaq vite, kaq milje larg jam!

***
Ti vazhdon të mos me thuash-nisu!
Unë vazhdoj të mos i besoj pritjes tënde,
Po shuhemi brenda kuriozitetit me të thjeshtë.

***
Dhëntë Zoti, e nuk pendohesh
Atë diten e erdhshme ,kur edhe nëse më thua,
Më pret, e më deshiron
Të mos mundem të vij.

***
Fustanet do të m'i ketë brejtur teja
Bizhuteritë lagështira e lotëve
(të pakuptimtë mund t'i quash).
Ndërsa të tjerat me gjithë çantë...
Do t'i kenë dërguar në "salevation army"






Perëndia e pikëllimit quhet Ndoc Gjetja



Që kur kam njohur Ndoc Gjetjen
(poet dhe njeri)
Nuk e di pse kam filluar të mendoj, deri sa
Gati gati po besoj mendimin tim,
Se nuk ishte Homeri i verbër,
Por bashkëkohesit e tij.
Dhe, kur u erdh shikimi grekërve,
Homeri nuk shikonte megjithëmend më.
Keshtu qe “faji” i verbëris i mbeti përjetsisht
Homerit.
***
Qëlloi rasti dhe unë e takova Ndoc Gjetjen.
***
Deri këtu kisha besuar se ;
Poetët janë nga pak perendi dhe nga pak djaj.
Nga pak çmenduri dhe nga pak guxim për t’u çmendur,
Nga pak njeri dhe nga pak mit,
Nga pak luftë, e nga shumë luftë për paqe.
Dhe të “sëmurë” nga memecëria,
Ç’ka kjo sëmundje i bën disa të përjetshëm.
Pasi njoha Ndocin, besimi im fillonte me fjalinë ;
Secili poet është nga pak Krisht. ….
Ndërsa Ndoci është i tëri!

Ndoci, i ruan lotët për dhimbjet e të tjerëve
Me lekurën e tij lidh plagët e qytetit
Dhe të botës.
Shpirtin e bën shall të ngroh foshnjen dashuri.
Ndoci , asnjëherë nuk lidhi besë me vdekjen,
Me gjithë se vdekja i preu pemën më të shëndoshë.
Po të kishim lindur unë edhe Ndoci në Greqi
Do të kisha besuar se u ringjall edhe Homeri.
Po të mund ta quaj Shqipërinë Itakë,
Do të kisha thënë se është kthyer Odisea.
Ndoci i njeh të gjitha gjërat e botës
Dhe, sidomos njerezit.
Dhe, sidomos njerëzit i do kaq shumë.
Po të botohet dy tre herë fotoja e Ndocit në shtyp internacional,
Do te kisha guxuar të thëm
Se, mbas njëqind vjetësh, ndoshta mbas njëmijë vjetësh,
Piktoret dhe skulptorët e kishave dhe te katedraleve,
Do ta kopjojnë fytyrën e Krishtit
Nga fotoja e tanishme e Ndocit.
(çdo ditë e më shumë e besoj Krishtin të ringjallur).
Sa herë e takoja Ndocin, ikja prej tij me shpinë
Siç iki prej altarëve, kur dal nga kisha.
Ndoci nuk i deshi (as nuk i do) sendet dhe postet.
Ornamete dhe shtëpinë me të madhe se nevoja.
Paratë, as të domosdoshmet nuk i do.
( i duken të ndyra, madje kështu thotë,”të ndyra janë”).
Ndoci është rojtari i shpirtit dhe trashigimtar i tij
Në vendin tim (tonë).
Ai, pothuaj nuk e di ç’është Nobeli.
Asnjë ëndërr nuk harxhoi për famen.
Ndoci, në qytetin e tij është si një bibël,
Që ende nuk është lexuar.
Perëndisë, askush nuk ia njeh zërin,
Por ia ndjen dashurinë.
Paaftesitë e Ndocit janë ;
Paaftësia për të urryer dhe që është më e madhja paaftësi.
Paaftësia për t’u përulur, përveç dashurisë.
Paaftësia për t’u dukur….
Dhe paaftësia për të qënë i lumtur!
Po bëhet i paaftë për të qënë i vdekshëm.
Pse themi qe u ringjall Krishti,
Në vend që të themi Krishti nuk di të vdesë?!
Ndoci është durimi që të fut friken
Dhe heshtja që të plas mendimin.
Ai është dashuria që ta shemb shpirtin
E ta ngre atë nga fillimi.
Të gjithë e duam Krishtin.
E duam në pendesën tonë pse e kryqëzuam
Dhe në nevojën tonë për të na dashur ai më shumë.

Që kur kam njohur Ndoc Gjetjen
(poet dhe njeri)
Nuk e di pse kam filluar të mendoj, deri sa
Gati gati po besoj mendimin tim,
Se nuk ishte Homeri i verbër,
Por bashkëkohësit e tij.
Dhe, kur u erdh shikimi grekërve,
Homeri nuk shikonte me gjithë mend më.
Kështu që “faji” i verbërisë i mbeti përjetësisht…
Homerit!.




Festë në mort


Arkivolet më bëjnë të qesh
Më në fund.
Të lumtur, vetëm arkivoli im
Më arkivon.
Ndërsa, ma trembin diten
E natën më bëjnë më të zezë,
Ca djepe të mbushura me foshnje
Mjekrra -lesh gjate,
Që, kur ishin ende
Spermatozoide të ngjitur me dhunë
Faqeve të mitres.
E, prap më vjen keq t'i quaj majmunë.
Dhuna përkthehet në gojen e tyre,
Ende të pazënë , lumturi.
Se duan të mbarsin token me trupat tanë
E, të ngopin zotin me jetët tona, prap e gjithnjë.
Ndërsa, mua arkivolet nuk më bëjnë të qaj, si dikur.
Më trembin foshnjet me mjekrra,
Që ulërasin: Dhunë-Dhunë!


24 nentor 2004




I am  proud to be an american!

Si  të mos jem?
S’mjafton krenaria , e cila nuk më ka munguar,
As kur nuk isha?

Sido që janë shqiptarët, çfarëdo fati që pati Shqiperia,
Krenare kam qene…
Madje, me kokëfortësi jam ende.

I am proud to be an american!

Tani që i perkas e gjitha,
Këtij vendi e populli virtual,
Shumë, shumë të mirë.

Këtë e besojnë edhe ata që nuk i përkasin
Këtij vendi e populli.
Edhe ata që mezi presin t’i përkasin,
Me  gjithë ata që  mund të vijnë,
Përfshi edhe ata që nuk e kanë ndermend me ardh
E të tjerë që nuk e kanë këtë fat.

I am proud to be an American!

Tashmë i gezoj të gjitha liritë, edhe atë të fjalës;
Punë e madhe se mund të mos di asnjë fjalë anglisht!
Ne fund te fundit anglishtja  është  gjuhë e anglezeve,
Jo e amerikanëve!

E gezoj plotësisht të drejtën me qënë pjesë përbërëse e rutines.
Pse jo,  me u shpall edhe shpikësi i saj.
Këtu, lirisht mund ta jetoj jetën pa e dashuruar.

Vetëm  këtu munda të bëhëm një e bindur
E perkryer e fakteve dhe e shqisave.
Madje, shpesh ndihem një shqisë e përkryer.

Mund të shikoj me indiferentizmin më të madh,
Se si  po fiket brenda meje ajo shkendija
E mezidukshme e asaj dritës  që e bën njeriun Njeri.

I lumturohem pra, faktit që …
I am very, very, very proud to be
an American!!!



Tregtarët e At’dheut



Bash perballë meje tallen
Tregtarët e Atë-Dheut.
Ata të dehurit me gjakun
E atyre që duhet t'i kishin vellezër.
E më thonë gjithë ironi: Naive!
E më thonë gjithë kërcenim: Pusho!
E më thonë gjithë urrejtje: Vdis!
Më gjuajnë...!

Bash përballë meje tallen vrasësit
Para klithmave të vëllezërve që duhet
Të ishin edhe të tyre.
Kalojnë shpërfillshëm, na shkelin,
Se u dukemi të padukshëm,
Se u dukemi "turma e asgjë me tepër".

Bash përballe meje tallen pushtat,
Pushtat që tepruan nga pushteti i pushtshëm
E më gjuajnë me urrejtje,
E më gjuajnë me orët e tyre të fundit.
Më thërrasin gjithëfarë emrash që kishin e kanë.
Plasin që s'më bëjnë si veten.
Edhe pse duhet t'i kisha vëllezër,
Edhe pse duhet të më kishin motër.

Bash përballë meje  tallen me lirinë time
Që nuk ma dhanë, që nuk ma japin.
Nëse s'ua marr prej duarsh
Nëse s'ua marr prej  dhëmbësh.
Këta antikrishtë, këta demonianë
Këta zemërgurë,
Që s'e paskan gjë vellanë,
Që s'paska shekull t'i zbusë!!!

Bash përballë meje tallen e me fyejnë,
Që unë t'a qaj para tyre të shkuarën
Dhe, në vend të asaj që me kërkojnë,
U shpall paqen, paqen që s'e meritojnë.
Bash përballe meje, në Kishen e Bostonit
I luten Zotit  për shpirtin e shpirtqenit.
Ligjëruesit të Teqes, një ditë para se te vdiste
I dhurojnë teserën e partisë komuniste!

Bash përballë meje i shikoj,
Se si po cof brenda tyre bisha.
Gjak në vend të lotëve rrjedh e shkuara,
Duke na tepruar disa komunista.

11 Nentor 2008



Në vend të autoportretit


Kam nuhajtje prej maceje.
Nuk di të lexoj  fatin.
Njeriun e lexoj rrjedhshëm!!!
Jam e mirë, ngaqë kam frikë
Dhe përtoj të bëj keq.
Jam hakmarrëse e marrë,
Bindem se, falin vetëm ata që  s'mundin.
Besoj në dashurinë e te vdekurve,
Më shumë ne se në dashurinë e të gjallëve.
(Prindërit e mi më duan edhe në vdekje,
Ndoshta më shumë se më deshën,
Kur qenë këtu me mua , gjallë).
Të gjallët që më duan tani,
Mund të më urrejnë më vonë!
Ashtu siç ka ndodhur të më kenë dashur,
Ata që dikur më kanë urryer!
Ia kam friken zjarrit,
Deri kur kujtohem se dashuroj ujin.
Ma kanë prerë bishtin, që të më thonë Njeri.
Të gjithëve do të na rikrijojë Zoti nga kërrbishtja!
Shoh gjithënjë e më rrallë ëndërra.
Shoh gjithënjë e më shpesh të njëjtën ëndërr.
Shoh ata te dy: Zotin e Djallin,
Teksa luajne shah.
Herë fiton njeri e herë fiton tjetri.
Humbin gjithëmonë, vetëm ushtarët-njerëz.
Dashurinë më të madhe e ndjej për kafshët
(edhe ato që mund të më shqyejnë).
Të vetmit që u bie në gjunjë janë fëmijët
(fëmijët nën moshën 12 dhe mbi moshën 90 vjeç )!
Tradhëtoj ...  në një korrespondencë virtuale
Me engjellin e shiut.
Gjurmët e mia të pafajshme janë lotët
( lotoj gjithnjë e më rrallë.)
E ardhmja ime eshte një utopi!
***
Mara është  gjithëçkaja, për të cilën bëj gjithëçka!
Ime bijë!

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

Komento comment Komentimet (0 të postuar)

Lajmet:

Te gjitha te drejtat e rezervuara