Seksionet
Newsletter
Dua të kyçem tek newsletter (lajmet në e-mail)
Sondazh: Dizajni
Si ju duket pamja e re e faqes?
A ju pëlqehet Artikulli?
(Gjithsej 0 Votime)
Manuali për GAZETARËT e Europës Qendrore dhe Lindore, shkruan se çdo intervistë, reporterët duhet të sigurohen se i intervistuari e di që po flet me një gazetar. “Ata duhet ta dinë se ju jeni duke kërkuar informacion për një shkrim që do të botohet”, shkruan në doracak.Uran Krasniqi
Ai është burimi yt. Në fillim t’i i kërkon që ai të flasë për ty, sepse kur vetë s’je burim ke nevojë për të sikur gjallesa për ajrin. Ai e pranon një gjë të tillë. Më pas ai flet dhe t’i e kryen punën tënde. Kur bashkëpunimi zyrtar është kryer, ti përgatitesh që pjesë që ishin jashtë tij, të cilat edhe mund ta lëndojnë atë, t’i përdorësh në lajmin, raportin, reportazhin etj., tëndin. Shpeshherë ndodh që tendenca të ndryshme për ushtrim të zanatit të gazetarisë, fatkeqësisht të manifestuara edhe në Kosovë, na krijojnë gjendjen sikur më sipër, duke shfrytëzuar frytet e ndaluara të një bashkëpunimi që në fillim ishte i “sinqertë”, duke krijuar ‘spin’ tek publiku: se kjo është gazetaria, por me këtë rast duke bërë shkelje në rrafshin profesional, mëkate në atë njerëzor, aq lëshime në secilin rregullim ekzistues tjetër...
Por a është e pranueshme nga etika gazetare një gjë e tillë? Si e përcakton etika profesionale gazetare bashkëpunimin gazetar-burim? A s’është diçka që e ndalon që gazetari të mos e tradhtojë burimin e tij, që të mos përdorojë elemente që s’ishin brenda bashkëpunimit zyrtar dhe që mund t’i kushtojnë burimit? Nëse po, d.m.th ka rregulla që e ndalojnë, cilat janë ato?
Definitivisht është pandershmëri kur gazetari editon diçka: lajm, raport, reportazh etj., me fjalë, të cilat burimi s’ka pasur njohuri se do t’i plasohen për publikun, apo po ta dinte që ato do t’i shfaqeshin në gazetë, radio, televizion etj., nuk kishte për t’i thënë. Përfundim të tillë prekin gazetarë, kryeredaktorë, studiues… Dikush konsideron që një gjë e tillë – përdorimi i pjesës jozyrtare mund të ngjet në rast se ajo imponohet prej interesit publik, por pa e marrë ndonjë shembull konkret se për çfarë rasti të interesit publik është fjala. Disa libra të gazetarisë, përmbajnë material udhëzues se si duhet të merret gazetari me burimin, por pikërisht çështjen e shtruar nuk e marrin në shqyrtim drejtpërsëdrejti, mbase për arsye të mosbesimit të degjenerimit të gazetarisë deri në atë shkallë në ndonjë vend të caktuar. Duke iu përgjigjur në plotëni temës, pjesa e literaturës që direkt flet për një gjë të tillë, e lufton me mish e me shpirt modelin e gazetaribërjes tinëzare.
… mashtrimi i publikut fillon me mosrespektin ndaj burimit të informacionit
Astrit Lulushi, gazetar te “Zëri i Amerikës” në Washington thotë se njeriu udhëhiqet nga një kod moral a etik, duke e respektuar të cilin, ai i qëndron besnik vetëvetes dhe njerëzve për rreth, shoqërisë. “Gazetaria është profesion që ka si qëllim informimin e publikut. Gazetari është ndërmjetësi midis burmit të informacionit dhe publikut që kërkon të informohet. Ai është si një përçues energjie. Kur gazetari është i mirë, kjo energji shkon në dobi të publikut. Kur gazetari është i paaftë, publikut i shkon shumë pak energji”, shprehet Lulushi. Ai thotë se gazetari i keq, është si përçuesi që shkakton zjarr në rrjetin e elektrik: dëmton burimin, djeg publikun. “Mendoj se gazetari i mirë është ai që respekton burimin, sepse mashtrimi i publikut fillon me mosrespektin ndaj burimit të informacionit", nënvizon Lulushi.
Kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami shprehet se raportimi profesional obligon gazetarin që të përpiqet të marrë komentet dhe përgjigjet relevante nga të gjitha palët e përfshira në një zhvillim a ngjarje që raportohet. “Kjo do të thotë se edhe kur një deklarim është marrë prej një burimi, nëse pas kësaj gazetari ka marrë informata të reja, që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me burimin në fjalë, ai duhet të kontaktojë burimin dhe të marrë komentet shtesë prej tij”, mendon Bajrami.
Ai tregon se ka praktika kur pasi që është kryer raporti, dhe janë përfshirë komentet e deklaratat e burimit, redaktorët kontaktojnë burimin për të vërtetuar nëse ai qëndron prapa deklaratave të dhëna në kontekstin e raportit. “Këto praktika, megjithatë, janë të mundura vetëm te mediat me resurse dhe staf të madh, dhe në vendet ku rregullativa ligjore është e tillë, strikte, që si pasojë e pasaktësive mediat e gazetarët mund të pësojnë dënime të mëdha materiale nga gjykatat”, vë në pah Bajrami. Ai thotë se në ambientet si Kosova, përgjithësisht gazetarët janë të detyruar të mbështen më tepër në mirëbesim, i cili mirëbesim varet nga kredibiliteti i medias. “Kjo tek e fundit edhe e përcakton besueshmërinë dhe profesionalizmin e një mediumi, dhe për këtë arsye në Kosovë është fare e qartë se cilat janë ato media që janë profesionale dhe të cilave u beson opinioni”, shprehet Bajrami.
Për Remzie Shahini-Hoxhajn, studiuese e Etikës së Medias, etika në gazetari nënkupton përgjegjësinë. “Jo rrallë herë në Kosovë në fushën e medias kjo përgjegjësi ju vihet barrë vetëm gazetarëve, mirëpo në fakt këtë përgjegjësi e bartin po aq edhe udhëheqësit e mediave/ pronarët dhe redaktorët, në kuptimin e vet censurimit të informatave që mund të jenë të dëmshme për publikun, si edhe vetë publikut të moshës madhore”, thotë Shahini-Hoxhaj. Ajo ndalet edhe te vetëcensurimi i mediave në Kosovë. “. Shpeshherë shumë media manifestojnë vetëcensurim kur nuk duhet, kurse kur duhet nuk e bëjnë një gjë të tillë. Ka raste kur në shprehje duhet të vjen vetëcensurimi, që do të preferoja ta quaja pozitiv”, shprehet Shahini. Duke u shkoqitur tek raorti gazetar-burim në realitetin kosovar, ajo thiotë se burimi nuk guxon të tradhëtohet me lehtësi aq të padurueshme nga gazetari, pa një interes publik shumë të konstituar. “Shpeshherë ndodh që për të tingëlluar diçka sikur gazetari senzacionale të bëhën edhe sakrifica që s’duhet të jenë të tilla”, vë në shesh Shahini.
Muharrem Nitaj, gazetar nga Prishtina i BBC-së, tregon se disa nga parimet bazë të punës së medias dhe gazetarëve në përgjithësi, janë saktësia, vërtetësia, por edhe ndershmëria. “Kjo d.m.th. se gazetarët jo vetëm që duhet të kanë qasje profesionale, por edhe të ndershme ndaj burimeve që shfrytëzojnë”, shprehet Nitaj.
Ai thotë se është e papranueshme që gazetarët të shfrytëzojnë mjete të fshehta, mikrofonë ose kamera, për të pasqyruar qëndrimin e një pale. “Ka disa rregulla që përcaktojnë se kur eventualisht gazetarët mund të përdorin edhe mjete të fshehta për të realizuar storien e tyre. Kjo domethënë se një gjë e tillë është e lejuar vetëm nëse çeshtjet që trajtohen nga mediat dhe gazetarët, janë të një rëndësie të jashtzakonshme për publikun, ose për sigurinë e tij. Aq më pak është e lejuar që të përdoren pjesë të tjera, jashtë intervistës zyrtare ose nga ajo që me gjuhën e medias quhet ‘of the record’”, mendon Nitaj, duke qenë në linjë të njëjtë me Shahini-Hoxhajn. Ai thotë se gazetarët pos që kanë përgjegjësi për vërtetësinë e lajmit, për trajtimin dhe qasjen profesionale e të paanshme, duhet të janë të obliguar që të janë të ndershëm edhe ndaj burimeve të tyre.
Nevoja e miratimit për t’u cituar
Duke u shprehur për “stop”-in e gazetarit, në mënyrë që të mos kthehet në tradhëtar para burimit, Lulushi, mendon se vetë fjala "bashkëpunim" lë të kuptohet se përgjegjësi për lajmin që do t'i përcillet publikut mban si gazetari edhe zëdhënësi i burimit. “Nëse zëdhënësi tregohet i pakujdesshëm e thotë gjëra që s'duhet, ai mbetet i zbuluar e në ‘mëshirë’ të gazetarit. Nga ana tjetër, kur gazetari vërtetë udhëhiqet nga qëllimi fisnik për informimin sa më saktë të publikut, ky gazetar tregohet i kujdesshsëm për të mos e ngarkuar njoftimin e tij me efekte, të cilët megjithëse duket sikur tërheqin publikun, në fakt e largojnë vëmendjën e tij nga thelbi a përmbajtja e lajmit’”, thotë ky gazetar i “Zërit të Amerikës”.
Bajrami thotë se në përgjithësi, për çdo citim është i nevojshëm miratimi prej burimit të cituar. “Në raste të caktuara ai citim bëhet me kusht anonimiteti. Në raste tjera citimi është me identifikim të burimit. Secila formë përdoret, vendoset përmes marrëveshjes mes gazetarit dhe burimit, ndërkohë që redaktori ka të drejtën të prishë marrëveshjen, por jo edhe të botojë shkrimin në kundërshtim me vullnetin e burimit. Pra, në praktikë, nëse gazetari merret vesh që të citoj një deklarim të një burimii me kusht anonimiteti, redaktori ka të drejtën që të mos e botojë deklaratën në fjalë, nëse e vlerëson të padrejtë apo të papërshtatshme dhënien e anonimitetit për burimin në fjalë”, thotë ai, duke treguar se një gjë e tillë presupozon se redaktori ka të drejtë të dijë cili është burimi edhe kur është anonim. “Por, redaktori parimisht nuk ka të drejtë të botojë deklarimin e burimit, duke e identifikuar atë, nëse burimi ka folur vetëm me kusht të anonimitetit”, precizon edhe më tutje Bajrami. Ai thotë se marrëveshjet e tilla mes gazetarit dhe burimit janë marrëveshje parimore, por pa konsekuenca ligjore, me të cilat vetëm besohet, apo shpresohet se burimi jep informata të sakta, por nuk ka garanca se ato janë të tilla, dhe se gazetari do tu përmbahet marrëveshjeve për kushtet në të cilat ato informata janë dhënë.
“Por, nuk duhet harruar se gazetari dhe media kanë përgjegjësinë më të madhe për t’iu përmbajtur marrëveshjeve, meqë në publik është kredibiliteti i tyre ai që vihet më shumë në peshore, dhe jo i burimit të deklaratës apo informatës – qoftë ai anonim apo edhe i identifikuar”, shprehet Bajrami. Ai tregon se vende të ndryshme kanë praktika të ndryshme. “Një prej praktikave kontraverse që përdoren në shumë vende apo prej disa mediave, e që e theksojnë problemin e botimit të një deklarimi pa pajtimin e burimit, janë incizimet e fshehta, apo informatat e marra nga gazetari që nuk prezantohet si gazetarë. Pra, këndvështrimet janë të ndryshme rreth etikës profesionale në këso raste, andaj edhe praktikat dallojnë prej vendit në vend, prej shoqërisë në shoqëri, dhe prej medias në media”, shprehet Bajrami.Për Shahini-Hoxhajn, etika e medias iu referohet normave në bazë të cilave pastaj gazetarët informojnë. “Këto norma shpeshherë janë të pashkruara, dhe varen nga vet përgjegjësia individuale e gazetarëve, prandaj me të drejtë gazetarët quhen ‘roje të portës’, sepse ata janë të parët që vëjnë prioritetet e të qenit një informatë lajm”, shprehet Shahini. Ajo thotë se detyrë parësore e çdo gazetari është informimi i drejtë dhe i saktë duke u bazuar në fakte.
Nitaj tregon se si mediat serioze kanë rregulla strikte edhe për bashkëpunimin gazetar-burim, ose për trajtimin e burimit. “Në fakt është e patolerueshme që gazetarët të bëjnë pyetje sugjestive me qëllim që t’i fusin në grackë bashkëbiseduesit e tyre. Kjo cilësohet si trajtim i pandershëm i burimeve. Gazetarët mund të janë të drejtpërdrejt dhe të pakompromis me pyetjet e tyre, por jo edhe të pandershëm. Çdo bisedë jashtë pjesës së punës, konsiderohet si pjesë e privatësisë së individëve/burimeve dhe gazetari nuk ka të drejtë të cenojë privatësinë e askujt”, thotë ai. Nitaj shprehet se kur gazetarët marrin për obligim që të ruajnë identitetin e burimit, ata janë të detyruar që të mos e zbulojne atë. “Kodi i etikës lejon që gazetarët, në raste të caktuara, të mos i zbulojne burimet e tyre. Ajo që i obligon gazetarët është që ata të kenë dëshmi për saktesinë e lajmit që e kanë marrë nga burimi i cili për arsye të ndryshme ka preferuar të jetë anonim. Gazetarët kanë mundësi që të mos e zbulojnë burimin e informacionit, deri në momentin kur çështja për të cilën kanë shkruar, mund të kalojë në gjyq”, shprehet Nitaj. Ai tregon se në një situatë të tillë, gazetari është i obliguar me ligj që të bashkëpunojë me organet e drejtesisë. “Këto të fundit për çeshtje sigurie të burimit, mund të vendosin nëse do ta zbulojne ose jo identitetin e burimit”, thotë Nitaj.
“Nëse e ke jozyrtare as unë nuk dua ta dëgjoj”
Manuali për GAZETARËT e Europës Qendrore dhe Lindore, shkruan se çdo intervistë, reporterët duhet të sigurohen se i intervistuari e di që po flet me një gazetar. “Ata duhet ta dinë se ju jeni duke kërkuar informacion për një shkrim që do të botohet”, shkruan në doracak. Në faqet e manualit rekomandohet që reporterët është mirë t’ia thonë personit menjëherë: Nëse e ke jozyrtare as unë nuk dua ta dëgjoj. “Ka njerëz që, të trajtuar jo ndershmërisht nga reporterë të tjerë, tani nuk i zënë besë asnjë gazetari. Kjo pengesë mund të kapërcehet vetëm me përpjekje. Pra secili duhet ta krijojë një emër të mirë, për sa i përket ndershmërisë dhe aftësisë profesionale”, thuhet në doracak. Aty shkruan se një reporter nuk duhet të përdorë kurrë metoda për të cilat do të turpërohej, po të bëheshin të dituara në publik. “Regjistrimi me magnetefon të fshehur, paraqitje me emra të tjerë mashtrues, keqinterpretimi i qëllimshëm, mërzitja e tjetrit me pyetje, gënjeshtra, nxjerrja e informacionit me të holla apo mënyra të tjera të pandershme, janë mënyra të ulëta dhe të neveritshme për shumicën e njerëzve. Ato hedhin dyshime si për etikën dhe besueshmërinë e gazetës, ashtu edhe për cilësinë e informacionit të botuar”, shkruan në manual. Etikë gazetare me të drejtën e medias, për të cilin është përkujdesur Blerim Reka, në kuadër të kreut Kodi i Etikës gazetare te pika 4., flet se regjistrimi i fshehtë është i ndaluar. “P.sh. nëse e monton diktafonin për incizim dhe pastaj e publikon”, shkruan më tutje aty.





Politikë
Publicistike


