Provinca Françeskane Shqiptare në këto vitet e fundit filloi nji projekt të madh për nxjerrjen në dritë të gjithë veprave të shkrimtarve françeskan. Ket projekt mund ta quejm edhe si nji rilindje të kulturës shqiptare dhe françeskane në Shqipni. Të gjitha këto vepra që janë në themel të kulturës shqiptare kjen anatemue për gati nji gjysëm shekulli nga regjimi komunist. Tue i botue per here të parë ose edhe ribotue këto vepra lexuesi mund të njihet me zhvillimin e letersis, gjuhësis, historis, etnografis dhe folklorit shqiptar. Nji meritë të madhe për kët iniciativë ka At Zef Pllumi. Shumë herë e përseriste iden dhe projektin e tij për botimin e ktyne veprave. Më në fund ja arriti kësaj dëshire të madhe. Në vjetin 2005 sëbashku me Provincialin e asaj kohe Át Ndue Gashi filloi botimin e kolanës së shkrimtarve françeskan. Kolana do të përfshije ma shum se 100 vepra të botueme vite ma parë ose edhe shumë vepra që janë në dorëshkrime dhe që presin ditën e botimit.
Kolanën e kemi pagzue:
«BIBLIOTEKA FRANÇESKANE “ÁT GJERGJ FISHTA” KOLANA E SHKRIMTARVE FRANÇESKAN»
Ky asht edhe projekti i Kolanës tonë:
PROJEKTI I KOLANËS SË SHKRIMTARVE FRANÇESKANË
PIONERET
Fra Pali i Hasit (botue në veprën e Budit) Fra Francesco Maria da Lecce vj.1700 Fra Francesco M. Rossi P. Tom Marcozzi Át Leonard de Martino Pater Gjergj Fishta (opera omnia) Át Shtjefen Gjeçovi (opera omnia) Át Pashko Bardhi Át Pal Dodaj Át Marin Sirdani Át Vinçenc Prendushi Át Anton Harapi Át Ambroz Marlaskaj Át Justin Rrota (opera omnia) Át Martin Gjoka (Kompozime muzikore) Át Bernardin Palaj (opera omnia) Át Donat Kurti (opera omnia) Át Antonin Fishta Át Benedikt Dema (opera omnia) Át Gjon Shllaku Át Jakob Marlekaj (opera omnia) Át Paulin Margjokaj (opera omnia) Át Viktor Volaj Át Danjel Gjeçaj Át Vinko Malaj
Me kët kolanë na duem të paraqesim kontributin kultural, artistik e shoqnor që Provinca Françeskane Shqiptare ose ndryshej Françeskanët shqiptarë i kanë dhanë zhvillimit e perfeksjonimit të studimeve shqiptare dhe letërsisë së Kombit. Besoj se ky kontribut jo vetëm që nuk asht i paktë por thuej asht deçiziv e ka mbërrijtë kulmet e kulturës shqiptare. Si do t’ia mbërrijmë këtij projekti? Me ndimen e Zotit dhe të miqve. Kur thomi «me ndimë të Zotit e të miqve» nenkuptojmë se duhet nji kohë mjaftë e gjatë, nji punë shum e madhe perveç nji fondi financiar jo të vogël. Për si mendojmë na kjo do të jetë kolana ma e madhe që paraqitet në gjuhen shqipe e cila përmban përveç letersisë e folklorit edhe studime gjuhsore, historike, filozofike shoqnore e artistike. Me kët rasë të fillimit të kësaj kolane u bajmë thirrje të gjithë miqve të françeskanve shqiptarë që të na ndimojnë me dokumenta, dorëshkrime, e studime në kët nisjativë të madhe për kulturen shqiptare. Së pari po e fillojmë kët kolanë me françeskanët që u mueren me studime folkloristike si P.Bernardin Palaj P.Donat Kurti, P.Vinçenc Prendushi mandej me studiuesit e gjuhës shqipe si P.Justin Rrota etj. Përfundoj me nji thanje të P. Anton Harapit që e shpreh kjartë qellimin e kësaj kolane “Per nji Zot të vertetë dhe nji Shqypní të lumtun”.