Njezet vjet me pare

Seksionet

Arkivi

He Ma Enj Pr Sht Di
1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031

Newsletter

Dua të kyçem tek newsletter (lajmet në e-mail)

Sondazh: Dizajni

Si ju duket pamja e re e faqes?

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

A ju pëlqehet Artikulli?

(Gjithsej 1 Votime)
Madhësia e shkronjave Decrease font Enlarge font
image

Libri dhe demostrat që shqetësuan diktaturen në Tiranë dhe misionarët e tyre në New York

Gjekё Gjonlekaj*

New York 

Pasi Bashkimi Sovjetik kishte shuar me gjak dy kryengritje antisovjetike dhe antikomuniste nё Evropёn Lindore, ishte vёshtirё tё pёrgatitej nje revolucion i tretё. Njё fjalё e urtё poullore thotё: “E treta e vёrteta”. Kёshtu ndodhi, sepse sindikata polake, Solidarnost filloi lёvizjen e tretё kundёr sistemit komunist tё vendit dhe kundёr Bashkimit Sovjetik. S’ka dyshim se kёtё lёvizje e ndihmoi shumё  Papa Gjon Pali i Dytё dhe Shtetet e Bashkuara. Nё kёtё periudhё Presidenti Reagan kishte filluar kryqёzatёn antikomuniste.

Bashkimi Sovjetik kishte pushtuar Afganistanin dhe atje nё malet afgane po shembej “perandoria e djallit”. Pёrveç lёvizjes polake Solidarnaostit  Evropa Lindore ishte e qetё deri nё pranverёn e vitit 1981, kur nё Kosovё filloi kryengritja anti-jugosllave pёr liri. Polonia dhe Kosova ishin nё qendёr tё vёmendjes ndёrkombёtare. Natyrisht se lёvizja Solidarnost kishte mbёshtetje mё tё madhe nga Perёndimi. Por, edhe aspiratat e Kosovёs filluan tё merren nё shqyrtim nga analistёt perёndimore. Luftёtaret afganё, antikomunistёt polake dhe patriotёt shqiptarё tё Kosovёs shpartalluan Perandorinё sovjetike dhe miniaturёn e saj Jugosllavinё. Pa rёnien e Bashkimit Sovjetik, nuk do tё shёmbej Jugosllavia.  

Dy dekadat e fundit tё shekullit tё shkuar ishin vendimtare edhe pёr shqiptarёt. Prej prillit tё vitit ‘81 e deri nё prill tё vitit ‘85 nё tokёn arbёrore u zhvilluan ngjarje tё mёdha. Filloi kryengritja e Kosovёs, u vranё vёllazёrit Gёrvalla e Kadri Zeka, u vra Mehmet Shehu dhe vdiq Enver Hoxha. Ngjarje paralajmёruese pёr ndryshime kolosale nё Shqipёri dhe nё Kosovё. Nё diasporё u bёnё pa ndёrprerje protesta pёr lirinё e Kosovёs, por asgjё kundёr diktaturёs nё Shqipёri.

Propaganda komuniste shqiptare ishte pajtuar me njё pjesё tё mёrgatёs nё Evropё dhe nё Amerikё. Misioni i Shqipёrisё nё Kombet e Bashkuara nё New York punonte natё e ditё pёr tё penguar çdo veprimtari kundёr regjimit nё Shqipёri. Ata kishin lidhje tё ngushta me shumё klube e shoqata shqiptare tё Amerikёs, bile edhe me disa intelektualё tё arratisur nga Shqipёria, tё cilёt atje kishin qenё antikomunist dhe tё burgosur. Disa nga  kёta intelektualё hoqёn dorё nga demonstratat dhe protestat. Pёlqenin mё shumё heshtjen,  ose bashkёpunimin me pёrfaqёsusit shqiptarё nё OKB. Njё arsyetim tjetёr i tyre ishte  se tani ёshtё koha tё veprojmё  pёr Kosovёn dhe tё mos nakatosem nё punёt e  Shqipёrisё.

Misioni komunist  shqiptar nё New York mbёshtetej fuqishёm nga njё pjesё e madhe e shqiptarёve tё Kosovёs, tё Malit tё Zi dhe tё Maqedonisё. Ata hynin e dilnin nё Misionin e Shqipёrisё si nё shtёpinё e tyre. Me ndihmёn e kёtyre shqiptarёve arritёn tё paralizojnё çdo veprimtari kundёr diktaturёs nё Shqipёri. Sё bashku me pёrfaqёsusit e diktaturёs nё New York shpalosnin flamurin me yll kudo, nё demonstrata nё dasma dhe nё vdekje. Flamuri shqiptar me yll ishte bёrё mollё sherri nё Amerikё.  Prej vitit 1972, kur u pushkatua At.Shtjefёn Kurti e deri nё vitin 1986, shqiptarёt e Amerikёs nuk bёnё asnjё protestё para Misionit tё Shqipёrisё nё Kombet e Bashkuara. Pёr pothuajse 15 vjet nuk u bё asnjё aktivitet serioz antikomunist. Nё demonstratёn antikomuniste tё vitit 1986, qё filloi para Konsullatёs jugosllave nё Manhattan, erdhёn shumё shqiptarё nga Kosova dhe vise tё tjera shqiptare nё Jugosllavi, por nё rrugё e sipёr drejt Misionit komunist tё Shqipёrisё, ata braktisёn radhёt tona. Protestёn tonё para Misionit tё Shqipёrisё nё New York e quajtёn tradhёti kombёtare. Ata bёnё shumё aktivitete pёr Kosovёn. Edhe afrimi i tyre me kongresmenin Joseph Dio Guardi ishte i suksesshёm pёr qёllimet e tyre. Me fushatat dhe financat e mёdha bёnё shumё miq nё Kongres dhe ne Senatin amerikan. Tё gjitha keto lidhje i kanalizuan pёr lirinё e Kosovёs. 

Deri nё fund tё vitit 1989 pёr Shqipёrinё nuk flitej fare. Ishte lёnё pas dore. Por, revolucioni nё Evropёn Lindore paralajmёronte ndryshime nё Shqipёri. Rёnia e Murit tё Berlinit dhe Masakra e Çausheskut dhanё sinjale tё fuqishme pёr ndryshime nё Shqipёri. Shumё organizata amerikane filluan veprimtari serioze pёr gjendjen politike nё Shqipёri.  

Njё prej tyre ishte botimi i librit me titull: “Tё drejtat e njeriut nё Republikёn Socialiste tё Shqipёrisё”. Kёtё vepёr tepёr tё rёndёsishme pёr gjendjen nё Shqipёri e pёrgatiti Kёshilli Ndёrkombёtar i Avokatёve tё Minesotёs pёr tё Drejtat e Njeriut. Nё kёtё libёr u botua njё histori e shkurtёr e Shqipёrisё. Ekspertёt e tё drejtave tё njeriut biseduan  me 49 shqiptarё tё arratisur nga Shqipёria. Ata dёshmuan pёr shkeljen brutale tё tё drejtave tё njeriut. Ata i dhanё kёto dёshmi nё konfidencё tё plotё, sepse familjarёt e tyre nё Shqipёri mund tё kishin pasoja. Pothuajse tё gjitha rrёfimet e tyre janё  botuar me iniciale. Pёrshkrimet e tyre janё tragjike, trishtuese e rrёnqethёse. Unё personalisht kam qenё pёrkthyes pёr disa shqiptarё tё arratisur nga Shqipёria. Rrёfimet e zotёri Mark Tinaj nga Kelmendi ishin njё dёshmi e gjallё, por tepёr rrёnqethёse pёr intervistuesin amerikan dhe pёr mua si pёrkthyes. Zotёri Mark Tinaj dha njё kontribut tepёr tё rёndёsishёm  pёr botimin e kёtij libri. Familja e tij, sidomos prindёrit e kishin pёsuar rёndё, si pasojё e arratisjes sё tij, ata u dёrguan nё internim. 

Libri “Tё Drejtat e Njeriut nё Shqipёri” doli nga shtypi nё Janar tё vitit 1990. Hyrjen e shkroi Walter Mondale, nёnpresident i Shteteve tё Bashkuara nё Administratёn e Jimmy Carter, qё njihet botёrisht si arkitekt i tё drejtave tё njeriut. Nё hyrje tё kёtij libri, zotёri Mondale thotё: “Nё vrullin e vazhdueshёm tё pёrpjekjeve pёr liri nё Evropёn Lindore, Shqipёria siç duket ёshtё krejtёsisht e patrazuar nga lёvizja pёr demokraci. Ky vend ёshtё njё  bastion i shtypjes sё brendshme dhe vetizolimit nga ndikimet e huaja. Shqipёria ёshtё lёnё pas dore pёr 40-vjetё dhe mund tё vazhdojё njё gjendje  e tillё,  pavarёsisht valёs sё ndryshimeve nё Evropёn Lindore. Organizata pёr tё Drejtat e Njeriut duhet tё pёrqёndrojё vёmendjen botёrore pёr ndryshimin e fatit tё popullit shqiptar”, shkruan Nёnpresidenti amerikan, Walter Mondale.  

Pёr kёtё libёr, me 21 janar 1990, gazeta “The New York Times” botoi njё recension tё gjerё. Vlen pёr tё theksuar se, nё atё Kёshill, bёnin pjesё 800 avokatë amerikanё dhe ndёrkombёtar. Recensionin me titull: ”Nje grup amerikanёsh akuzojnё shqiptarёt se po shkelin liritё themelore tё njeriut”, u komentua shumё nga rrjetet radio-televizive amerikane.Nёntulli i kёtij recensioni thotё: “Pas vdekjes sё Enver Hoxhёs nё vitin 1985, nё Shqipёri vihet re njё lloj qetёsimi”. Zyrat e larta politike dhe diplomatike tё Shteteve tё Bashkuara e morёn kёtё vepёr si dokument informativ dhe pikёnisje pёr ndryshime nё Shqipёri. Kryetari i kёtij Kёshilli, James E.Dorsey i  kishte dёrguar me 26 prill 1989  njё letёr, qё ishte mё shumё ultimatum shumё tё ashpёr Sekretarit tё Parё tё Partisё sё Punёs tё Shqipёrisё, Z.Ramiz Alia. Barbara Frey, Drejtore Ekzekutive e kёtij Kёshilli, gjithashtu dёrgoi letra protestuese Ramizё Alisё nё Tiranё dhe Bashkim Pitarkёs, ambasador i Shqipёrisё pranё OKB nё New York. Me zonjushёn Frey kemi bashkёpunuar pёr vite tё tёra. Ishte shumё e shqetёsuar pёr shkeljen e tё drejtave tё njeriut nё Shqipёri, sidomos pёr liritё fetare.  ” 

Po nё atё faqe tё gazetes “The New York Times” u botua atё ditё njё shёnim tjetёr me titull: “800 shqiptarё protestojne para Misionit tё Shqipёrisё nё Kombet e Bashkuara. Demonstruesit shqiptarё thonё se  tani nga vendet e Evropёs Lindore e ka radhёn tё bjerё qeveria komuniste e Shqipёrisё.  Gazeta nё fjalё shkruan, se kjo ёshtё demonstrata më e madhe, qё mund tё jetё organizuar ndonjёherё para Misionit tё Shqipёrisё nё Kombet e Bashkuara.

Me 20 janar qё ishte ditё e dielë, shqiptarёt protestuan gjithё ditёn kundёr diktaturёs nё Shqipёri. Protesta ishte serioze dhe pjesmarrja e shqiptarёve nga tё gjitha vendet e Amerikёs. Dёgjoheshin brohoritjet: “Poshtё diktatura!”, ”Poshtё Partia e Punёs!”. Ishte shumё kurioze  parulla “O Ramiz,  Ramiz Alia,  mos dёgjo çka tё thotё Nexhmia”. Kёtё e kishin pёrgatitur disa djemë tё arratisur nё atё kohё  nga Shqipёria. Nё kёtё demonstratё morёn pjesё edhe intelektualё tё shquar shqiptarё, midis tyre Profesor Arshi Pipa. Parullat, brohoritjet dhe disa pjesё tё fjalimit tё Arshi Pipёs i transmetuam nё emisionin e “Zёrit tё Amerikёs’. Bёnja  pjesё nё organizim dhe radiotransmetim tё kёsaj demonstrate. Pothuajse tё gjitha kanalet televizive tё New York-ut transmetuan reportazhe tё gjatё pёr kёtё ngjarje tё Komunitetit shqiptar-amerikan. Kjo protestё  i tronditi diplomatёt shqiptarё dhe bashkёpunёtorёt e tyre. Menjёherё filluan fushatёn pёr tё penguar ndonjё demonstrate tjetёr tё mundshme. Ata dhe bashkёpunёtorёt e tyre bёnin telefonata nёpёr familjet shqiptare, qё t’i denoncojnё demonstruesit.

Ndёrtesa e Misionit tё Shqipёrisё nё New York ishte e rrethuar me kangjella tё lartё, qё dukej si nje burg. Njё oficer i policisё amerikane tha se ky ishte misioni diplomatik me sekret nё New York.Tё gjithё diplomatёt dhe personeli qёndronin atё ditё tё mbyllur. Mund tё vёrehej ndonjё lёvizje e vogёl  e perdeve dhe kurrgjё mё shumё. Disa demonstrues shqiptaro-amerikanё treguan zemёrim tё madh. Poteren mё tё madhe nё kёtё demonstratё e bёri Nikё Mernaçaj, i cili humbi jetёn dy ditё mё vonё, ndёrsa po kthehej nga njё demonstratё tjetёr antikomuniste nё Detroit. Komuniteti shqiptar antikomunist i Amerikёs e qau me lot kёtё martir tё demokracisё.  

* autori ish gazetar i “ Zërit te Amerikës”

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

Komento comment Komentimet (0 të postuar)

Lajmet:

Te gjitha te drejtat e rezervuara