Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare dhe Shqipëria do të bëjnë çdo përpjekje për të ndihmuar me të gjitha mundësitë, për të kontribuar si për njohjen ndërkombëtare të këtij shteti të lirë, ashtu edhe për integrimin dhe të ardhmen e përbashkët evropiane. Kryeministri Berisha ishte i ftuar sot në mbrëmje në ceremoninë e organizuar nga ambasadori i Kosovës në Tiranë, zoti Gazmend Pulaj, me rastin e përvjetorit të dytë të pavarësisë së Kosovës. Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin ZV/Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, zoti Ilir Meta, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, ambasadori i SHBA-ve, zoti John Withers, përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik, përfaqësues të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, si dhe të ftuar të tjerë.Duke e cilësuar ditën e pavarësisë si një ditë të madhe për mbarë kombin shqiptar, për Ballkanin dhe Evropën , Kryeministri Berisha iu drejtua me një përshëndetje vëllazërore udhëheqjes politike të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj. Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare dhe Shqipëria do të bëjnë çdo përpjekje për të ndihmuar me të gjitha mundësitë, për të kontribuar si për njohjen ndërkombëtare të këtij shteti të lirë, ashtu edhe për integrimin dhe të ardhmen e përbashkët evropiane.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri u shpreh:
“Së pari dëshiroj tu përcjell një përshëndetje vëllazërore udhëheqjes politike të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, në këtë ditë të madhe për qytetarët e Kosovës, për kombin shqiptar, për Ballkanin dhe mbarë Evropën. Pavarësia e Kosovës përbën një ngjarje, e cila bëri të lirë një komb që sakrifikoi në mënyrë të jashtëzakonshme për liri dhe dinjitet. Pavarësia e Kosovës bëri më të lirë se kurrë gadishullin e Ballkanit, popujt e të cilit gjatë 130 viteve të fundit përjetuan konflikte te egra, luftëra ndëretnike, luftëra civile e spastrime etnike, kurse Kosova në 130 vjet me radhë ishte vetëm djepi i përpjekjeve të mëdha të shqiptarëve, për liri, dinjitet njerëzor e pavarësi. Në Kosovë luftërat vazhduan nga 1878 deri në 1999, por që të gjitha të drejtuara, të frymëzuara, të udhëhequra, vetëm nga ideale të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor.Qytetarët e Kosovës me sakrifica mbinjerëzore, me ndihmën e miqve të mëdhenj, SHBA-ve dhe kudo në botë ia dolën të shpallin shtetin e tyre të pavarur. Ata faktuan atë që pati deklaruar shumë vite më parë, senatori Ted Kenedi se “Ëndrra nuk vdes kurrë”. Ëndrra e qytetarëve të Kosovës u bë realitet. Kosova është sot vendi i qytetarëve të lirë, vendi ku qytetarët me prejardhje të ndryshme etnike jetojnë më në paqe, më në harmoni se kurrë në 130 vitet e fundit, vend i cili po ndërton institucione demokratike, po bën përpjekje të mëdha për një zhvillim ekonomik e social dhe njohje ndërkombëtare.Në këtë 2 vjetor të cilin qytetarët e Kosovës e festojnë me suksese të mëdha, të gjithanshme, unë dua tu premtoj atyre se qeveria shqiptare dhe Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje për të ndihmuar me mundësitë që kemi, për të kontribuar si në njohjen ndërkombëtare të merituar të këtij shteti të lirë, pa të cilin paqja në Ballkan nuk mund të arrihej kurrë, ashtu edhe për integrimin dhe të ardhmen tonë të përbashkët evropiane.
Edhe njëherë gëzuar, ju zoti ambasador, përfaqësuesve të Kosovës këtu dhe të gjithë qytetarëve të vendit tuaj.
Ju faleminderit!"




Politikë
Publicistike
Libra të rinj


