Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
Zyhdi Morava
Hëm! U bë gati një orë që ju dëgjoj të shani gratë. U ngarkoni të shkretave aq e aq faje dhe vetë përpiqeni të dilni të larë, pa kuptuar se në fajet e tyre
keni pjesën tuaj. Sa dopio u bënë? Dhe prapë grate! Shumë volle kundër tyre ti, Maks, dhe sytë të mbetën të gjunjët e zbuluar të asaj vajzës ulur te tryeza përballë. Si the, si? Te vështrimi yt është dëshira që ka etje, që do të pijë dhe sytë i rrinë te një shishe konjaku? Shuarje etjeje? Vetëm kaq? Jo, miqtë e mi, jo, s’mund t’ju dëgjoj më.
Asnjëri prej jush s’ka qenë në burg. Fat për ju. Asnjëri prej jush s’e ka njohur urine. Gjynah që s’e njihni! Uria është mrekulli, sepse, sapo e shuan atë, mendon se jeta është fort e bukur! Vështrojeni femrën si të doni, s’ka rëndësi, unë e shoh si liri. Po, femra është sinonim i lirisë.
Mes malesh të lartë ngrihej kampi i të burgosurve. Poshtë maleve, në fund, rridhte një përrua që verës thahej. Përrua i shteruar është shpirti i burrit pa gruan. Mbi kokat tona, disa hektarë qiell ndërronin ngjyrë sipas stinës. Ndërsa brenda telave me gjemba vetëm burra, burra, burra kokëqethur. Të rinj, të pjekur, të moshuar, pleq. Sy meshkujsh plot zjarr, të qetë, ëndërrimtarë, të platitur, të plakur, me sklepa. Koka dhe sy mashkullorë, që, duke i parë çdo ditë ndieje të të thahej e të ronitej ajo kënga e bukur e dashurisë për jetën, të cilën ta ndez e ta harlis prania e femrës.
1200 meshkuj, 1200 koka të qethura, 2400 sy mashkullorë, 1200 pantallona, 2400 këpucë burrash…burrash…burrash… Edhe malet, edhe qielli qenë mashkullorë. Edhe ajri vinte era mashkull…Dhe vazhdimisht, tej telave me gjemba, bariste zbathur, flokëshpleksur, fustangrisur, e bukura dhe e dashuruara prej të gjithëve: LIRIA.
Zgjatnim buzët, zgjatnim duart e gishtrinjtë e dëshirave ta përkëdhelnim e ta puthnim që të harronim sadopak burgun, por dhe gishtat e dëshirave, edhe duart, edhe buzët, na përgjakeshin nga telat me gjemba dhe nga vështrimi i ftohtë e mashkullor i ushtarit që rrinte në vendrojë.
Pa le kur vinte vjeshta! Era sillte prej malit përballë aromën e këndshme të një bime, që, deshe s’deshe, të kujtonte shijen e verës dhe të zgjonte me forcë e këmbëngulje dëshirën për praninë e femrës. Në një ditë të tillë, me një diell të grisur nga telat me gjemba, i thashë mikut tim:
- Më vjen të ulërij.
- Edhe mua, – tha ai.
Prej akacies në oborr pikonin fletët e verdha, të vogla, si gjuhëza flake.
- Si ditët tona, – i thashë.
- Që na shkunden nga pema e jetës, - plotësoi ai.
- Kot, - vazhdova, - pa kuptim.
- Pa dashuri, - tha zemërhekur ai- tmerr, pa dashuri!
E pashë me dhimbje atë djalë simpatik. Një vajzë që kishte patur, prej kohësh nuk i shkruante më. Natën vonë e dëgjova të ngashërehej. Flinim pranë. U ktheva andej. Pat rënë përmbys, i dridheshin supet.
- S’qajnë burrat, - i thashë duke e shkundur nga supet.
-Mos përdor të tilla shprehje idiote,- tha duke kthyer nga unë sytë e përlotur, kam parë të qajnë drurët prej vetmisë, e jo madje njeriu. Jo, jo, me lotët e mi s’qan burri. Një javë më parë, e pe vetë, më mbajtën tri orë në pranga sepse kundërshtova policin. M’i shtrënguan ato pranga deri në fund. Më dhimbinin kockat, m’u enjtën, e prapë s’qava. Përkundrazi, buzëqeshja. Këta lot që sheh s’janë të burrërisë sime, po të shpirtit tim. Më qan dashuria, dashuria e munguar, e uritur...
- Fli –i thashë- dhe bëj dashuri në ëndërr.
Ai psherëtiu dhe s’foli më.
Ca ditë më pas, e diel qe, një diel e përkëdhelur, e zbutur nga drita e diellit, ndërsa rrija shtrirë në shtratin tim të drunjtë, me duar nën kokë e me mendjen larg, tek dashuria ime, të cilën s’e pata parë prej një muaji, dëgjova zërin e mikut tim që më thërriste prej oborrit. Ç’kishte ai?
Ndërkaq, u shfaq në derë e më bënte shënjë me dorë me duar e me sy. Me ata sy që i vezullonin me një ndriçim që nuk ia kesha parë deri atë çast.Qe aq entuziast e dukej aq i gëzuar sa, një çast, mendova se mund të ishte hapur dera e burgut dhe, o burra, kush të hidhej në krahët e lirisë. Shkova pranë dritares së hapur, atje ku rrinte ai.
-Vështro, - më tha- e ndeu krahun.
Tej telave me gjemba e syve të ftohtë të ushtarit, tek udhëza që shkonte bri përroit thuajse të tharë, ato çaste po kalonte një vajzë e veshur ndryshe nga malësoret, me fustan të hollë e të freskët, mëngëshkurtër. Qe e gjatë, e re, me gërshetë të zi, e vetëdijshme për rininë, bukurinë, për lirinë e saj . Dhe më të vetëdijshëm atë qendrim e bënin 2400 sy që patën dalë në oborr dhe hidhnin përmbi vajzën dritën e shprtrave të etur për dashuri, për grua.
Pas pak u fsheh te kthesa. 1200 shpirtra psherëtinë. Edhe imi. Qe femra që kaloi aq pranë dhe na rrëmbeu mendimin,
Dhe për aq kohë sa ndenja atje, dy herë në ditë, në mëngjes e pasdite vonë, ajo do të kalonte tek udhëza bri përroit, e ne, të burgosurit, kokëqethur, veshur të gjithë njëlloj, me sytë plot zjarr, ëndërrimtarë a të qetë, me sy të shuar a të lodhur, të mplakur e me sklepa, e thithnim, deheshim, hutoheshim, harronim vuajtjen, jetonim lirinë! Me sytë tanë bashkoheshin edhe ata të ushtarit në vendroje.
Cila qe? Si quhej? Ç’ëndrra kishte? Ç’dëshira?
Kurrë s’e mësuam. Dhe s’na duhej. Herë pas here kthente kokën nga ne dhe buzëqeshte. Na buzëqeshte ne, të burgosurve, të gjithëve...
Dhe një mbrëmje, buzëdimri, kur pëgatiteshim të flinim, miku im, befas, tha me zë të lartë:
- Unë e dua atë.
- Edhe unë, - tha fqinji tjetër.
- Edhe unë, - tha dikush me rrëmbim.
- Edhe unë, - tha një poet.
- Edhe unë,- tha një plak.
- Edhe unë!...
Dhe tani, ju lutem, mos e shani më femrën! Të paktën, në sytë e mi mos e shani!





Politikë
Publicistike


