Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?

3 qershor 2009
Budva, Mal i Zi
Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Mal të Zi për të marrë pjesë në punimet e Forumit Rajonal për Korridorët Kulturorë në Evropën Juglindore “Administrimi i Shumëllojshmërisë Kulturore dhe Promovimi për qëllime turistike”, Presidenti Topi zhvilloi edhe një takim dypalësh me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç.
Në këtë takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe mes dy vendeve tona si dhe u shpreh vullneti politik për intensifikimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellta duke rritur dhe zgjeruar sidomos marrëdhëniet dhe shkëmbimet ekonomiko-tregtare dhe ato në kuadër të bashkëpunimit rajonal me synim integrimin e përbashkët në strukturat euro-atlantike dhe në gjirin e familjes së madhe evropiane.
Të dy presidentët ndanë mendimin e përbashkët se vizitat e takimet e nivelit të lartë të zhvilluara kohët e fundit, si dhe kontaktet e rregullta kanë pohuar këto qëndrime, si shprehje e vullnetit të për marrëdhënie të mira ndërmjet dy vendeve e për t’i shndërruar ato në shembull pozitiv në rajon.
Presidenti Topi theksoi se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për të arritur një nivel të lartë marrëdhëniesh mbi parime e standarde, jo vetëm të fqinjësisë së mirë, por edhe ato të integrimit evropian, duke shtuar se konstaton me kënaqësi se edhe Mali i Zi ndan të njëjtin vlerësim për marrëdhëniet me vendin tonë.
“Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilët ndajnë një histori të përbashkët shumëshekullore, kanë sot të gjitha motivet dhe nxitjen për të bashkëpunuar për një të ardhme evropiane të popujve tanë dhe të rajonit në tërësi” – theksoi Kreu i shtetit shqiptar në takim, duke shprehur angazhim maksimal për të arritur një nivel të lartë marrëdhëniesh në të gjitha fushat, me interes të ndërsjellë. Presidenti Topi theksoi gjithashtu se një angazhim i tillë buron nga politika konstruktive që ndiqet në rajon, nga vullneti për të kontribuar dhe marrë pjesë aktivisht në integrimin rajonal dhe atë euroatlantik, si dhe nga vizioni për një rajon të stabilizuar, të zhvilluar ekonomikisht dhe në harmoni marrëdhëniesh në një hapësirë tashmë demokratike.
Në këtë kuadër, Presidenti Topi vuri në dukje se Forumi i Cetinjës është një shembull i mirë dhe i dobishëm për të diskutuar çështje që preokupojnë rajonin dhe për nevojën e një koordinimi e bashkëpunimi më të gjerë. Kreu i shtetit shqiptar vuri në dukje domodoshmërinë e përfshirjes së shtetit të ri, demokratik e shumëetnik të Kosovës në forume dhe nisma rajonale, gjë do të pasqyronte realitetin e ri gjeo-politik të rajonit tonë dhe do t’i kontribuonte thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe rritjes së qëndrueshmërisë afatgjatë.
Në këtë drejtim, Presidenti Topi shprehu bindjen se intensifikimi e zgjerimi i mëtejshëm i këtyre nismave veçse i hap rrugë zhvillimit të shpejtë, investimeve të ndërsjella, projekteve të përbashkëta të infrastrukturës, turizmit, shkëmbimeve kulturore, artistike, sportive, tregtisë kufitare, etj.
Nga ana e tij, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, duke vlerësuar këtë takim të radhës si të rëndësishëm e të frytshëm për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve tona në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, theksoi se dhe vendi i tij është mjaft i interesuar për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit rajonal në përmbushje të aspiratave integruese të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euro-atlantike dhe në Bashkimin Evropian.

Po sot Kreu i shtetit shqiptar, Prof. Dr. Bamir Topi pati një takim edhe me Kryetarin e Radhës së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Nebojsha Radmanoviç.
Të dy homologët ndanë mendimin se dialogu politik mes dy vendeve tona është në nivelin më të lartë, por ka hapësira që marrëdhëniet dypalëshe të zgjerohen e të thellohen edhe më tej sidomos përsa u përket shkëmbimeve ekonomike-tregtare dhe lëvizjes së lirë të njerëzve.
Kryetari i Radhës së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Nebojsha Radmanoviç, pasi i shprehu Presidentit Topi urimet më të mira për anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO, theksoi nevojën e ndarjes dhe shkëmbimit të përvojës integruese në mënyrë që edhe vendi i tij të mund të bëhet së shpejti pjesë e strukturave euro-atlantike.
Presidenti Topi nënvizoi faktin se e ardhmja e përbashkët e gjithë vendeve të rajonit do të jetë patjetër në gjirin e strukturave të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe të Bashkimit Evropian në interes të qëndrueshmërisë rajonale dhe begatisë së popujve dhe vendeve tona
.
Presidenti Topi merr pjesë në Samitin e shtatë të Krerëve të shteteve të Evropës Juglindore.

4 qershor 2009
Cetinjë, Mal i Zi
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, në krye të një delegacioni zyrtar, mori pjesë sot në Forumin Rajonal për Korridorët Kulturorë në Evropën Juglindore “Administrimi i Shumëllojshmërisë Kulturore dhe Promovimi për qëllime turistike”, që po zhvillohet në Cetinjë të Malit të Zi.
Kreu i shtetit shqiptar, pasi u takua dhe u përshëndet me homologë nga Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Serbia, etj, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Terri Devis dhe Drejtorin e Përgjithshëm të UNESKO-s, Koiçiro Macura iu drejtua me një fjalim punimeve të këtij Samiti.
Në fjalën e tij Presidenti Topi pasi vlerësoi këtë Samit dhe nivelin e lartë pjesëmarrës, që tashmë është kthyer në: “një traditë të mirëpritur të kulturës së dialogut, mes shteteve të rajonit, në drejtim të mbrojtjes dhe nxitjes së larmisë së trashëgimisë kulturore duke shprehur bindjen se takimi në qytetin historik dhe mikëpritës të Cetinjës do t’i shërbejë këtij qëllimi dhe interesave të vendeve dhe kombeve të rajonit tonë”, theksoi rëndësinë e vendosjes së: “trashëgiminë materiale e shpirtërore të rajonit në zemër të axhendës së bashkëpunimit politik, duke krijuar një atmosferë të re të fqinjësisë së mirë e mirëkuptimit të ndërsjellë”.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë u shpreh se: “Është përgjegjësia jonë historike të pajtojmë të kaluarën me të tashmen dhe të jetojmë harmonikisht e në paqe me bashkëkohësinë tonë, duke larguar paragjykimet, stereotipet dhe keqkuptimet e çdo lloji ndërmjet popujve të rajonit, aty ku ato ekzistojnë ende. Këtë frymë kanë nevojë t’ju transmetojmë brezave të rinj, si një produkt, me karakter universal, të bashkëjetesës dhe si një garanci për një të ardhme më vitale të identitetit tonë kulturor”.
Një vend të spikatur në fjalën e Kreut të shtetit shqiptar zuri domosdoshmëria e përfshirjes së shtetit të ri, demokratik e shumëetnik të Kosovës në forume dhe nisma rajonale, për të cilën Presidenti Topi theksoi: “Ashtu edhe çdo nismë tjetër me karakter turistik apo kulturor rajonal nuk mund të lerë jashtë as ekzistencen e aspak kontributin po aq të çmuar të popullit të Kosovës dhe të këtij vendi sa të bukur aq edhe të lashtë në historinë e vjetër dhe aq të vyer në historinë e re të tolerancës dhe të bashkëjetesës etnike dhe atë të besimeve.
Duke marrë parasysh përgjegjësinë shumë të madhe që ka lidershipi i Kosovës në ruajtjen e trashëgimisë së paçmueshme kulturore dhe fetare në Kosovë, përgjegjësi të cilën, qeveria e Kosovës e ka me përkushtim të madh, përjashtimi i saj nga ky forum nuk i shërben interesit të përgjithshëm të rajonit. Kosova duhet të luajë me përgjegjësi një rol në këmbimet rajonale të politikave, ekonomisë, kulturës e sporteve. Është gjithashtu në interesin edhe të vendeve që akoma nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës të pranojnë angazhimin që qeveria e Kosovës do të ushtrojë në përgjegjësitë për ruajtjen e kulturës, në bashkëpunim me fqinjët. Unë vlerësova shumë prononcimin e paraardhësve, prononcimin mjaft të rëndësishëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Terri Devis, i cili e konsideron shkëmbimin e kulturave si një element qytetar dhe pa paragjykime. Natyrisht, kështu duhet të jenë edhe raportet në rajonin tonë. Ne nuk mund të mbyllim sytë kur ka realitete të reja gjeopolitike në rajon. Unë besoj që lidershipi modern i rajonit tonë, i cili ka ditur të qëndrojë rreth tavolinave multilaterale për të diskutuar çështje shumë të rëndësishme të komunikimit dhe të realizojë politika, të cilat e kanë bërë rajonin ballkanik më të qetë, patjetër do të dijë të pranojë edhe realitete të tjera, sepse politika kurrsesi nuk mund të pengojë interlokutorët institucionalë që i shërbejnë kulturës së qytetërimit, përkundrazi, politika duhet t’i promovojë këta elementë shumë të rëndësishëm që ne po diskutojmë sot.”
Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Topi vlerësoi se: “Republika e Kosovës përbën sot shembullin se si e ardhmja e bashkëjetesës së fëmijëve tanë sfidon të kaluarën, sado e dhimshme qoftë ajo, se si në rajonin tonë nuk ka vetëm një histori të shkuar por edhe një shpresë për një të ardhme të re të përbashkët ku të gjithë ne duhet të besojmë dhe ta mbështesim”.

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË SAMITIN E SHTATË TË KRERËVE TË SHTETEVE TË EVROPËS JUGLINDORE

4 qershor 2009
Cetinjë, Mal i Zi
I nderuar President i Republikës së Malit të Zi,
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i UNESKO-s,
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës,
Të nderuar kolegë,
Zonja dhe Zotërinj,
Më lejoni fillimisht të pohoj kënaqësinë e veçantë për praninë në këtë Forum të sotëm që ka instaluar në mënyrë të pakthyeshme dhe në nivelet më të larta politike një traditë të mirëpritur të kulturës së dialogut, mes shteteve të rajonit, në drejtim të mbrojtjes dhe nxitjes së larmisë së trashëgimisë kulturore dhe të shpreh bindjen se takimi në qytetin historik dhe mikëpritës të Cetinjës do t’i shërbejë këtij qëllimi dhe interesave të vendeve dhe kombeve të rajonit tonë.
Shqipëria mendon se nisma e Drejtorit të Përgjithshëm të UNESKO-s, Koiçiro Macura, për takimet tona periodike, së cilës ju bashkuan organizata me rëndësi ndërkombëtare dhe rajonale, siç janë Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, e vendosën, trashëgiminë materiale e shpirtërore të rajonit në zemër të axhendës së bashkëpunimit politik, duke krijuar një atmosferë të re të fqinjësisë së mirë e mirëkuptimit të ndërsjellë.
Është përgjegjësia jonë historike të pajtojmë të kaluarën me të tashmen dhe të jetojmë harmonikisht e në paqe me bashkëkohësinë tonë, duke larguar paragjykimet, stereotipet dhe keqkuptimet e çdo lloji ndërmjet popujve të rajonit, aty ku ato ekzistojnë ende. Këtë frymë kanë nevojë t’ju transmetojmë brezave të rinj, si një produkt, me karakter universal, të bashkëjetesës dhe si një garanci për një të ardhme më vitale të identitetit tonë kulturor.
Shqipëria dhe bota shqiptare, ngahera të prirura drejt vokacionit multikulturor, ka kontribuar në përpilimin e politikave të vendeve të UNESKO-s, Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, me synim zbutjen e ndikimeve negative që proceset e globalizimit dhe të shndërrimeve sociale mund të sillnin mbi qëndrueshmërinë e trashëgimisë fizike, natyrore, materiale dhe asaj që e konsiderojmë si një trashëgimi të gjallë, shpirtërore apo jomateriale. Kështu ne ishin nga të parët që e mbështetën adoptimin e Konventës së UNESKO-s për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Shprehjeve kulturore, një instrument unik në duart e bashkësisë ndërkombëtare, për njohjen e specifikës së çdo produkti kulturor, por edhe individualitetit aq sa edhe unitetit të popujve, historive dhe kulturave të botës.
Shqipëria ka një strategji ambicioze të zhvillimit të turizmit kulturor, e cila si pjesë e pandarë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim e Integrim, vendos hallka strukturore ndërmjet mbi dy mijë monumenteve të saj historike, pasurisë muzeale, siteve kulturore e natyrore, praktikave dhe shprehjeve të ndryshme kulturore, nëpërmjet edukimit artistik, dialogut ndërkulturor dhe ekzistencës multikonfesionale.
Në korrik të vitit të kaluar, me regjistrimin e Beratit, qytetit të “një mbi një dritareve” në Listën e Trashëgimisë Botërore, Shqipëria realizoi krijimin e një Trekëndëshi të Artë të trashëgimisë, duke bërë të mundur, veç njohjes, evidentimin, mbrojtjen dhe mirëadministrimin e këtyre tre siteve të mrekullueshme, sipas standardeve gjerësisht të pranuara e që nxisin potencialet e turizmit kulturor.
Të nderuar kolegë,
Është vërtet një privilegj që, një rajon i vogël si yni u komunikon kulturave të tjera një trashëgimi mijëvjeçare, të gjithanshme e unikale. Por shtrirja e larmisë së kulturave, krahasimit të tyre dhe instalimit të një dialogu të vërtetë ndërkulturor kërkon nga ne pjesëmarrjen aktive në Aleancën e Qytetërimeve.
Shqipëria, në vigjilje të Forumit të Stambollit, miratoi Strategjinë e Dialogut Ndërkulturor, Planin dyvjeçar të Veprimit, si dhe ngriti Komitetin ndërdikasterial për implementimin e këtyre dokumentave themelorë.
Forumi për Dialogun Ndërfetar në Evropën Juglindore që u organizua në Tiranë më 16 janar të këtij viti, duke u prirur drejt instalimit të një dialogu të hapur e të sinqertë mbi trashëgiminë e gjithanshme ndërfetare të rajonit tonë, vendosi baza solide për identifikimin e praktikave pozitive e të mirëmenaxhimit të larmisë së besimeve dhe kulturave të ndryshme që e përbëjnë atë. Shqipëria, nëpërmjet historisë së saj dhe shembullit unik në këtë drejtim mbetet e angazhuar të nxitë harmoninë dhe të largojë paragjykimet, stereotipet dhe keqkuptimeve ndërkonfesionale në rajon e më gjerë.
Në këtë këndvështrim, Shqipëria mbështet propozimin për mbajtjen e Konferencës së Sarajevës gjatë vitit 2009, e cila do të synojë të dalë me një Strategji Rajonale për Dialogun Ndërkulturor ndërmjet vendeve të Europës Juglindore, në bashkëpunim me Sekretariatin e Aleancës së Qytetërimeve, agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe organizmat e tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë e rajonalë, ku vendi ynë aderon.
Ashtu edhe çdo nismë tjetër me karakter turistik apo kulturor rajonal nuk mund të lerë jashtë as ekzistencen e aspak kontributin po aq të çmuar të popullit të Kosovës dhe të këtij vendi sa të bukur aq edhe të lashtë në historinë e vjetër dhe aq të vyer në historinë e re të tolerancës dhe të bashkëjetesës etnike dhe atë të besimeve.
Duke marrë parasysh përgjegjësinë shumë të madhe që ka lidershipi i Kosovës në ruajtjen e trashëgimisë së paçmueshme kulturore dhe fetare në Kosovë, përgjegjësi të cilën, qeveria e Kosovës e ka me përkushtim të madh, përjashtimi i saj nga ky forum nuk i shërben interesit të përgjithshëm të rajonit. Kosova duhet të luajë me përgjegjësi një rol në këmbimet rajonale të politikave, ekonomisë, kulturës e sporteve. Është gjithashtu në interesin edhe të vendeve që akoma nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës të pranojnë angazhimin që qeveria e Kosovës do të ushtrojë në përgjegjësitë për ruajtjen e kulturës, në bashkëpunim me fqinjët.
Unë vlerësova shumë prononcimin e paraardhësve, prononcimin mjaft të rëndësishëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Terri Devis, i cili e konsideron shkëmbimin e kulturave si një element qytetar dhe pa paragjykime. Natyrisht, kështu duhet të jenë edhe raportet në rajonin tonë. Ne nuk mund të mbyllim sytë kur ka realitete të reja gjeopolitike në rajon. Unë besoj që lidershipi modern i rajonit tonë, i cili ka ditur të qëndrojë rreth tavolinave multilaterale për të diskutuar çështje shumë të rëndësishme të komunikimit dhe të realizojë politika, të cilat e kanë bërë rajonin ballkanik më të qetë, patjetër do të dijë të pranojë edhe realitete të tjera, sepse politika kurrsesi nuk mund të pengojë interlokutorët institucionalë që i shërbejnë kulturës së qytetërimit, përkundrazi, politika duhet t’i promovojë këta elementë shumë të rëndësishëm që ne po diskutojmë sot.
Republika e Kosovës përbën sot shembullin se si e ardhmja e bashkëjetesës së fëmijëve tanë sfidon të kaluarën, sado e dhimshme qoftë ajo, se si në rajonin tonë nuk ka vetëm një histori të shkuar por edhe një shpresë për një të ardhme të re të përbashkët ku të gjithë ne duhet të besojmë dhe ta mbështesim.
Shqipëria beson në këtë fryme dhe do ta mbështesë atë për t’i shërbyer me sinqeritet përmirësimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve ndëretnike e ndërshtetërore, në të gjithë rajonin tonë.
Ju falemnderit!






Politikë
Publicistike


