VDEKJA NË BOHEMI

Seksionet

Arkivi

He Ma Enj Pr Sht Di
1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031

Newsletter

Dua të kyçem tek newsletter (lajmet në e-mail)

Sondazh: Dizajni

Si ju duket pamja e re e faqes?

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

A ju pëlqehet Artikulli?

(Gjithsej 0 Votime)
Madhësia e shkronjave Decrease font Enlarge font
image

 Tregim

  Ali Podrimja
 Në krye të rrugës u shfaq qielli më i plotë, i cili u fsheh prapë pas drunjve të lartë, që nuk pranin së shushurituri e që rrugën e rrëpinjtë e të drejtë e përthekonin në të dyja anët. Qerrja e zezë ecte ngadalë. Mortshëm. Pas e ndiqnin dy njerëz të moshave e madhësive të përafërta. Njëri ishte për një kokë më i lartë ndoshta.
 - Na la edhe ky – tha zgjatani.
- Pimë kafe dje – tha mendueshëm më i vjetri.
- Vdekja nuk pyet – shtoi i pari – Na gjen ku nuk jemi.
 - Mjerë nëna ! Në dhe mbyll një lule djali – tha i dyti.
 - Thonë e ka të verbërt – tha pakëz me ironi zgjatani.
 - Bile edhe të shurdhët, kam dëgjuar – tha më i vjetri. Hutueshëm.
 - Më mirë. Nuk e sheh as nuk ia dëgjon gjamën – tha i pari.
- Ç’gjamë i bëjmë!... U mbush Europa me britma e varre tona – shtoi i dyti.
 - Brenda një vjeti vetëm në Bohemi pesëdhjetë varre – tha i pari, tek  theksonte  fjalën varre.
 Mbi kokën e drunjve u kacavar një re. Filloi të shqyhet pak më vonë. Qerrja e zezë monotonshëm dëgjohej asfaltit të lagur dhe hapat e kortezhit, që njëri-tjetrin ndiqnin herë pas herë.
- Ishte i vetëm? – pyeti zgjatani.
 - Ashtu kallëzojnë... Të kishte pasur një vëlla a motër për ta qarë – tha më i vjetri me një melankoli.
- Ndonjë amanet, a ka lënë? – pyeti prapë i pari.
 - Shumë... Por koha nuk është ende. - Fjalinë e dytë njeriu i shkurtër e tha më tepër për vete.
 Pas kurrizit të dytë qerrja e zezë u ndal. Njeriu i veshur në të zeza zbriti nga qerrja. Shikoi në të dy anët e rrugës. Hipi prapë ku ishte më parë. Ndezi motorin duke luajtur kokën.
  - Nuk bën të varroset këtu. Janë të vendasve – tregoi i pari.
 - As aty. Të jahudive, na qenkan – tha njeriu i shkurtër.
 - Pak tokë ka për ne.
 - Po atje? – pyeti më i vjetri.
- Ishte i shpatës. Nuk i rri mirë hëna, - tha zgjatani, pakëz në tallje.
 - Po ku ta varrosim, pra? – pyeti prapë më i vjetri.
- Aty ku do të ndalet qerrja, - tha sërish i pari.
  - Ka ca kohë që rrokulliset qerrja – tha mendueshëm i dyti.
 - Trimi ka bërë rrugë më të gjatë – tha i pari me një sharje gati të gulfatur. – Duhet t’ia gjejmë një vend ku nuk i treten eshtrat – e mbylli fjalinë me një patetikë rreth gjetjes së varrit.
 - Si? – pyeti me një shqetësim të theksuar njeriu i shkurtër.
 - Jemi në tokë të huaj, zotëri. Vështirë i pranon trupat tanë, - tha zgjatani me një zë krejt tjetër.
 - Te kurdët, pra. Ose tek afrikanët – tha i dyti, më qetë.
 - Do ta shohim. Na duhet një makinë, ndoshta – tha mendueshëm i pari.
 - E pastaj? – pyeti i dyti.
  - E pastaj do t’ia hapim varrin e do ta përcjellim trimin
  - Këtë nuk e ka merituar – u dëgjua prapë i dyti.
 - Kush thotë se e ka merituar – tha me zë zgjatani – Dy metra dhé nuk i dha toka nënë.
 Zgjatani që ecte në krahun e djathtë e që ishte bërë qull nga shiu, ktheu kokën nga i shkurti. Për herë të parë e pa se ai ishte qel, me një sy të gastartë, i padhëmbë, gati i këputur. Ktheu shikimin prapë nga qerrja e zezë. Ngjitej përpjetëzës së pestë të rrugës së përmortshme. Qielli ishte ndarë përgjysmë. Aty ku takoheshin të dy gjysmat, pra atje në fund, shkrepte një dhëmb i verdhë. Shenjë ndoshta, se dheu e pranonte të gjorin.
 - The se dy metra tokë nuk i dha? – pyeti pikëllueshëm njeriu i shkurtër.
- Toka jonë është tokë gratçore. E kemi me kyt – tha zgjatani më i pikëllueshëm se njeriu i shkurtër.
  - Do të na japë ajo, more. Edhe më shumë – tha nevrikshëm i pari.
  - Po ç’i dhamë ne të na japë ajo?- gati shpërtheu zgjatani. Kafshoi buzën e trashë i shkurti. Pastaj nxori një shami. E fshiu fytyrën e plakur para kohe. Në një kënd të shamisë pa dy pika gjak. E fshiu edhe buzën e poshtme, të cilën mjeku i kishte thënë të mos e prekte fare. Me një drithmë futi shaminë duq në xhepin e majtë. Filloi ta ndjekë zgjatanin. Ai kishte zgurdulluar sytë. Përpjetëzës së fundit të rrugës së përmortshme ngjitej i mpirë. Në livadh, atje afër shkurreve, një makinë hapte varrin. Dhe kur e lanë rrugën e asfaltuar, zgjatani akull tha:
 - Arritëm.
  - Ku? – pyeti i shkurti.
 - Aty nga nuk kthehet më, - foli zgjatani sa mezi e dëgjoi veten.
   Qerrja e zezë u ndal para makinës së madhe. Njeriu i veshur në të zeza doli përjashta. Hapi derën e mbramë. Ndërkaq, njeriu i veshur në tesha të verdha, fiku makinën. Kërceu nga shkalla e dytë. Pa kurrfarë ceremoniali nxori nga qerrja e zezë arkën prej druri më të lirë e pa asnjë stolisje. E vendosën në bregun e dheut të shkriftë. Njeriu i veshur në të zeza, që fraku nuk i rrinte aq mirë, pyeti në gjuhën e vet.
  - A ka kush të thotë diçka?
 Zgjatani ktheu kokën në të majtë. Syri i gastartë i njeriut të shkurtër bënte dritë më shumë se kur e kishte veneruar për herë të parë aty diku në përpjetëzën e pestë të rrugës. Bëri tre hapa përpara. Mori qëndrim gatitu. Dikur rrëzoi shikimin mbi arkë. Vetëm tha:
   - Lavdi, i gjori im! Të turpëroi dheu i huaj.
 Pasi e palosën edhe lopatën e fundit, njeriu i shkurtër nxori nga xhepi i djathtë i mantelit një qese dhé. E hodhi përgjatë varrit. Tufën e luleve ia vendosi te koka, me mëngën e majtë të mantelit fshiu syrin tjetër të gjallë, që i kishte shpëtuar nga luftërat e fundit në Ballkan. Zgjatani, pasi i nënshkroi ca letra, u nis të dalë nga livadhi, ku nuk shihej asnjë gur varri... Dhe teposhtëzës kur morën udhën, dëgjuan prapë zhurmën e rëndë të makinës së madhe. Rrafshonte varrin e ri. Qerrja e zezë ishte zhdukur.
            Njëri-tjetrin shikuan habitshëm. Mezi foli zgjatani:
            - Rrugëve vdekjen e bëjnë njerëzit pa atdhe. Kështu e ka. Mallkim është ky apo...?
            Në një bankë të vetmuar, në hijen e një rrokaqielli, njeriu i shkurtër kishte futur kokën në mes gjunjve. U rrokullis më vonë në çimenton avulluese, pranë një kore buke, që e kishin rrethuar mizat. Kishte tri buzë. Njëra futë. Ishte afruar një qerre. Brenda e kishin kyçur. Dikah e shpiente. Ishte i Zotit edhe ky ...

 
  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

Komento comment Komentimet (0 të postuar)

Lajmet:

Te gjitha te drejtat e rezervuara