Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
Këpucët e të tjerëve mbi trotuar
Tregim nga Ramiz GJINIDola nga shtëpia dhe teksa bridhja i vetmuar pashë në një bli dy korba të mëdhenj e të zinj. Nuk di çfarë mendova atë çast, por qielli mu duk tepër i errët dhe udha në të cilën shkelja, krejt e panjohur dhe e frikëshme. Sikur kisha vdekur, por jo plotësisht; sikur isha ndarë nga shumë gjëra, për të cilat, tani më mbërthen një mall torturonjës.
Tek dyqani i qelqurinave ktheva nga e majta. Në kokë kisha vetëm një mendim: t’i çoja lule në varrezë një të afërmit tim, tashmë i vdekur. U ndala para një gruaje trashaluqe dhe miope. Shiste lule, karafilë shumëngjyrësh: të kuq, rozë, të bardhë e të verdhë. Gjithë ajo shportë e madhe plotë karafilë! Bleva dy, njërin të verdhë për ta dërguar në varrezë, kurse tjetrin e mora ngjyrë rozë për të marrën time, Elin. Dhe tamam në çastet kur unë po mendoja për të, para meje u shfaq Eli! Gjithë mërzia m’u davarit.Ajo buzëqeshi dhe mua mu duk sikur shkrepëtiu dielli me rrezet e tij të arta. “Gëzohem shumë që të gjeta”, tha ajo, por në çastin e mbramë m’u duk si e zënë në faj. E pyeta nga duhej t’ia mbanim dhe ajo më tha se kishte tre vjetorin e këpucëve të saj. Çfarë mrekullie! Duhej ta festonim. Zbritëm ca shkallë duke u mbajtur tek njëri-tjetri me aq marifet sa të huajit të mos e kuptonin kurrësesi lidhjen tonë. Më ndoqi pas me të prekur. Hymë në një lokal ku zumë një tryezë. Muret qenë me lagështirë dhe bënte nxehtë, pastaj binte edhe një erë zjarri i fikur me ujë. Nga e djathta ime, dy të rinj flisnin ngadalë me njëri-tjetrin dhe qeshnin. Qeshnin dhe putheshin. Nuk di pse kjo na bënte ta ndjenim veten më pak fajtorë. Erdhi pronarja e lokalit që bënte të gjitha punët. Na përshëndeti e tha se aty ishte qetësi; se askush nuk trazonte dhe se po të ndizte radion nuk dëgjohej zhurma e hapave të të tjerëve sipër nesh në trotuar. Eli buzëqeshi për mirësjellje, kurse unë u hoqa sikur kjo nuk kishte shumë rëndësi. Pastaj pronarja u largua dhe ne nisëm të fjaloseshim. Folëm gjerë e gjatë për këpucët, për ditën kur i patëm blerë bashkë para tre vjetësh si dhe për përvjetorin që po festonim. I tregova pastaj për dy korbat e mëdhenj që kisha parë dhe ajo ma ktheu se nuk kishte gjë, se korba gjendeshin kudo dhe se kjo nuk kishte lidhje me atë që unë dëshiroja të tregoja, pavarësishtë pse nuk mundja. Pastaj më pyeti nëse i kisha pirë rregullisht ilaçet për qetësimin e nervave; dhe kur unë i thashë “po”, e ndjeva veten krejt si një fëmijë përpara saj.
Eli doli; dhe unë ndjeva zhurmën e njohur të hapave të saj se si u përzie me zhaurimën e madhe të hapave të të tjerëve mbi trotuarin sipër meje.
Mbi tavolinë kish mbetur karafili ngjyrë rozë. Eli gabimisht kish marrë të verdhin, atë që unë pata blerë për të vdekurin.





Politikë
Publicistike


