Dhjetori i shqiptarve

Seksionet

Arkivi

He Ma Enj Pr Sht Di
1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031

Newsletter

Dua të kyçem tek newsletter (lajmet në e-mail)

Sondazh: Dizajni

Si ju duket pamja e re e faqes?

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

A ju pëlqehet Artikulli?

(Gjithsej 0 Votime)
Madhësia e shkronjave Decrease font Enlarge font
image

Dhjetori i shqiptarëve 

Nga Redin Hafizi, Michigan 

Dhjetori,për Shqiptarët,mori ngjyrimin e muajit të idealit,kur studentët në  8 dhjetor nisën protestën. Studentët thërrisnin njëzëri: “E duam Shqipërinë si e gjithë Eropa”, ndërkohë që diktatori Ramiz Alia dërgonte emisarët e vet në Moskë dhe Pekin për të gjetur një plan.Në atë mbrëmje të ftohtë dhjetori dhuna e diktaturës nuk ngurroi që të binte fortë mbi shpinën e studentëve,por efekti i asaj mbrëmje ishte i menjëhershëm.Në mbrëmjen e 8 dhjetorit ndërsa Tirana dhe gjithë Shqipëria mbylleshin nëpër shtëpira,në Qytetin Studenti shokët tanë nisën përleshjen me diktaturën.Ata u rrahën por nuk u thyhen.

Të nesërmen më datën 9 dhjetor të gjithë ishim në Qytetin Studenti me një urrejtje edhe më të madhe për diktaturën që jo vetëm nuk na lejonte të bënim jetën normale,por kishte ngritur edhe shkopinjtë e gomës mbi shokët tanë.Ndaj atë ditë vendosëm të dalim në shesh dhe të protestonim.Atij regjimi i kishte ardhur fundi.Diktatori po mundohej që ta mbante me forcën e shkopinjve të gomës dhe grushteve të policisë,por edhe ne mblodhëm grushtet tanë.Ashtu së bashku,vargu i madh i studentëve futet në rrugën e Elbasanit,ku një grup i madh policësh të repartit special na bllokuan rrugën përpara ish-ambasadës italiane tani Ambasada e SHBA.Në krah unë kasha mikun tim të ngushtë Edvin Shvarc që nuk pushonte së nxituri studentët që të afroheshin sa më shumë pranë kordonit të policisë,madje ishte ai që i quajti spektatorë këdo që rrinte vecuar në trotuar.

Ne të gjithë kishim dalë në rrugë dhe kishim një ndjenjë të cuditëshme brenda në gjoks që na jepte forcë të luftonim deri në fund kundër atyre që ngritën dorë ndaj inteligjencës së ardhshme Shqiptare.Diktatori u mundua të na ofronte kulacin përmes emisarëve të vet,duke na kërkuar që të ktheheshim pas dhe të rrinim në Qytetin tonë të Studentit,që tashmë prej mbrëmjes së datës 8 dhjetor ishte i vetmi Qytet pluralist dhe me liri fjale në të gjithë Shqipërinë,por ne nuk pranuam.Ne donim t’i tregonim jo vetëm Shqipërisë,por botës mbarë atë që diktatura kishte bërë një natë më parë.Ne kërkonim denoncimin e fajtorit,pra që ishte thjesht ai shtet totalitar,vendosjen përpara bankës së të akuzuarve dhe si përfundim dënimin me shkërrmoqje të totalitarizmit në vendin tonë.Vetëm kështu do t’i hapej rruga pluralizmit në Shqipëri dhe një sistemi demokratik në stilin e vendeve të zhvilluara perëndimore.

Ishte Azem Hajdari që i mbajtur në krahët e disa studentëve i ktheu përgjigjen të dërguarve të Ramiz Alisë duke i qëndruar idesë se studentët nuk do të ndalen në rrugën e tyre.Për t’u përmendur në këtë ditë është edhe refuzimi që studentët e shkollës ushtarake “Skënderbej” i bënë thirrjes për të dalë kundër protestës së studentëve.Me këtë lëvizje diktatori kërkonte të fuste studentë kundër studentëve dhe t’i tregonte botës se protesta ishte thjesht një kaprico e disa të përkëdhelurve apo qejfprishurve.Por,jo.Ai plan nuk funksionoi,pasi kishte skenderbegas që kishin vëllain apo motrën në protestën tonë dhe jo vetëm kaq,por skënderbegasit ishin pjesë e studentëve,edhe ata dëshironin ta shihnin Shqipërinë si e gjithë Europa,apo sic tani është bërë realitet në NATO.Pra,pas fjalës së Azem Hajdarit,i cili gjithë kohës pati mbështetjen totale të studentëve,rradhët nisën të ngushtoheshin dhe presioni i policisë për të shkatërruar grumbullimin po shtohej.Skafandrat (sic i quanim në atë kohë policët për shpërndarjen e protestave) nxorrën shkopinjtë dhe nisën të na shtyjnë me mburojat e tyre plastike.Seiti,një student në degën gjeografi tenton të ngrejë xhamin përpara fytyrës së skafandrës,për ta futur grushtin brenda në skafandër.Skafandra ishte nën panik dhe mbrapset,ndërkohë ne përfitojmë e krijojmë një të carë.Aty rreshtat e mëpasmë të skafandrave nisin të na godasin me shkopinjtë e gomës dhe na shtyjnë me forcë në krah të fushës mes ish-Muzeumit Lenin-Stalin dhe ish-Ambasadës Italiane.

Ishte një ditë e vranët dhe në atë fushë kishte shumë baltë.Mbaj mend që një studente e degës gjuhë-letërsi,Noela,rrëshkiti dhe një prej skafandrave ngriti shkopin e gomës kundër saj,por ishte një tjetër student i po asaj dege Blendi që e bllokoi shkopin e skafandrës duke e ngrënë në kurrizin e ti,pasi po ndihmonte Noelën të ngrihej.Diktatura sërish na u përgjigj me forcën e shkopit të gomës,pra tashmë ishte e qartë,ky regjim nuk pranonte ndryshim,nuk pranonte as reforma,nuk pranonte as Perestrojkën dhe as Gllaznostin që po ndryshonin Lindjen e Europës.

Ramiz Alia kishte zgjedhur të mbetej diktator dhe e hodhi poshtë kartën e reformatorit.Prandaj ne studentët nuk mundeshim që të ndalnim atë që nisëm,ndaj Shqipërisë I duhej patjetër alternativa e pluralizmit dhe këtë vendosëm të gjithë së bashku kur u kthyem në Qytetin Studenti.Pluralizmi demokratik ishte e vetmja zgjidhje për Shqiptarët.Ne vendosëm të mos shkonim në shkollë derisa të plotësoheshin kërkesat tona dhe më kryesorja ishte pluralizmi.Cdo ditë ne nisëm të mblidheshim në sheshin e Qytetit Studenti.Ishte Azem Hajdari që u projektua si lider që në fillim,por mes nesh mund të shihje edhe te derguarit e diktatorit pra agjentët e sigurimit të shtetit.

Duke ndenjur një ditë në miting,miku im Edvini më tregon me gisht xhaketën pak të ngritur të një personi që rrinte në miting. “E sheh,-më tha,-zdrukthin e mbajnë nga mbrapa këta”.Ishte vërtet një agjent i sigurimit me pistoletë në brez përpara nesh në mes të turmës së studentëve,por ne nuk friksoheshim.Protestat vazhdonin dhe, pasi shumë intelektualë morrën vesh dhunën e datës 8 dhjetor dhe atë të datës 9 dhjetor, nisën të vinin në Qytetin Studenti dhe të shprehnin mbështetjen.Kurrë nuk do ta harroj që mbështetjen e parë e ka bërë një polic nga Durrësi i cili tha se e la punën pasi dëgjoi se policia po përdorte dhunë ndaj studentëve.Një deklaratë e tillë ishte dicka e vecantë në atë kohë.Më pas, përvec të zakonshmëve në tribunë si i madhi Hajdari ose edhe Imami,Lika,dëshmori i demokracisë Broci etj., nisën të afroheshin në tribunë intelektualë me emër që në atë kohë ishin shprehur në shtyp për idenë e ndryshimit.

Ardhja në Qytetin Studenti të Gramoz Pashkos dhe Sali Berishës apo të tjerë intelektualë, rritën shpresat e Shqiptarëve për ëndrrën demokratike. Zgjedhjet e para demokratike në diktaturë     Diktatori kërkoi një përfaqësi të studentëve dhe pedagogëve,për të folur me ta rreth zgjidhjes së krizës.Sërish ai nuk u tregua i ndershëm,por shumë destruktiv,pasi në fillim ai e kërkoi takimin në pallatin e kongreseve dhe më pas ai kërkoi një reduktim të numrit të delegacionit studentor me arsyen se takimi do të bëhej në presidencë, duke menduar se mes studentëve ekziston etja për pushtet dhe një gjë e tillë,e nxitur nga njerëzit e tij në mes të studentëve,mund të sillte shuarje të lëvizjes.    Kjo nuk ndodhi,pasi studentët u shpërndanë nëpër zona të ndryshme të Qytetit Studenti dhe cdo degë nisi votimin e hapur sërish për delegatët e vet.Kështu që Studentët patën një delegacion sërish duke mos e shuar lëvizjen studentore.Votimi sërisht ishte i hapur dhe pa qejfmbetje,pasi për studentët një Shqipëri Europiane kishte më shumë rëndësi se sa ballafaqimi me një figurë të vjetër të politikës. 

Pluralizmi   

Në takimin me diktatorin,studentët fituan.Në krah të diktatorit ishte edhe Skënder Gjinushi.Diktatori bëri edhe një lëvizje të fundit,duke mbledhur plenumin e PPSH-së,ku kërkoi të legalizohej pluralizmi,por që,në të vërtetë nënkuptonte pluralizmin marksist-leninist të Ramiz Alisë.Pra,pluralizëm shoqatash dhe një produkt i tillë do të ishte p.sh. shoqata “Fan Noli” që kërkoi të ngrihej në atë kohë kundër Partisë Demokratike të sapo krijuar dhe ky lloj pluralizmi u kundërshtua nga  shoqata e “Intelektualëve të rinj” që pushoi së ekzistuari pasi mbështeti të parën Parti opozitare në vend,Partinë Demokratike dhe iu bashkangjit asaj.Bashkëpunëtorët e diktatorit nisën të dalin hapur kundër pluralizmit,për të vetmin fakt që ta shndërronin kriminelin Ramiz Alia në lider të reformave.Kurrizet e studentëve në dhjetor,plumbat në kufi dhe dhuna në fizike dhe psikologjike në hapjen e ambasadave ne 2 Korrik e treguan që Ramiz Alia është dictator i tmerrshëm,i aftë të kryejë krime dhe nuk mund ta pranojë kurrë pluralizmin nëse nuk rrëzohet nga pushteti. 

Dhjetor 2009   

Jemi 19 vjet pas atyre ngjarjeve të paharrueshme dhe më në fund Shqipëria e sheh veten në NATO,në aleancën ushtarake më të fuqishme në botë.Gjithashtu,Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE.Vetëm një vend e ka humbur anëtarësimin pasi ka marrë statusin e vendit kandidat në BE dhe ky ka qenë Maroku,pasi nuk plotësonte kushtin gjeografik.Pra,Shqipëria është më në fund në rrugë të mbarë,në rrugën e integrimit në Europë.Është ajo Parti që ne krijuam përmes lëvizjes sonë,pra Partia Demokratike dhe mbështetja e Shqiptarëve që bënë të mundur anëtarësimin në NATO dhe marrjen e statusit kandidat për në BE.Njëkohësisht, këtë dhjetor është sërish ish-PPSH që u shndërrua në PS,që vazhdon të shpenzojë paratë e “Mafies së Kuqe”,për të penguar realizimin e ëndrrës së Shqiptarëve.Janë bashkuar të gjithë kriminelët e diktaturës së Hoxhës dhe Ramiz Alisë në një përpjekje për të përbaltur dhjetorin e idealeve dhe për të shkatërruar ëndrrën europiane të shqiptarëve.Në krye të lëvizjeve haxhiqamiliste te Edvin Ramës është Gramoz Ruci,ish-ministri i brendshëm në kohën kur katër qytetarë të Shkodrës u ekzekutuan dhe mes tyre ishte miku i gjithë studentëve Arben Broci.    Shqipëria po tregon që diti të bëjë zgjedhje të njohura nga e gjithë bota më në fund dhe di të bëjë shtet.Do të jetë ky shtet që përmes luftës kundër korrupsionit do t’i presë më në fund energjinë cdo politikani që financohet nga paratë e krimit dhe padyshim që kjo do të ndodhë për këdo dhe ky është ideali i dhjetorit, për të cilën studentët në fillim dhe gjithë shqiptarët më pas u ngritën.Pra, një Shqipëri demokratike,ku të sundojë ligji dhe jo dhuna e mafies.Vetëm kështu mund të kemi një Shqipëri të denjë për në BE.

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

Komento comment Komentimet (0 të postuar)

Lajmet:

Te gjitha te drejtat e rezervuara