Kryeministri Berisha: 8 dhjetori, dita e ngadhënjimit të idealit evropian të rinisë shqiptare

Seksionet

Arkivi

He Ma Enj Pr Sht Di
1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031

Newsletter

Dua të kyçem tek newsletter (lajmet në e-mail)

Sondazh: Dizajni

Si ju duket pamja e re e faqes?

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

A ju pëlqehet Artikulli?

(Gjithsej 0 Votime)
Madhësia e shkronjave Decrease font Enlarge font
image

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 Sot, Kryeministri Berisha përshëndeti nga sheshi “Skënderbej” qytetarët e mbarë vendit, me  rastin e 8 dhjetorit, ditës së rinisë, 19 vjetorit të shembjes së diktaturës në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

“Të dashur studentë dhe studente, të rinj dhe të reja, qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë,

Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj!

Jemi mbledhur sot  të festojmë së bashku 8 dhjetorin,  ditëlindjen e lirive dhe të drejtave  te mohuara, dinjitetit njerëzor të munguar, për ne, për mbare shqiptaret qe do të vinin në dhjetorin e vitit '90, si qeniet njerëzore me te shtypura, më të mjera, më të izoluarat, më të shkreta të kontinentit.  

Ne 8 dhjetor te vitit '90 Shqipëria  e bllokmenëve mizorë numëronte burgjeve, të burgosur, te internuar, të pushkatuar  më shumë se të gjitha vendet ish komuniste satelite të Bashkimit Sovjetik të marra së bashku. Ajo ishte vendi më i izoluar i planetit, vendi në të cilin  edhe vitin e rënies së murit të Berlinit në Gjermani, në sheshet dhe qytetet e tij vareshin poete dhe disidente, ekzekutoheshin në kufijtë  e tij djemtë dhe vajzat shqiptare vetëm e vetëm sepse rendin drejt lirisë. Për ne tingëllonin sa aktuale, aq dhe të kobshme, atë ditë dhjetori të vitit 90 vargjet kushtrim të Ndre Mjedës.

Me 8 dhjetor te vitit '90 studentët e Universitetit të Tiranës me ne krye tribunin e lirisë Azem  Hajdari me një guxim legjendar , me kurajën mbinjerëzore do të përballeshin ne sheshet  dhe rrugët  e kryeqytetit të vendit me diktaturën me mizore te Evropës, nga një betejë si ajo e Davidit me Golian dhe do të ngadhënjenin mbi të, do të hapnin, do shkallmonin dyert mbyllura te lirisë për ne dhe mbarë shqiptarët.  Nder përjetë Azem Hajdarit studentëve dhe studenteve  liberator, engjëjve të demokracisë,  djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që shembën 19 vite me pare murin e Berlinit në tiranë, shpartalluan bllokun bunker  dhe sollën lirinë për shqiptarët. Për ne rinia dhe liria janë dhe do të jenë përjetë  një dhe të pandarë.

Azem ti je gjallë!

Gëzuar ditën e  lirive, gëzuar për mbarë shqiptarët!

Sot ne jemi shumë , me shumë se kurrë më parë, mbetjet e së shkuarës, hijet e saj kurrë nuk do të mund të zbehin dritën e lirisë që lindi në rrugët dhe sheshet e Tiranës, më 8 dhjetor të vitit ’90.

Por unë në emër tuaj dua tu bëj një urim të përzemërt, të përshëndes qindra dhe mijëra vajza dhe djem që janë në këtë shesh dhe në mbarë Shqipërinë, që lindën pas dhjetorit ‘90. Ata janë gjenerata jonë  e parë, e lirë në historinë e kombit tonë.Gëzuar 8 dhjetorin, ju që lindët në liri, ju që patët e fatin e bardhë që të mos keni jetuar as edhe një orë, as edhe një ditë të vetme në diktaturë.Shqipëria e ëndrrës suaj do të jetë shtëpia më e bukur, më e mahnitshme e shqiptarëve, lum ata që do ta jetojnë. Zoti i bekoftë!

Qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë,

8 dhjetori për ne shqiptarët nuk është vetëm dita e kurajës, trimërisë, guximit dhe lindjes së lirive tona, por 8 dhjetori është për ne qytetarët dhe shoqërinë shpresëhumbur shqiptare, të zhytur në  dëshpërim të thellë, mjerim të skajshëm, frikë dhe terror të papërshkruar, dita  lindjes së shpresës për njerëzit e pashpresë, e shpresës si parzmore e lirisë sonë, e shpresës  që buronte nga shpirti dhe gjokset tona, shpresës që rilindi besimin tek vetja, tek dinjiteti, tek zoti, tek e ardhmja, tek Shqipëria.Ata që 19 vjet më parë shembën perden e hekurt, çelën dyert e lirisë për shqiptarët, rrugën nuk  e dinin, por ata kishin tashmë shpresën e rilindur, jo vetëm si mburojë, por edhe si energji e pashtershme e udhëtimit tonë, jo të lehtë. Ndaj, ne sot jemi shumë,më shumë se kurrë dhe më me shpresë se kurrë në historinë tonë. Thirrja jonë vëllazërore për çdo shqiptar, le të rendim së bashku  në rrugën e shpresës së madhe që çelen studentët shqiptarë 19 vjet më parë.

Zonja dhe zotërinj,

8 dhjetori është për ne këtu, për mbarë shqiptarët, dita e të ardhmes, dita e madhe e besimit tek e ardhmja që meritojmë. Historia e njerëzimit ka provuar se liria dhe e ardhmja janë një e të pandara. Pa liri mund të ketë mbijetesë, por të ardhme kurrë s’ka patur dhe s’mund të ketë. Të ardhme kanë ndërtuar  vetëm kombet e lira të cilëve liria i ka udhëhequr dhe ndriçuar rrugën drejt horizonteve të reja, të cilët kanë patur fatin e bardhë të shfrytëzojnë pasuritë e pashtershme të lirisë, për vete, për fëmijët për familjen , kombin, vendin  e tyre. Sot ne jemi të lirë, më të lirë se kurrë në ekzistencën tonë . Sot ne jemi më shumë se asnjëherë më parë. Hedhurina  e të shkuarës, të bllokmenëve të rinj s’do mund të  ndalin kurrë vrapin tonë drejt të ardhmes që meritojmë. Thirrja jonë vëllazërore në sheshin Skënderbe për çdo shqiptar është, eja me ne të vrapojmë drejt të ardhmes që meritojmë.

Qytetarë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë,

8 dhjetori është dita e bekuar, dita e amshuar që siç thotë Naim Frashëri,lindi nga perëndimi, është dita e ngadhënjimit, idealit  evropian të rinisë shqiptare, vokacionit perëndimor të kombit shqiptar. Shqipëria si Evropa, Shqipëria në NATO ishte kryefjala jonë në 8 dhjetor. Shekujt e pushtimeve të mëdha, diktaturat e egra, përpjekjet e saj për ta spostuar Shqipërinë,  nuk arritën kurrë, nuk ia dolën të rrënojnë vokacionin perëndimor të kombit shqiptar, që u rezistoi si margaritar, si fill i jetës, identitetit tonë kombëtar. Dhe gufoi shpërtheu fuqishëm ato ditë dhjetori nga shpirti dhe zemra e të rinjve shqiptarë. Në 8 dhjetor u hapën njëherë e përgjithmonë dyert e mbyllura të Evropës, Shqipëria nisi rrugën e saj drejt një Shqipërie zonjë sic e kanë dashur dhe e duan të gjithë shqiptarët Evropën.Ne që me 8 dhjetor të viti 90 përmbysëm tiraninë, shkallmuam bllokun dhe hapëm dyert e mbyllura të Evropës, ne jemi burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat që në prill të viti 2009 firmosëm  në Strasburg anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.Ne në këtë shesh dhe mbarë shqiptarët  kremtojmë 8 dhjetorin më krenar se kurrë sepse vimë pasi kemi shndërruar në realitet ëndrrën atlantiste të kombit shqiptar. Sot flamuri ynë kombëtar valëvitet  në Bruksel në mes të flamujve krenarë të Aleancës  më të madhe të lirisë së kohërave. Sot liria e Shqipërisë, liritë e shqiptarëve janë më të sigurta se kurrë, mjerë kush do të guxojë .

Zoti e bekoftë NATO-n, kombet anëtare të saj!

8 dhjetori është dita e marshit të lirisë sonë drejt Evropës, drejt anëtarësimit  të plotë në BE, drejt fluturimit tonë pa viza në hapësirën e pafundme evropiane. Për ne, studentet dhe studentët,  të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë që shembën perden e hekurt, që shembën bllokun barbar të tiranisë, pasi u rikthyem në pushtet shembëm murin e krimit dhe të korrupsionit,zhbllokuam integrimin e Shqipërisë në Evropë, firmosëm marrëveshjen e stabilizm-asociimit, pranimin e kërkesës sonë për anëtarësim në BE.

Sot ne jemi shumë, jemi më shumë se kurrë më parë, ne së bashku do të ndërtojmë Shqipërinë evropiane, Shqipërinë e ëndrrës sonë biblike, Shqipërinë zonjë midis zonjave në Evropë.Ndaj dhe nga ky shesh së bashku me ju le të ftojmë çdo shqiptar të bashkohet me ne, të bashkohet me uraganin tonë të integrimit të plotë të Shqipërisë në Evropë.

Zoti e bekoftë Evropën!

Zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra! Ne që së bashku shembem mure , blloqe dhe diktatura ne së shpejti do të fshimë kufijtë dhe do të lëvizim të lirë në mbarë Evropën. Ndaj dhe sot unë ftoj shqiptarët të bashkohen me ne për një Shqipëri pa viza, për një Shqipëri në Evropë, sikundër në emër tuaj më lejoni që me plehrat e bllokut të djeshëm , me kockat e mafies do të tentojnë të na pengojnë, se garancia jonë e plotë dhe totale është mafies do ti tregojmë ligjin me të gjithë rreptësinë e tij, kurse plehrave të bllokut ne koshin e historisë që meritojnë.

Qytetarë dhe qytetare të mbarë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë!

Jemi bashkuar sot në këtë shesh, me shumë se kurrë në historinë e tij; jemi sot këtu për të nderuar veprën tuaj të madhe, lirinë e fituar me 8 dhjetor. Jemi sot këtu për t’u zotuar se lirinë do të kemi më të çmuarën; se ne së bashku me lirinë dhe vlerat e saj, do të ndërtojmë Shqipërinë e idealeve të dhjetorit, Shqipërinë e vlerave të mëdha, Shqipërinë e burrave dhe grave, të rinjve dinjitozë, Shqipërinë e familjes shqiptare, Shqipërinë evropiane. Ndaj dhe së bashku le ta shpallim nga ky shesh, 8 dhjetorin festën tonë kombëtare.

Rrofshi ju, rroftë rinia e Shqipërisë, Zoti i bekoftë të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi!


08/12/2009


  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

Komento comment Komentimet (0 të postuar)

Lajmet:

Te gjitha te drejtat e rezervuara