Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
Zoti Pierre Lellouche u shpreh se ‘një ditë ju do të jeni anëtarë të BE-së, Franca e mbështet plotësisht këtë. Ne kemi punuar që kandidatura juaj t’i transmetohet Komisionit Evropian sa më shpejt dhe ju e dini që keni mbështetjen tonë të plotë në këtë proces Kryeministri Berisha priti sot Sekretarin e Shtetit francez për Çështjet Evropiane, zotin Pierre Lellouche.
Më poshtë, vijon e plotë deklarata e Kryeministrit Berisha dhe zotin Pierre Lellouche:
Kryeministri Berisha: “Zonja dhe zotërinj,
Me sekretarin e Shtetit francez për Çështjet Evropiane zotin Pierre Lellouche, mik i shquar i Shqipërisë dhe kombit shqiptar, kemi diskutuar gjerësisht mbi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale që ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Francës dhe përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Ishte një rast i shkëlqyer për mua që t’i shprehja mirënjohjen më të thellë Presidentit Sarkozy për mbështetjen e fuqishme që i ka dhënë Shqipërisë në përpjekjen e saj për integrimin në Bashkimin Evropian. E njoha z. Pierre Lellouche me të gjitha përpjekjet tona, reformat e thella politike, ekonomike, sociale e të gjithanshme, luftën kundër korrupsionit, kriminalitetit dhe mafies që ne të përmbushim detyrimet dhe standardet që kërkohen në procesin e integrimit. Gjithashtu, ne diskutuam edhe për qëndrimin e opozitës jashtë Parlamentit. E sigurova se unë, qeveria dhe mazhoranca mbetemi plotësisht të hapur për një bashkëpunim me opozitën në interesin më të mirë të vendit dhe se kemi bërë ofertën tonë në këtë aspekt. Edhe një herë dua të falënderoj zotin Pierre Lellouche për vizitën në Shqipëri dhe një mirënjohje shumë të veçantë i shpreh për mbështetjen e tij të madhe gjatë periudhës që ka kryesuar Asamblenë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Rezoluta e Parisit ka qenë një mbështetje shumë e fuqishme në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Zoti Lellouche më premtoi se do të inkurajojë investitorët francez të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, të përfitojnë nga mjedisi shumë i mirë që është krijuar për investimet.
Deklarata e sekretarit të Shtetit francez për Çështjet Evropiane, z.Pierre Lellouche:
“Faleminderit, zoti Kryeministër!
Jam shumë i lumtur që ndodhem në Tiranë, unë kam ardhur disa herë në Shqipëri që prej viteve të para të tranzicionit demokratik. Zoti Berisha tha se Franca ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë në ndërtimin e demokracisë, dhe ne të dy njihemi që prej 20 vitesh. Jam i gëzuar gjithashtu që vij në një moment kur Bashkimi Evropian ka konstatuar një progres të vërtetë në Shqipëri. Marrëveshja Stabilizim Asociimit ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2009-të. Gjithashtu, zoti Berisha takoi në prill në Francë, Presidentin Sarkozi dhe në lidhje me zgjedhjet e qershorit në Shqipëri, Këshilli Evropian i transmetoi Komisionit Evropian me mbështetjen e të gjitha vendeve evropiane dhe të Francës, kandidaturën e Shqipërisë në BE. Ky është një hap shumë i rëndësishëm në procesin e gjatë të hyrjes së Shqipërisë në familjen evropiane. Një ditë ju do të jeni anëtarë të BE-së, Franca e mbështet plotësisht këtë. Ne kemi punuar që kandidatura juaj t’i transmetohet Komisionit Evropian sa më shpejt dhe ju e dini që keni mbështetjen tonë të plotë në këtë proces. Ne duam gjithashtu të mbështesim politikën konstruktive të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit, ku ju keni qene një forcë moderuese. Do të doja të kishte më shumë forca moderuese në këtë rajon, do të ishte më mirë për të gjithë.Gjithashtu, Bashkimi Evropian ka marrë përgjegjësitë e saj dhe duhet të përfundojë misionin për stabilizimin e rajonit në të gjithë Ballkanit. Ne e dimë, nuk është e lehte, ka disa tema delikate si kudo, por perspektiva evropiane është thelbësore për stabilizimin e të gjithë rajonit.
Ne i jemi shumë mirënjohës Shqipërisë për rolin e saj në rajon, Kosovë dhe Maqedoni.
Unë jam pak i dëshpëruar për faktin që Franca nuk është shumë e prezantuar në Shqipëri, është një paradoks se kemi qenë më prezent gjatë kohës së diktaturës dhe konstatoj se jemi shumë më larg se italianët dhe grekët , unë i dua shumë italianët dhe grekët , por mendoj se ndërmarrjet tona duhet të jenë më shumë prezent, sidomos në fushën e infrastrukturës. Nga ana jonë do të mundohemi të mobilizojmë më shumë ekipin francez.
Faleminderit shumë!"
Më pas, kryeministri Berisha dhe sekretari i Shtetit francez për Çështjet Evropiane z.Pierre Lellouche i’u përgjigjën interesit të medias:
Pyetje: Kryeministri Berisha foli se ju keni diskutuar për opozitën shqiptare, e cila është jashtë Parlamentit. Cili është qëndrimi juaj pas informimit që bëtë?
Z. Pierre Lellouche: Mendimi ynë është shumë i thjeshtë, principi bazë i demokracisë është që sapo zgjedhjet mbarojnë dhe në momentin që KQZ nxjerrë rezultatin duhet të pranohet ndryshimi, ai që fiton merr pushtetin dhe ai që humb do të kalojë në opozitë. Por pranimi i kësaj alternance është baza e demokracisë. Kjo duhet të pranohet mirë në kokë sepse është rregull absolut sepse nëse nuk pranohet ndryshimi i pushteteve atëherë është regjim diktatorial.
Unë e kuptoj se demokracia mund të mos jetë perfekt ,mund te këtë kundërshtime, por koncepti tjetër bazë në këtë rast, kur ka kontestime, gjithçka rregullohet përmes drejtësisë dhe dialogut. Unë bëj thirrje në interes të Shqipërisë dhe integrimit të saj në Evropë, ashtu siç kanë bërë komisioneri Rehn, dhe ajo që mund të bëj unë është vetëm një thirrje për dialog, sepse përndryshe do të dukej si ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë, pra thirrje për alternancë dhe dialog.
Pyetje: Është e vërtetë që ka përfunduar një kontratë për shitjen e helikopterëve të Francës?
Kryeministri Berisha: Është e vërtetë që është bërë një tender në përputhje më të gjitha rregullat dhe ligjet e Shqipërisë dhe këtë tender e ka fituar një konsorcium franko – gjerman, në mos gaboj, është një ndër konsorciumet më të mëdhenj në Evropë dhe në botë që ndërton Air Bus, Aerokopter. Kjo është e vërtetë.
***
Z. Pierre Lellouche: Në mbyllje, duke shprehur kënaqësinë që isha me ju, do të jem i lumtur nëse shumë shpejt jeta parlamentare evropiane në Shqipëri do të jetë normale dhe t’i jepet fund situatës anormale të bojkotit.
Kryeministri Berisha: Gjithashtu, dua të garantoj zotin Lellouche dhe qeverinë franceze se mbetem gjithnjë i hapur për një bashkëpunim me opozitën në të gjitha reformat e mëdha. I kam kërkuar opozitës që të hartojë të gjitha amendamentet e sugjeruara nga OSBE/ODIHR për zgjedhjet e ardhshme. Dhe, çdo problem, dokument apo fakt që ka përzgjedhjet e shkuara le t’i paraqesë para institucionit të akuzës dhe organeve të drejtësisë. Ajo ç’ka unë nuk imagjinoj, nuk e imagjinon as edhe një qytetar i lirë në Evropë apo në botë, është që politikanët të marrin edhe vendimet gjyqësore.





Politikë
Publicistike
Libra të rinj


