Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
Kjo është një vizitë kulmore, pasi 543 vjet më parë, më 12 dhjetor, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar, Skënderbeu u prit në Vatikan, nga Papa Pali II, për të mbrojtur vokacionin perëndimor të kombit shqiptar.
Në dhjetor të viti 1990, të parët e më të parëve, që erdhën për të mbështetur opozitën shqiptare, që erdhën për të mbështetur shqiptarët në rrugën e lirisë, ishin përfaqësuesit e Papës Gjon Pali II, monsignor Vicenzo Paglia dhe të dërguar të tjerë të Vatikanit, të cilët na shoqëruan ne, na ndihmuan ne, në betejën tonë për të nxjerrë vendin nga diktatura.
Por në memorien e shqiptarëve do të mbetet gjithmonë e gjallë mbështetja e madhe që Vatikani i ka dhënë popullit të Kosovës, në përpjekjet e tij për liri dhe dinjitet.
Kryeministri Berisha u prit në një audiencë të veçantë nga Shenjtëria e Tij, Papa Bendikti XVI, në Vatikan, së bashku me zonjën e tij Liri Berisha dhe delegacionin që e shoqëronte. Pas ceremonialit të rojeve zvicerane, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim të zgjatur kokë më kokë, me Papa Bendikti XVI, takim i cili kaloi në një atmosferë mjaft të përzemërt. Më pas, Shenjtëria e Tij, takoi edhe zonjën Berisha, si dhe delegacionin që shoqëronte Kryeministrin Berisha. Në takim, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen e thellë papës, për mbështetjen e madhe që Selia e Shenjtë i ka dhënë konsolidimit të demokracisë shqiptare, zhvillimit ekonomik dhe kulturor të vendit, që në fillimet e demokracisë e deri më sot. Gjithashtu Kryeministri Berisha i dorëzoi Papa Benedikti XVI ftesën zyrtare për të vizituar Shqipërinë vitin e ardhshëm, vit që përkon me 100-vjetorin e lindjes të shqiptares të madhe Nënë Tereza. Papa Bendikti XVI u shpreh se Selia e Shenjtë do të mbështesë plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE dhe zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Ky takim do të mbetet i pashlyer në kujtesën e të pranishmëve, pasi pikërisht 543 vjet më parë, më 12 dhjetor 1466, Papa Pali II do të priste në Vatikan, në audiencë Gjergj Kastriot Skënderbeun, ditë të cilën Kryeministri Berisha, e cilësoi një datë të paharrueshme.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha u shpreh para mediave:
Në radhë të parë dua të theksoj, se ishte një takim I shkëlqyer, jashtëzakonisht I përzemërt. Ishte një rast shumë I veçantë për mua, për t’i shprehur Shenjtërisë së Tij, mirënjohjen më të thellë, timen dhe të mbarë shqiptareve. Kombi shqiptar dhe Vatikani, kanë një histori të gjatë bashkëpunimi aleance, rreth vlerave të mëdha të njeriut, të shoqërisë dhe besimeve. Por unë gjithashtu, kisha një rast akoma më të veçantë, sepse duhet ta dini se në dhjetor të viti 1990, të parët e më të parëve, që erdhën për të mbështetur opozitën shqiptare, që erdhën për të mbështetur shqiptarët në rrugën e lirisë, ishin përfaqësuesit e Papës Gjon Pali II, monsignor Vicenzo Paglia dhe të dërguar të tjerë të Vatikanit, të cilët na shoqëruan ne, na ndihmuan ne, në betejën tonë për të nxjerrë vendin nga diktatura dhe për të arritur atë fitore që arritëm më 22 mars të viti 1992.
Një mirënjohje tjetër e madhe, e thellë, ishte se shqiptarët këto 19 vite përjetuan procesin e ringjalljes së vërtetë, ringjalljes së besimeve të mëdha, ringjalljes së vlerave të mëdha, ringjalljes ekonomike, ringjalljes sociale. Në të gjitha këto fusha, Selia e Shenjtë ka kontributin e vet madhor, si në ringjalljen e vlerave dhe besimit te Zoti, rindërtimin e infrastrukturës shpirtërore të shqiptarëve, ashtu dhe në fushën e arsimit, në fushën e ndihmës humanitare, në fushën sociale, në të gjitha fushat e tjera.
Por në memorien e shqiptarëve do të mbetet gjithmonë e gjallë mbështetja e madhe që Vatikani i ka dhënë popullit të Kosovës, në përpjekjet e tij për liri dhe dinjitet. Interesi direkt i Papa Gjon Palit II, nxjerrjes e tij nga kthetrat e Millosheviçit me anë të dërguarve të tij direkt në Beograd me angazhimin e tij, të gjitha këto janë momente të mëdha në miqësinë midis Vatikanit dhe Shqipërisë. Natyrisht në bisedimet dhe në audiencën shumë të ngrohtë dhe të përzemërt që më rezervoi, i shpreha mirënjohje për mbështetjen e madhe që na kanë dhënë në procesin e integrimit. Papa Benedikti XVI më garantoi se ai dhe Selia e Shenjtë, mbështetin plotësisht procesin e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndjekin me admirim arritjet e vendit në këtë drejtim dhe janë të sigurtë në të ardhmen e shkëlqyer evropiane të Shqipërisë.
Viti që vjen është një vit i madh për mbarë njerëzimin, është 100-vjetori i Nënë Terezës. Unë e shfrytëzova rastin dhe i dorëzova ftesën Shenjtërisë së Tij, Papës Benedikti XVI, të cilin e ka ftuar edhe Episkopati i Shqipërisë, që këtë 100-vjetor, ta kthejmë vizitën e tij në një ngjarje kulmore, në festimin e 100-vjetorit që Nënë Tereza meriton. E njoha gjithashtu me përpjekjet që ne po bëjmë, për ta festuar sa më me dinjitet, për ta nderuar sa më me dinjitet, këtë bijë të madhe të Shqipërisë dhe të mbarë njerëzimit.
Por nuk mund të mos theksoj në këto çaste, një moment kulmor që do të ngelet përjetë në memorien time. Sot e 543 vjet më parë, më 12 dhjetor, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar, Skënderbeu u prit në Vatikan, nga Papa Pali II. Ai erdhi këtu për të kërkuar dhe gjeti mbështetje në përpjekjet e tij legjendare, për të mbrojtur vokacionin perëndimor të kombit shqiptar, vlerat e mëdha të perëndimit në rajon kundër invadorëve. Nuk besoj se do të mund të ishte gjetur gjë e më e bukur, gjë më domethënëse në jetën time, për mua dhe shqiptarët, se sa kjo audiencë, kjo pritje që më akordohet më 12 dhjetor, në këtë përvjetor të madh të marrëdhënieve të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë. Edhe një herë, një mirënjohje shumë të thellë Atit të Shenjtë për audiencën që më akordoi.

KM Berisha dhe bashkëshortja e tij, znj. Liri Berisha me Papa Bendiktin XVI

KM Berisha gjatë takimit me Shenjtërine e Tij, Papa Bendikti XVI
KM Berisha gjatë takimit me Shenjtërinë e Tij, Papa Bendikti XVI

KM Berisha pritet në Vatikan nga Shenjtëria e Tij, Papa Bendikti XVI

Delegacioni shqiptar dhe Shenjtëria e Tij, Papa Bendikti XVI

KM Berisha dhe Ministri i Shtetit të Vatikanit kardinali Tarcisio Bertone
Çifti "Berisha" gjatë audiencës së posaçme me Atin e Shenjtë, Benedikti XVI





Politikë
Publicistike
Libra të rinj


