Kryeministri Berisha përshëndet Kuvendin e 9-të të Partisë Demokratike

Seksionet

Arkivi

He Ma Enj Pr Sht Di
1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031

Newsletter

Dua të kyçem tek newsletter (lajmet në e-mail)

Sondazh: Dizajni

Si ju duket pamja e re e faqes?

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

A ju pëlqehet Artikulli?

(Gjithsej 0 Votime)
Madhësia e shkronjave Decrease font Enlarge font
image

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

- Ne e kemi sekretin e suksesit, ne e kemi suksesin e vazhdimësisë. Ai qëndron në pasionin tonë për lirinë, në përkushtimin tonë për lirinë, për të garantuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve.- Asgjë nuk do të mund ta ndalojë vrapin në ndërtimin e Shqipërisë Evropiane . Shqipëria evropiane nuk mund të jetë tjetër veçse Shqipëria me infrastrukturë më moderne në rajon.- Shqipëria evropiane, do të jetë Shqipëria e zemrës së dhimbsur, Shqipëria evropiane do të jetë Shqipëria me fytyrën më sociale, më njerëzore, ndaj edhe në këtë mandat do të vazhdojmë tëpërparësojmë cilësinë e shërbimit shëndetësor, garantimin e tij për çdo qytetar, si objektiv më absolut.- Kjo maxhorancë, është sot më e vendosur se kurrë të zbatojë me vendosmëri ligjin, të përdorë të gjithë pushtetin që I ka dhënë sovrani në zgjedhjet e 28 qershorit për t’i dhënë përgjigjen më të merituar mafies, e cila nxin çdo ditë, imazhin venditKryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në Kuvendin e 9-të Partisë Demokratike. Duke iu drejtuar të pranishmëve, në fjalën e tij përshëndetëse ai u shpreh:

“Të dashur deputetë e deputete,

Zotërinj ministra,

Drejtues kryesorë të Partisë Demokratike,

Miq dhe të ftuar,

“Së pari, në emër tuaj dëshiroj t'u përcjell një përshëndetje të zjarrtë të gjithë anëtarëve, aktivistëve, simpatizantëve, votuesve të PD-së, të cilët me përkushtimin e tyre bënë që të vijmë në këtë kuvend, si kuvendi i fitores historike, si kuvend i vendimeve të mëdha, si kuvend i horizontit të ri, horizontit të Shqipërisë evropiane. Të përshëndes këtu ju delegatë dhe delegate të kuvendit të madh të PD-së, që me votën tuaj do të përcaktoni sot udhëheqjen e re të Partisë Demokratike për të katër vitet që vijnë, udhëheqjen e arkitektes së fitores së zgjedhjeve të 2011, arkitekten e fitores së zgjedhjeve të 2013, arkitekten e Shqipërisë evropiane, e Shqipërisë zonjë në Evropë.

Rroftë Partia Demokratike!

Një falënderim dhe mirënjohje të veçantë dua t’i shpreh drejtuesve kryesorë të Partisë Demokratike që udhëhoqën fushatën elektorale në të gjitha qarqet  e vendit, anëtarët e stafeve të tyre elektorale që  me përkushtimin e tyre u bënë arkitektë të fitores së merituar të PD-së.

Zonja dhe zotërinj!

Ne mblidhemi sot në këtë kuvend në momentet historike të PD-së, mblidhemi rreth datës së themelimit të saj dhe ulemi sot në këtë kuvend më krenarë se kurrë për këtë forcë politike, e cila u themelua 19 vjet më parë nga trimëria, entuziazmi, kuraja legjendare e studentëve dhe të rinjve shqiptarë. Mendimi më i avancuar intelektual i vendit u përball  me regjimin më të egër, më barbar, më mizor të të gjithë Evropës, regjimin që edhe dy dit pas themelimit të kësaj partie do të ekzekutonte të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi, në kufijtë e Shqipërisë. Regjimi që kishte shndërruar Shqipërinë në një bunker të vërtetë, në megastrehën e mjerimit, në rajon dhe Evropë.Partia Demokratike ato ditë të para të dhjetorit nuk kishte mjete, nuk kishte njohuri për sistemin që do të ndërtonte, por kishte pasionin për lirinë, vendosmërinë për mbrojtjen e saj. Liria është dhe mbetet pasioni ynë, zotimi ynë. Ne u themeluam dhe mbetemi Partia e lirive dhe të drejtave njerëzore, ndaj dhe sot nga ky kuvend zotimi ynë para shqiptarëve është garantimi dhe zgjerimi i lirive dhe të drejtave tuaja, i cili do të mbetet objektivi i parë dhe më madhor i kësaj force politike. Ishte pasioni ynë për lirinë, dashuria për lirinë, respekti ndaj saj që kanë bërë sot që ne demokratët shqiptarë të jemi të vetmit ndër vendet ish komuniste që të festojmë rënien e murit të Berlinit në pushtet dhe ta festojmë atë më madhërishëm se kurrë, ta festojmë atë më fuqishëm se gjithë Evropa, ta festojmë atë me gjysmë milioni shqiptarë në sheshet e kryeqendrës së vendit.Është pasioni ynë për lirinë, vendosmëria jonë për respektimin e saj që bëri që ne të kapërcejmë me sukses vështirësitë më të jashtëzakonshme, bëri që ne në kushtet e një mjerimi total, të një hiperkolektivizmi më të thellë, të dyfishojmë çdo vit të ardhurat për qytetarët shqiptarë, bëri që ne ti rezistojmë një terrori të paparë të rebelimit komunist dhe të largojmë me votën tonë të lirë, ata që në pushtet erdhën me dhunë. Liria është pasioni ynë. Pasioni ynë për lirinë, garantimin e saj, bëri që ne të ulemi sot në këtë sallë me ballin lart, para çdo qytetari shqiptar, para çdo qytetari të Evropës dhe të botës, duke i besuar lirisë dhe vlerave të saj. Ne realizuam në Shqipëri zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kjo përbën krenarinë tonë. Ne përmbushëm një nga misionet tona historike.

Delegatë dhe delegate të Kuvendit të 9-të,

Qytetarë dhe qytetare shqiptarë,

Ne vijmë sot më të vetëdijshëm, më të pasionuar se kurrë ndaj lirisë dhe vlerave të saj, ndaj dhe unë nga kjo platformë dua të garantoj opozitën se do të ketë hapësirën më të madhe, respektin më të thellë, në misionin e saj, sikundër i ofroj në emër tuaj frymën  e bashkëpunimit, të mirëkuptimit për reformat e mëdha, por nga ana tjetër e paralajmëroj se pasioni im për lirinë nuk do të pranojë kurrë që një grusht pinjollësh të bllokut, të mund të nëpërkëmbin vullnetin  e lirisë, vullnetin  e lirë të qytetarëve shqiptarë. Me atë përkushtim që ne realizuam zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend, me atë përkushtim që ne bëmë që Shqipëria të jetë vendi i besimeve  të mëdha fetare dhe tolerancës së shkëlqyer fetare, vendi i mungesës së padive ndaj mediave  dhe shtypit të pavarur, vendi i lirive dhe të drejtave të minoritarëve, vendi i votës së lirë, po me atë përkushtim ne do të mbrojmë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, ndaj dhe unë edhe njëherë nga platforma ju bëj thirrje hiqni dorë nga mentaliteti i etërve tuaj, hiqni dorë sepse betejën me ta e bëmë në vitin 90. Sot ne jemi gati për çdo betejë në mbrojtje të votës së lirë e të vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë.Partia demokratike vjen në këtë Kuvend më krenare se kurrë sepse kjo këtu në këtë sallë por edhe jashtë saj në mbarë Shqipërinë, janë burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat që përmbysën murin e Berlinit, në Tiranë, janë ata që rrëzuan bustet e gjalla, këtu në këtë sallë dhe jashtë saj, janë burrat dhe gratë që në vitet 90 Shqipërinë e hiperkoletivizmit total, Shqipërinë e lirive dhe të drejtave të ndaluara, Shqipërinë  e mjerimit më të thellë e shndërruan në Shqipërinë e tregut, në Shqipërinë e lirive dhe të drejtave të garantuara, në Shqipërinë që ecën e sigurt drejt integrimit në institucionet euroatlantike, Shqipërinë anëtare të këshillit të Evropës. Këtu në këtë sallë dhe jashtë saj janë ata burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat që qëndruan të pamposhtur, që u burgosën, u ekzekutuan, u torturuan, por nuk u mposhtën nga rebelimi i 97 dhe i krijuan vendit opozitën më të fuqishme, opozitën e parë të fuqishme që kishte njohur në historinë  e tij. Këtu në këtë sallë janë ata të cilët në vitin 2005 përzunë nga pushteti ata që erdhën me malavitën dhe rebelimin në pushtet. Këtu në këtë sallë dhe jashtë saj janë ata që me përkushtimin, mundin dhe djersën e tyre shndërruan në realitet ëndrrën madhore të kombit shqiptar, Shqipërinë në NATO. Këtu në këtë sallë dhe jashtë saj janë ata, të cilët me reforma të gjithanshme bënë që më 16 nëntor 27 vendet anëtare të BE-së të pranojnë kërkesën për Shqipërinë anëtare të BE-së. Këtu në këtë sallë janë ata të cilët iu premtuan shqiptarëve se do të lëvizin të lirë brenda vitit të parë të mandatit të dytë në mbarë Evropën dhe ky është realitet. Këtu në këtë sallë janë ata të cilët me reforma të thella dhe të gjithanshme ekonomike Shqipërinë që zhytej çdo ditë në kënetën e korrupsionit,të krimit të organizuar, e nxorën në krye të listës, për luftën kundër korrupsionit, çmontuam një nga një bandat dhe i dhamë asaj tregues të ulët kriminaliteti, më të ulët se mesatarja e BE-së.

Të dashur delegatë, demokrate dhe demokratë kudo që ndodheni,

Partia Demokratike vjen në këtë Kuvend e vendosur për të qëndruar gjithnjë  kokulur, e dëgjueshme, para sovranit, para qytetarëve shqiptarë, për të bërë përpjekjet më të mëdha për të dëgjuar kërkesën, interesin, problematikën e tyre dhe për ta zgjidhur atë. Kjo është parti, e cila arriti të mbijetojë në të gjitha kohërat dhe vjen sot fitimtare për shkakun e vetëm se në qeverisjen e saj vendosi qytetarin të parin. Ndaj dhe sot në emrin tuaj le të garantojmë shqiptarët se aty ku është vuajtja, aty ku është dhimbja, aty ku është lëndimi, aty ku është mundimi, ne do të jemi të parët ne në lehtësimin e tyre, në zgjidhjen e tyre, në mbështetjen  tyre. Ne jemi partia tregut të lirë, por jemi partia e ekonomisë sociale të tregut. Ne si asnjë force tjetër politike në Evropë kemi rritur me mbi 50 % faturën sociale, buxhetin social, financimin për tisutin social të qeverisë shqiptare. Ne e rritëm atë nga 6% në 9 % dhe këtë vit buxheti social për arsimin , shëndetësinë dhe fusha të tjera ka rritjen më të madhe si në asnjë vend tjetër. Ne e nisim qeverisjen në vitin e parë të mandatit të dytë pasi kemi rritur numrin e studentëve nga 52 mijë studentë në 120 mijë dhe ne jemi të vendosur që brenda këtij mandati, numri I studentëve në universitetet e vendit, publike dhe private të tejkalojë 150 mijë. “Shqipëria në shkollë” është dhe do të mbetet motoja jonë, Shqipëria në shkollat moderne, sistem arsimor modern është dhe do të mbetet objektivi ynë madhor. Shërbim shëndetësor të mjekësisë më të lartë, të garantuar për çdo qytetar, kjo do të jetë reforma jonë. Reforma në shëndetësi është një nga premtimet tona madhore. Shqipëria evropiane, do të jetë Shqipëria e zemrës së dhimbsur, Shqipëria evropiane do të jetë Shqipëria me fytyrën më sociale, më njerëzore, ndaj edhe në këtë mandat do të vazhdojmë të përparësojmë cilësinë e shërbimit shëndetësor, garantimin e tij për çdo qytetar, si objektiv më absolut.Rritja e rrogave dhe pensioneve është një tjetër objektiv i zemrës së dhimbsur, i qeverisë së fytyrës njerëzore të shoqërisë shqiptare. Po zotërinj! Ne jemi të vetmit në Evropë, që në kohën e cunamit që përfshiu Evropën dhe botën, guxuam dhe rritëm rrogat dhe pensionet më shumë se kurrë në histori. Ne jemi të vetmit në Evropë që sërish parashikojmë në qershor të vitit që vjen të bëjmë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve në tërë historinë e vendit. Ne po reformojë tërësisht sistemin e ndihmës shoqërore dhe unë jam këtu për t’ju dhënë ju fjalën se brenda këtij mandate nuk do të ketë shqiptarë që të marrë më pak se 2 dollarë në ditë. Po, po Shqipëria duhet të ketë fytyrë njerëzore, Shqipëria duhet të ndahet nga polarizimet, Shqipëria duhet të arkivojë njëherë e përgjithmonë mjerimin. Dhe ne qëndrojmë plotësisht në zotimet tona!

Delegate dhe delegatë të Kuvendit të 9, qytetarë dhe qytetare shqiptarë!

Jeta, siguria e jetës tuaj, pronës tuaj, veprimtarisë tuaj, do të jetë një nga përparësitë më madhore të kësaj qeverisje, ne këtë zotim solemn nisëm ta shndërrojmë ta vazhdojmë dhe ta konsolidojmë çdo ditë e më shumë. Në katër vitet që shkuan, ne shpartalluam dhe vendosëm para ligjit bandat më agresive, më të rrezikshme, më të pamëshirshme, të Shqipërisë, rajonit dhe më gjerë. Por ne, një betejë e madhe na pret dhe kjo është beteja me mafien, me më të pashpirtën, me më shpirtkazmën, me më të rrezikshmen. Ndaj edhe qëndrojmë këtu më të vendosur se kurrë për t’i rezervuar asaj darët dhe gërshërët e ligjit, kudo që ndodhet. Kjo maxhorancë, është sot më e vendosur se kurrë të zbatojë me vendosmëri ligjin, të përdorë të gjithë pushtetin që I ka dhënë sovrani në zgjedhjet e 28 qershorit për t’i dhënë përgjigjen më të merituar mafies, e cila nxin çdo ditë, imazhin vendit, e cila pengon çdo ditë me veprimtarinë e saj kriminale zhvillimin e vendit, e cila gllabëron çdo ditë pasuritë e këtij vendi. Në këtë luftë, në këtë betejë, në këtë përpjeke, në mënyrë absolute nuk ka dhe nuk do të ketë as edhe tendencën më të vogël politike. Ka dhe do të ketë interesin jetik të qytetarit shqiptar, ka dhe do të ketë interesin jetik të zhvillimit të vendit, të lirisë së tregut, të sigurisë së jetës. Por në qoftë se mafia pushton rrugët e kryeqytetit, po në qoftë se mafia gllabëron pronat publike në zemër të Tiranës, ku është shteti, ku është ligji? Ligji dhe shteti, të dashur qytetarë dhe qytetare, kanë përfunduar në shpellat e saj. Nuk do të tolerohet kurrë më!.Edhe një herë nga kjo platformë dua t’u bëj thirrje avokatëve, të cilët çdo orë, çdo ditë akuzojnë qeverinë. Në Shqipëri, cilido do mund të ketë të drejtën e avokatit. Po ju që akuzoni politikisht mund t’u faktoni qytetarëve shqiptarë qoftë edhe një rast të vetëm të veprimit të njëanshëm? A mund t’u faktoni qytetarëve shqiptarë qoftë edhe një rast të vetëm të pallateve mbi rrugë dhe rrugica, ndaj të cilëve qeveria ime nuk do të ketë përgjigje tjetër përveç fadromave të ligjit? A mund të faktoni qoftë edhe një rast të vetëm, që kjo qeveri, ka heshtur para gllabërimeve të qindra mijërave, mos miliona metër katror tokë troje publike në zemër të Tiranës, në brigjet më të bukura të vendit, apo në qytete të tjera, atëherë ju këshilloj se jeni avokatë të pashpresëve. Harrojeni se ne do të pranonim një kompromis, i cili është bërë në emër të interesave më madhore të vendit. Por unë jam Sali Berisha. Jam sot këtu para jush, se gjatë gjithë karrierës time politike, në të gjitha rrethanat dhe situatat jam përpjekur që në emër të tuaj dhe të interesave të qytetarëve shqiptarë të dalloj se kush është interesi kryesor. Por, ta dini ju të dashur delegatë dhe delagate se nuk ka pasur interes më madhor, për ju që jeni sot këtu, për ata që na ndjekin nga kjo sallë dhe për mbarë qytetarët shqiptarë se sa zgjedhjet e lira, zgjedhjet e ndershme. Nuk mund të pranoja unë me asgjë, që të komprometoja këtë proces historik, që nxori Shqipërinë nga lista e zezë e zgjedhjeve të pandershme.

Të dashur delegate dhe delegatë!

Në prill të këtij viti ju në këtë sallë miratuat projektin e Shqipërisë Evropiane. Qytetarët shqiptarë me një betejë njerëzore, votëbesuan këtë projekt, si projektin më të mirë më të shkëlqyer për të ardhmen e tyre. Në një hark kohor tre mujor, kjo qeveri, kjo mazhorancë, mbarë qytetarët shqiptarë, ata që e votuan dhe ata që nuk e votuan, kanë shënuar arritje historike, në procesin e Shqipërisë Evropiane. Vendimin e madh të Brukselit më 16 nëntor për të pranuar kërkesën tuaj dhe të mbarë shqiptarëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, rezolutën e Parlamentit Evropian për të përparësuar me emergjencë heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, sepse qeveria shqiptare, autoritet shqiptare po bëjnë çdo gjë që ky moment të jetë sa më i afërt, po bëjnë reformat më serioze, po marrin vendimet më të rëndësishme që qytetarët e këtij vendi të lëvizin të lirë.Reforma të tjera janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren. Asgjë vrapin në ndërtimin e Shqipërisë Evropiane nuk do të mund ta ndalojë. Shqipëria evropiane nuk mund të jetë tjetër veçse Shqipëria me infrastrukturë më moderne në rajon. Në këtë kontekst, unë ju garantoj ju se investime të mëdha, se projektet e premtuara para shqiptarëve, rruga e Arbrit, Boshti i Jugut, tuneli i Elbasanit, rruga Qafë Plloçë - Qukës, Fierzë - Koman dhe 700 mijë kilometër rrugë do të asfaltohen dhe ndërtohen në mbarë vendin. Ne duhet të vrapojmë për të kapur kohën e humbur, ecja për ne është vendnumëro, për të vrapuar na duhen rrugë të mira, na duhen tunele, na duhen autostrada, na duhet shpejtësia që meritojmë. Shqipëria evropiane do të jetë Shqipëria e qytetarëve me furnizimin me ujë 24 orë. Ne që garantuam furnizimin me energji 24 orë për mbarë qytetarët shqiptarë, ne kemi projekt ne kemi financime, ne kemi vullnetin për të shndërruar këtë projekt të madh në realitet.Shqipëria evropiane, nuk mund të jetë tjetër përveçse Shqipëria e idealeve evropiane të rinisë shqiptare. Janë ata të cilët e shpalosën aq madhërishëm në dhjetor të viti ‘90 idealin e tyre. Jemi ne sot me detyrimin më madhor, që të bëjmë çdo gjë për të rinjtë shqiptarë. Ky mandat do të jetë mandati i rinisë shqiptare, i shkollimit të saj, i punësimit të saj, i rolit të saj madhor në mbarë shoqërinë shqiptare. Shqipëria dixhitale është Shqipëria e moshës së tyre dhe unë kam kënaqësinë t’u informoj ju se këtë projekt të madh, për të rinjtë shqiptarë para së gjithash, por për mbarë Shqipërinë, se ne ulemi sot pasi inauguruam internetin në të gjitha shkollat e vendit;  ne vijmë sot këtu me zotimin solemn për internet me bandë të gjerë në çdo familje shqiptare; ne vijmë sot këtu me zotimin solemn për t’i dhënë mundësi që të ketë kompjuter çdo të riu shqiptar. Ne që në vitin 2010 5-fishuam buxhetin për moshën dixhitale, në vitin 2011 do të 10-fishojmë, në 2012 do të 50-fishojmë që Shqipëria të dalë në krye të listës për përdorimin e internetit në Evropë dhe në botë.

Të dashur delegatë dhe delegate!

Ne sot sërish kemi një armik për njerëzit e lirë dhe ky armik është varfëri dhe akoma më I keq është mjerimi. Ne sot sërish kemi mijëra familje të cilat jetojnë në varfëri të skajshme apo mjerim, ne sot kemi rreth 12 për qind të shoqërisë shqiptare, e cila jeton në varfëri. Nuk mund të ketë objektiv me fisnik, më madhor se luftën e pamëshirshme ndaj kësaj, se mobilizimin e të gjitha mjeteve tona në luftën kundër varfërisë dhe mjerimit, zhdukjen brenda 2 viteve të mjerimit të Shqipërisë,luftën me efiçencë kundër varfërisë. Së pari e theksova objektivin 2 dollarë për frymë, por natyrisht kjo është një luftë mekanike, pasi promotori kryesor i luftës kundër varfërisë është punësimi i qytetarëve shqiptarë. Ndaj edhe ne zotohemi të përshtatim të gjitha politika tona, të gjithë stimujt fiskalë, të gjithë incentivët, në funksion të punësimit të qytetarëve shqiptarë. Zotimi i ynë për 160 mijë qytetarë të punësuar në fund të këtij mandati po jetësohet çdo ditë e më shumë në Tiranë dhe në qendra të tjera të mëdha të vendit.Vetëm këtë vit ne jemi i vetmi vend me rritje prej 59 për qind të investimeve të huaja. Ne do të bëjmë gjithçka që kjo rritje të shumëfishohet gjatë viteve që vijnë, që kjo rritje të orientohet drejt sektorëve të punësimit më të madh. Dhe ne jemi të bindur se krahas kësaj, lëvizja e lirë është gjithashtu një faktor madhor që mundëson shkollimin dhe punësimin e qytetarëve shqiptarë në rajon dhe në mbarë Evropën.

Të dashur delegatë dhe delegate!

Ky është mandati ynë i dytë. Në këtë mandat ne jemi në koalicion me një partner të majtë, me një anëtar të koalicionit, i cili në programin e tij, si shtyllë kryesore ka integrimin e vendit në Bashkimin Evropiane dhe Shqipërinë sociale. Ne ndjehemi të vendosur të jetësojmë çdo ditë krahas programit tonë, programin e partnerëve tanë sepse aspirata e integrimit, ideali evropian, nuk është monopol vetëm i ynë. Këtë ideal e mbështetin 94  për qind e shqiptarëve, pavarësisht nga spektri politik. Ndjehemi shumë krenar, që qëndrojmë në këtë ideal, jemi shumë të kënaqur që në këtë koalicion kemi një parti që përfaqëson interesat e vërteta të elektoratit të majtë. Të vendosur të ecim së bashku në zgjedhjet e 2011, të ecim së bashku në zgjedhjet e 2013, të ecim së bashku në zgjedhjet e 2024. E kemi ne sekretin e suksesit, e kemi ne suksesin e vazhdimësisë. Ai qëndron në pasion tonë për lirinë, në përkushtimin tonë për lirinë, për të garantuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Këtu qëndron sekreti i fitores tonë, këtu qëndron sekreti i suksesit tonë. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!”


  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

Komento comment Komentimet (0 të postuar)

Lajmet:

Te gjitha te drejtat e rezervuara