Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
Përmbyllet Kuvendi i 9-të i PD-së me një rimandatim të Sali Berishës për të drejtuar reformat që do të udhëheqin Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Koalicioni me LSI-në konfirmohet si zgjidhja më e mirë për Shqipërinë Europiane
Kronika - Berisha rizgjidhet kryetar i PD-së, me vetëm 5 vota kundër dhe 5 abstenime/Kryeministri Sali Berisha është rizgjedhur sërish si kryetar i Partisë Demokratike pas votimit që u zhvillua dje prej delegatëve pjesëmarrës në Kuvendin Kombëtar të kësaj force politike. Rezultati i rizgjedhjes së tij s’përbënte asnjë surprizë dhe ka përsëritur procedurën dhe shifrat e regjistruara edhe në kuvendin e shkuar të prillit të 2005-s. Nga 1214 delegatë që votuan në total për procesin e zgjedhjes së kreut të ri të partisë, 5 prej tyre rezultuan që të kenë hedhur brenda kutive të votimit fletë me “Jo”, ndërsa 5 të tjerë kanë abstenuar. Vetë kryeministri, gjatë prononcimit të gjatë të mbrëmshëm për emisionin “Opinion” në Tv Klan, është shprehur i kënaqur me këtë rezultat dhe ka falënderuar të gjithë votuesit që i kanë besuar sërish drejtimin e Partisë Demokratike, edhe pse ishte kandidati i vetëm për t’u zgjedhur.Mbyll punimet Kuvendi i 9-të i Partisë Demokratike. Kryetari i saj dhe njëherësh kryeministri Sali Berisha është votuar në unanimitet të plotë si kryetar i partisë në pushtet edhe për një tjetër mandat. E veçanta e këtij Kuvendi ishte se anëtarësia u shpreh me votë unike gjë e cila u parashikua edhe në shpalljen e kandidaturave, ku përveç kryeministrit Sali Berisha, nuk figuroi kandidat tjetër. Kjo tregon se jo vetëm anëtarësia e thjeshtë e PD, por edhe drejtuesit kryesorë të saj aprovuan rizgjedhjen e kryeministrit Sali Berisha në krye të Partisë Demokratike. Anëtarësia e Partisë Demokratike miratoi krahas ndryshimeve statusore edhe anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, një pjesë e të cilëve u rimandatuan, ndërsa binte në sy një numër i konsiderueshëm kandidatësh të rinj. Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Berisha përshëndeti të gjithë delegatët dhe mbështetësit e kësaj force politike. Berisha u shpreh për luftë me zero tolerancë ndaj efekteve të mafies dhe njëherazi specifikoi prioritetet e mandatit qeverisës në vijim, ku bie në sy rritja e pagave dhe pensioneve në qershor të 2010-ës, ndërtimi i 7000 km rrugë në të gjithë Shqipërinë dhe lëvizja e lirë e të gjithë qytetarëve shqiptarë drejt BE brenda pranverës së 2010-s. Koalicioni me LSI-në tha kryeministri, do të vazhdojë drejt sukseseve të një pas njëshme deri në zgjedhjet e vitit 2024. Vijmë sot në Kuvendin e fitores dhe të Shqipërisë Europiane Në orët e para të mëngjesit të djeshëm nisën punimet e Kuvendit të 9-të të Partisë Demokratike, pas fitores së arritur në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe kuadrimin e Shqipërisë në rrjedhën e proceseve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në fjalën e tij para afro 1500 të pranishmëve, nga të cilët 1260 ishin delegatë, kryetari i Partisë Demokratike, i rikonfirmuar në këtë post me vullnet të shumicës së delegatëve, u shpreh se ky është kuvendi i fitores historike dhe i Shqipërisë evropiane. “Vijmë në këtë kuvend si kuvendi i fitores historike dhe horizontit të Shqipërisë evropiane. Sot zgjidhen udhëheqësit e rinj, arkitektë të ndërtimit të Shqipërisë evropiane. Ne mblidhemi sot në këtë kuvend rreth datës së themelimit të Partisë Demokratike dhe ulemi më krenarë se kurrë për këtë forcë politike që u krijua 19 vjet më parë nga mendimi më intelektual i kohës që sfidoi regjimin më të egër dhe më barbar të viteve të vështira”, u shpreh kryeministri Sali Berisha, duke shtuar se këtu në këtë sallë dhe jashtë saj janë ata burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat që qëndruan të pamposhtur, që u burgosën, u ekzekutuan, u torturuan, por nuk u mposhtën nga rebelimi i 97 dhe i krijuan vendit opozitën më të fuqishme, opozitën e parë të fuqishme që kishte njohur në historinë e tij. “Këtu në këtë sallë janë ata të cilët në vitin 2005 përzunë nga pushteti ata që erdhën me malavitën dhe rebelimin në pushtet. Këtu në këtë sallë dhe jashtë saj janë ata që me përkushtimin, mundin dhe djersën e tyre shndërruan në realitet ëndrrën madhore të kombit shqiptar, Shqipërinë në NATO. Këtu në këtë sallë dhe jashtë saj janë ata, të cilët me reforma të gjithanshme bënë që më 16 nëntor 27 vendet anëtare të BE-së të pranojnë kërkesën për Shqipërinë anëtare të BE-së. Këtu në këtë sallë janë ata të cilët iu premtuan shqiptarëve se do të lëvizin të lirë brenda vitit të parë të mandatit të dytë në mbarë Evropën dhe ky është realitet. Këtu në këtë sallë janë ata të cilët me reforma të thella dhe të gjithanshme ekonomike Shqipërinë që zhytej çdo ditë në kënetën e korrupsionit,të krimit të organizuar, e nxorën në krye të listës, për luftën kundër korrupsionit, çmontuam një nga një bandat dhe i dhamë asaj tregues të ulët kriminaliteti, më të ulët se mesatarja e BE-së”, deklaroi Berisha. Pinjollët e bllokut nuk mund të nëpërkëmbin vullnetin e shqiptarëve Partia Demokratike, theksoi kryeministri, në ditët e para të dhjetorit nuk kishte mjete dhe as njohuri për sistemin që do të ndërtonte, por kishte zotimin e saj për themelimin e lirisë dhe të drejtave të individit. Sipas kryeministrit ishte pasioni për lirinë që bëri të mundur që çdo vit Partia Demokratike dhe qeveria e drejtuar prej saj, të dyfishonte të ardhurat për qytetarët shqiptarë. “Pasioni për lirinë dhe garantimi i saj bën që ne të ulemi në këtë sallë më dinjitozë se kurrë, për zgjedhjet e lira dhe të ndershme që zhvilluam më 28 qershor. Ne përmbushëm misionin tonë”, tha Berisha. Në këtë drejtim, kryeministri i vendit i bëri thirrje opozitës shqiptare që të rikthehet në parlament dhe të marrë vendin që i takon në procesin e gjatë të reformave dhe integrimit të Shqipërisë. “Gjej rastin të ftoj opozitën se do të ketë përkrahje të plotë dhe frymë bashkëpunimi nga mazhoranca. E ftoj opozitën të zërë vendet në parlament”, apeloi kryeministri. Përpos ftesës për bashkëpunim parlamentar, Berisha paralajmëroi se grupi i pinjollëve të rinj të bllokut nuk mund të nëpërkëmbin vullnetin e qytetarëve shqiptarë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Një grusht pinjollësh të bllokut nuk do ia dalin të nëpërkëmbin vullnetin e lirë të qytetarëve. Ne do të mbrojmë vullnetin e qytetarëve. I apeloj, hiqni dorë nga veprimet e etërve tuaj. Zotohem këtu para jush do të mbroj votën e lirë të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Berisha. Në vijim, kryeministri u ndal te reformat e gjëra, duke specifikuar ato ekonomike dhe forcimi i shtetit ligjor. Si përparësi të mandatit të dytë qeverisës kryeministri Berisha specifikoi reformën në sistemin shëndetësor dhe atë në arsim. “Reforma në shëndetësi është një nga premtimet tona madhore. Shqipëria evropiane, do të jetë Shqipëria e zemrës së dhimbsur, Shqipëria evropiane do të jetë Shqipëria me fytyrën më sociale, më njerëzore, ndaj edhe në këtë mandat do të vazhdojmë të përparësojmë cilësinë e shërbimit shëndetësor, garantimin e tij për çdo qytetar, si objektiv më absolut”, tha kryeministri. Berisha garantoi të gjithë qytetarët shqiptarë se me ritmet progresiste të vendit, Shqipëria do të përfitojë regjimin pa viza në BE, brenda vitit të parë të mandatit të dytë. Mafies së organizuar, shteti ligjor do t’i rezervojë darët dhe gërshërët e ligjit Në sajë të luftës kundër krimit të organizuar dhe bandave më të rrezikshme në vend, kryetari i PD shtoi se u arrit të çmontoheshin fenomenet e krimit. “Në katër vitet që shkuan, ne shpartalluam dhe vendosëm para ligjit bandat më agresive, më të rrezikshme, më të pamëshirshme, të Shqipërisë, rajonit dhe më gjerë. Por ne, një betejë e madhe na pret dhe kjo është beteja me mafien, me më të pashpirtën, me më shpirtkazmën, me më të rrezikshmen. Ndaj edhe qëndrojmë këtu më të vendosur se kurrë për t’i rezervuar asaj darët dhe gërshërët e ligjit, kudo që ndodhet. Kjo mazhorancë, është sot më e vendosur se kurrë të zbatojë me vendosmëri ligjin, të përdorë të gjithë pushtetin që i ka dhënë sovrani në zgjedhjet e 28 qershorit për t’i dhënë përgjigjen më të merituar mafies, e cila nxin çdo ditë, imazhin vendit, e cila pengon çdo ditë me veprimtarinë e saj kriminale zhvillimin e vendit, e cila gllabëron çdo ditë pasuritë e këtij vendi. Në këtë luftë, në këtë betejë, në këtë përpjeke, në mënyrë absolute nuk ka dhe nuk do të ketë as edhe tendencën më të vogël politike. Ka dhe do të ketë interesin jetik të qytetarit shqiptar, ka dhe do të ketë interesin jetik të zhvillimit të vendit, të lirisë së tregut, të sigurisë së jetës. Por në qoftë se mafia pushton rrugët e kryeqytetit, po në qoftë se mafia gllabëron pronat publike në zemër të Tiranës, ku është shteti, ku është ligji? Ligji dhe shteti, të dashur qytetarë dhe qytetare, kanë përfunduar në shpellat e saj. Nuk do të tolerohet kurrë më! Jemi më të vendosur se kurrë, për të vendosur ligjin dhe për ti dhënë pëgjigje mafies. Nëse mafia pushteton rrugë të kryeqytetit, përvetëson prona publike, ligji nuk duhet të tolerojë kurrë më. U bëj thirrje ‘avokatëve’ të saj të cilët akuzojnë qeverinë, të paraqesin qoftë edhe një rast të vetëm të qëndrimit të njëanshëm. Le tu faktojnë qytetarëve shqiptarë një rast të vetëm të ndërtimit të pallateve mbi rrugë. Jeni avokatë të së pashpresës. Harrojeni çdo kompromis”, deklaroi kryeministri. Rritja më e madhe e pagave dhe e pensioneve, në 2 vite do zhduket varfëria Duke u ndalur te prioritetet e qeverisjes të mandatit në vijim, kryeministri Berisha u shpreh se në qershor të 2010-s, do të realizohet rritja më e madhe e pagave dhe pensioneve në tërë historinë e vendit. Ndjekja e politikave sociale dhe zhdukja e varfërisë do të jetë një nga prioritetet më të rëndësishme, që pritet të marrë përgjigjen e duhur, vetëm pas 2 viteve. “Garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se në qershor të 2010-ës, ne do të bëjmë rritjen më të madhe të pagave dhe pensioneve në tërë historinë e vendit. Brenda dy viteve nuk do ketë shqiptarë në këtë vend që do të marrë më pak se 2 USD në ditë. Zhdukja totale e varfërisë brenda dy viteve do të jetë një luftë mekanike. Zotohem të përshtatim të gjitha politikat sociale. Punësimi i 160 mijë qytetarëve po jetësohet gjithnjë e më shumë”, u shpreh kryeministri. Gjithashtu, kreu i qeverisë theksoi edhe projektet infrastrukturore duke shtuar se katër vitet në vijim do të jetësohen më shumë se 7000 km rrugë në të gjithë vendin. “Shqipëria evropiane nuk mund të jetë tjetër veçse Shqipëria me infrastrukturë më moderne në rajon. Në këtë kontekst, unë ju garantoj ju se investime të mëdha, se projektet e premtuara para shqiptarëve, rruga e Arbrit, Boshti i Jugut, tuneli i Elbasanit, rruga Qafë Plloçë - Qukës, Fierzë - Koman dhe 700 mijë kilometër rrugë do të asfaltohen dhe ndërtohen në mbarë vendin. Ne duhet të vrapojmë për të kapur kohën e humbur, ecja për ne është vendnumëro, për të vrapuar na duhen rrugë të mira, na duhen tunele, na duhen autostrada, na duhet shpejtësia që meritojmë. Shqipëria evropiane do të jetë Shqipëria e qytetarëve me furnizimin me ujë 24 orë. Ne që garantuam furnizimin me energji 24 orë për mbarë qytetarët shqiptarë, ne kemi projekt ne kemi financime, ne kemi vullnetin për të shndërruar këtë projekt të madh në realitet”, theksoi kryeministri. Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri Berisha iu referua ecurisë së koalicionit qeverisës PD-LSI, duke e vlerësuar atë si të suksesshëm dhe në sajë të një bashkëpunimi që pritet të zgjasë deri në zgjedhjet e vitit 2024. “Ky është mandati ynë i dytë. Në këtë mandat ne jemi në koalicion me një partner të majtë, me një anëtar të koalicionit, i cili në programin e tij, si shtyllë kryesore ka integrimin e vendit në Bashkimin Evropiane dhe Shqipërinë sociale. Ne ndjehemi të vendosur të jetësojmë çdo ditë krahas programit tonë, programin e partnerëve tanë sepse aspirata e integrimit, ideali evropian, nuk është monopol vetëm i ynë. Këtë ideal e mbështetin 94 për qind e shqiptarëve, pavarësisht nga spektri politik. Ndjehemi shumë krenar, që qëndrojmë në këtë ideal, jemi shumë të kënaqur që në këtë koalicion kemi një parti që përfaqëson interesat e vërteta të elektoratit të majtë. Të vendosur të ecim së bashku në zgjedhjet e 2011, të ecim së bashku në zgjedhjet e 2013, të ecim së bashku në zgjedhjet e 2024. E kemi ne sekretin e suksesit, e kemi ne suksesin e vazhdimësisë. Ai qëndron në pasion tonë për lirinë, në përkushtimin tonë për lirinë, për të garantuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Këtu qëndron sekreti i fitores tonë, këtu qëndron sekreti i suksesit tonë”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij para delegatëve, ministrave, deputetëve dhe të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike, me rastin e mbajtjes së punimeve të Kuvendit të 9-të, për të bërë analizën e zgjedhjeve dhe përcaktimin e sfidave të ardhshme në qeverisjen e vendit. Në këtë Kongres u miratuan strukturat e reja drejtuese të PD, bashkë me kryetarin, ku kreu aktual Sali Berisha u rikonfirmua në unanimitet të plotë. Kuvendi i PD - Miratohen ndryshimet statutore. Ridvan Bode shpjegon ndryshimet “Statuti i ri, në përshtatje me sistemin e ri zgjedhor” Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike miratoi dje në unanimitet të plotë statutin e ri, bazuar në projektin e hartuar nga një komision i posaçëm. 1260 delegatët demokratë të pranishëm në këtë Kuvend, shprehën votën e tyre ‘pro’ ndryshimeve statusore. Duke prezantuar ndryshimet në statut, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, u shpreh se statuti i ri konsiston në përshtatjen e sistemit të zgjedhjeve brenda selisë blu me ato të përgjithshme. “Duke qenë forca më e madhe politike në vend, në statutin e ri përfaqësimi merr në konsideratë edhe mbështetjen e madhe nga anëtarësia e PD-së, por edhe mënyrën e re të formësimit dhe përfaqësimit të anëtarëve në të gjitha organet”, deklaroi Bode, lidhur me ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike. Sipas tij, përveç përfaqësimit me votë, bëhet fjalë për një përfaqësim që e bën Partinë Demokratike më të hapur dhe më të ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve. “Është një përshtatje për ta bërë sa më fleksibël dhe më të përshtatshëm për organet drejtuese vendore dhe qendrore të partisë. Parimi një anëtar një votë është pjesë e Partisë Demokratike”, u shpreh më tej, Bode lidhur me statutin e ri të partisë. Duke shprehur bindjen se PD po konfirmon vlerat që mundësuan fitoren e saj në zgjedhjet e 28 qershorit, Ridvan Bode shprehu bindjen se, “Kuvendi Kombëtar i PD-së zgjedh atë shtab politik që do të bëjë të mundur projektin e Shqipërisë evropiane. Këshilli Kombëtar është një nga forumet më të rëndësishme të partisë. Mbi 60 për qind e kandidatëve të propozuar janë të rinj”, tha Bode. Për sa i përket ndryshimeve në statutin e partisë, Bode shprehu bindjen se ato do të reflektojnë dhe do t’i përgjigjen stadit të zhvillimit të vendit. Ndryshimet kryesore në statutin e Partisë Demokratike 1. Përshtatet sistemi i zgjedhjeve në parti me sistemin e zgjedhjeve të përgjithshme 2. Përfaqësimi merr në konsideratë edhe mbështetjen e madhe nga anëtarësia e PD-së 3. Krahas përfaqësimit me votë, do të ketë edhe një përfaqësim që e bën Partinë Demokratike më të hapur ndaj shqetësimeve të qytetarëve.





Politikë
Publicistike
Libra të rinj


