Beogradi - dëmtues, Haga - paqëtuese

Seksionet

Arkivi

He Ma Enj Pr Sht Di
1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031

Newsletter

Dua të kyçem tek newsletter (lajmet në e-mail)

Sondazh: Dizajni

Si ju duket pamja e re e faqes?

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

A ju pëlqehet Artikulli?

(Gjithsej 0 Votime)
Madhësia e shkronjave Decrease font Enlarge font
image

Ndoshta, në gjysmë shekullin e fundit, gjyq  me përmasë planetare, i  kërkuar ndonjëherë nga një shtet i vogël kundër një shteti edhe më të vogël, në të cilin u përfshinë që nga vendi më gjigand i  botës deri te ishullorë me popullësi të paktë, ishte ky, i nxitur nga Serbia kundër Kosovës!
Ndoshta, ky gjyq ishte më i çuditshmi, që ka ndodhur mes vendesh, sepse një shtet vrasës - Serbia, paditi një shtet viktimë - Kosovën!
Ndoshta, akuza më e kotë e ngritur nga ndonjë politikë ishte kjo e Serbisë; miratimi më i kotë nga OKB i ndonjë kërkese për gjykim ishte kjo e Serbisë; dhe, gjyqi më i kotë i filluar ndaj një shteti ishte pikërisht ky, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me padinë e Serbisë kundër të drejtës së përmbushur të popullit të Kosovës!
Serbia, më në fund, nuk është më në Kosovë, ku ajo nuk duhet të ishte as më parë. OKB është organizata botërore që mbikëqyri ngritjen e administratës së shtetit të ri. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka punë me krimet kundër njerëzimit, ndërsa pavarësia është veçse për t’u marrë nën mbrojtje, si e drejtë e ligjshme e popullit dhe si viktimë tragjike e politikës kriminale të Beogradit.
Në Gjyqin e Hagës, Kosova u dërgua nga vendi kolonizator, e sulmuar ushtarakisht nga shteti agresor, e vrarë nga terrorizmi shtetëror. Ndërsa, në Hagë duhet të ishte gjykuar shteti serb, me një akuzë ndërkombëtare, si vend që zbatoi luftën për spastrim etnik.
Në Gjyqin e Hagës, pavarësinë e Kosovës e mbështetën Shqipëria, SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Arabia Saudite, Austria, Bullgaria, Kroacia, Danimarka, Hollanda, Norvegjia, Finlanda dhe Jordania, ndërsa Serbia u përkrah nga Rusia, Kina, Spanja, Brazili, Argjentina, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia, Rumania, Qipro, Venezuela dhe Vietnami, me një raport shifror të tillë: 14 shtete dëshmuan për Kosovën, 12 shtete dëshmuan për Serbinë, para 15 gjyqtarëve, 8 prej të cilëve ishin nga vende që e kanë njohur pavarësinë dhe 7 nga shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Ajo që bën përshtypje është se, Serbia pati në gjyq mbrojtjen e Rusisë dhe Kinës, dy shtete të mëdha, larg e shumë larg prej kufijve të saj, të cilat kanë probleme me vetveten. Por, mbështetja më të besueshme ishte nga dëshmitarë të pranishëm në vendin e krimit. Zëri i shteteve të vogla, fqinjë me Serbinë, që njohin pavarësinë e Kosovës, ka forcë të mbysë zhurmimin përkrahës të dy shteteve të fuqishëm, që zotërojnë madhësi por në anën e tyre nuk është e drejta. Vendet fqinjë i dinë gjërat mirë, sepse popujt e tyre kanë bashkëjetuar në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, i njohin problemet, thellësisht dhe nga brenda. Sllovenia, e para e pavarur nga ish-Jugosllavia, pati fatin domethënës, të mbante presidencën e radhës të BE, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe, me rolin e saj, Ljubljana vërtetoi përmbajtjen mbi konceptin e lirisë dhe vetvendosjes. Kroacia mbetet një shtet i arsyetimit politik të kthjelltë ndaj aktit historik të Kosovës. Maqedonia mori qendrimin e duhur, sepse duke mbështetur Kosovën mbrojti edhe interesat e pavarësisë së saj. Mali i Zi kreu dy akte njëherësh me njohjen e Republikës së Kosovës: u shkëput nga politika e Beogradit për një çështje thelbësore dhe ky hap i shërbeu si ndjesë e heshtur për bashkërreshtimin me Serbinë kundër NATO-s dhe Kosovës. Kur përkrahësit i kërkon larg nëpër glob, nga Bolivia në Vietnam, përveç që është mjerim në politikën fqinjësore, më shumë tregon se Serbia s’ka aspak të drejtë. Shtetet e mëdha mbështetëse të saj, apo dy vende ballkanike, Rumania e Qipro, kauzën e padrejtë të Beogradit, gjyqin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe vetë Serbinë, i përdorën për mbrojtje të vetvetes nga probleme të brendshme.
Në Gjyqin e Hagës, Bashkimi Europian ishte një mbrojtës i pavarësisë e jo përkrahës i Serbisë, sepse 22 shtete të tij e kanë njohur Republikën  e Kosovës, dhe vetëm 5 vende mbeten ende kundërshtuese, fatkeqësisht Spanja një ndër to. Ky numër i madh mbështetësish dhe numri shumë i vogël i përkrahësve të Serbisë, tri prej tyre vende ballkanike - Greqia, Rumania dhe Qipro, duhet t’i kallte droje Serbisë për të shkuar në Hagë.
Në Gjyqin e Hagës, Serbia e akuzoi Kosovën për faj kolektiv, ndërsa politika botërore, pas luftës, bëri përpjekje të posaçme ta ruante Serbinë nga një dënim moral, duke e shpëtuar atë nga akuza për faj kolektiv, në spastrimin etnik të Kosovës. Beogradi politik, kur e pa se i shpëtoi klasifikimit të Serbisë si fajtore kolektive në katër luftëra, u gjallërua pak nga pak dhe, bëri transferimin e fajit të vet kolektiv te shqiptarët, duke ua hedhur pavarësinë në gjyq si një zgjidhje me miratim gjithëpopullor. Ajo u përpoq që ata të dënohen kolektivisht në Hagë, edhe pse pavarësimi ishte hapi më i madh i kompromisit, sepse po të ishin të lirë të vendosnin, ecja do të kishte ndalur te bashkimi i shqiptarëve.
Gjyqi i Hagës do të shprehet ose edhe mund të mos shprehet, por Serbia nuk ndalon së qëni agresore. Ajo, përveç që nuk pajtohet me realitetin e ndodhur, mban edhe luftën e ftohtë: keqpërdor pakicën serbe, me kushtetutë mbetet kolonizatore, ndërmerr veprime diplomatike dëmtuese, nxjerr deklarata acaruese, deri edhe hedhjen në gjyq të Kosovës.
Në Hagë gjyqi u bë, por vendimi nuk çbën ato që kanë përfunduar - çlirimin me sakrificat e shqiptarëve e luftën e NATO-s dhe pavarësimin me vullnetin e popullit e mbështetjen ndërkombëtare. Kështu, në një kuptim, gjykimi i kryer mund të merret si një kotësi e të thuhet: përse u bë gjyqi?
Përveç vendimit që pritet të merret, gjithë të tjerat janë parathënë, siç është shtjelluar shpesh herë që, gjykata edhe mund të mos shprehet, apo shprehja të jetë diçka e mjergullt e aspak deturuese, ose si të thuash 50 me 50, domethënë bardhë - bardhë, ose paqë - paqë, pa një rezultat lufte fitues - humbës, por dy shtete, Serbia e pavarur dhe Kosova e pavarur, të dy fitues, dy popuj fqinj të vjetër me status fqinjësor të rivendosur. Gjyqi i Hagës mund të japë një vendim i cili të mos mund të merret si triumf i asnjërës palë, për të mos futur mes tyre një ngatërresë më tepër, që të shtyjë edhe më larg paqën mes dy vendeve fqinjë, e ashtu të shtonte një pështjellim juridik midis dy popujve që shpejtojnë njëkohësisht drejt Bashkimit Europian. Beogradi e ka ditur dhe e di që pavarësia është e pakthyeshme, por edhe me gjyq sillet të mbetet dëmtues i shqiptarëve, kurse Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë do të sillet paqëtues mes Serbisë e Kosovës. Thirrja e përfaqësuesit amerikan, Harold Koh, në gjyq,  që, “Lëreni të qetë pavarësinë e Kosovës, sepse ajo është vullneti i popullit dhe faktor stabiliteti në Ballkan”, thotë shumëçka e gjithëçka, për të mos bjerrë, më dhe kotsëkoti, kohë, diplomaci e politikë, pasi Kosova e pavarur as nuk mund të kthehet pas, as nuk mund të ndalet së ecuri përpara.

Nga Qemal Sakajeva

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

Komento comment Komentimet (0 të postuar)

Lajmet:

Te gjitha te drejtat e rezervuara