Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria dhe autoritetet shqiptare do të punojnë me përkushtim të madh, me një gjithpërfshirje të spektrit politik, të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit, në mënyrë që përgjigjet që do të dërgohen në Komisionin Evropian të jenë më të vërtetat e të vërtetave - Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria mbetet shumë e hapur për të dëgjuar zërin e opozitës, ekspertëve të saj në të gjithë problematikën e madhe që trajton pyetësoriShefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Helmuth Lohan i dorëzoi sot Kryeministrit Berisha pyetësorin, i cili nevojitet për të vlerësuar përgatitjen e vendit për të përmbushur detyrimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe ambasadori Lohan dhanë deklaratë për mediat. Në deklaratën e tij, Kryeministri Berisha e cilësoi marrjen e pyetësorit si një moment historik për vendin dhe shprehu angazhimin se rreth 800 punonjës të administratës shqiptare do të angazhohen me një intensitet të madh në studimin dhe plotësimin e tij, si dhe Komiteti Ndërministror i Integrimit do të shqyrtojë çdo javë ecurinë e këtij procesi. Kryeministri Berisha shfrytëzoi këtë rast për të ftuar kryetarin e Partisë Socialiste që së bashku t’a përshëndesin në një konferencë shtypi këtë moment historik për të gjithë shqiptarët, si një dëshmi e vullnetit të përbashkët të forcave politike për të kontribuar në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.Po sot, në prani të mediave, Kryeministri Berisha i dorëzoi pyetësorin ministres së Integrimit znj. Majlinda Bregu. “Para jush dëshiroj t’i dorëzoj pyetësorin ministres së Integrimit znj. Majlinda Bregu me besimin e madh se me përkushtim do të përmbushim detyrimet tona madhore para qytetarëve shqiptarë, para partnerëve evropian dhe para Komisionit Evropian dhe me garancinë e plotë se Kryeministri do t’i japë të gjithë mbështetjen këtij procesi, i cili është më i rëndësishmi, është 1-shi i të gjitha proceseve dhe të gjitha reformave që ne kemi”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më poshtë vijon e plotë deklarata e Kryeministrit Berisha dhe deklarata e Ambasdorit Lohan:
Kryeministri Berisha: Sot është një moment historik në marrëdhëniet zyrtare ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Një muaj pas vendimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për të pranuar kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, ambasadori i Bashkimit Evropian z. Helmuth Lohan më dorëzoi, në emër të Komisionit, pyetësorin me mbi 2260 pyetje në 384 faqe, i cili duhet të plotësohet nga autoritetet shqiptare dhe t’i dorëzohet Komisionit pas plotësimit të tij.
Në këtë rast, së pari, unë dua të shpreh mirënjohje ndaj Komisionit, i cili brenda një kohë të shkurtër, një mujore, i’a doli të formulojë pyetësorin voluminoz për Shqipërinë. Dua t’a garantoj se qeveria ime dhe autoritetet shqiptare do të punojnë me përkushtim të madh, me një gjithpërfshirje të spektrit politik, të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit, në mënyrë që përgjigjet që do të dërgohen në Komisionin Evropian të jenë më të vërtetat e të vërtetave. Gjithashtu, unë shfrytëzoj këtë rast për të ftuar kryetarin e Partisë Socialiste që së bashku t’a përshëndesim në një konferencë shtypi këtë moment historik për të gjithë shqiptarët, si një dëshmi e vullnetit të përbashkët të forcave politike për të kontribuar në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. E siguroj se qeveria mbetet shumë e hapur për të dëgjuar zërin e opozitës, ekspertëve të saj në të gjithë problematikën e madhe që trajton pyetësori. Siguroj ambasadorin Lohan dhe Komisionin Evropian se rreth 800 punonjës të administratës shqiptare do të angazhohen me një intensitet të madh në studimin dhe plotësimin e tij dhe se Komiteti Ndërministror i Integrimit do të shqyrtojë çdo javë ecurinë e këtij procesi.
Zonja dhe zotërinj,
Duke e mbyllur këtë fjalë dëshiroj t’i shpreh ambasadorit Lohan, stafit të delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Komisionit Evropian në Bruksel, urimet më të mira për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri dhe dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen më të thellë për kartolinën historike që u sollën shqiptarëve për festat e mëdha të fundvitit.
Faleminderit!”
Deklarata e ambasadorit Helmuth Lohan: Faleminderit shumë, Zoti Kryeministër! Faleminderit për urimet për festat e fundvitit. Gjithashtu, edhe unë dëshiroj t’ju përcjell ju urimet tona për festat e fundvitit. Dëshiroj të përcjell urimet tona edhe për punën që është bërë në Shqipëri nga Këshilli i Ministrave, për familjet tuaja, si dhe urimet më të mira për atë punë apo progres shume të madh që ne shpresojmë se do të kemi në të ardhmen për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE gjatë vitit që vjen. Kam pasur nderin që t’i dorëzoja sot z. Kryeministër pyetësorin e Komisionit Evropian dhe po ashtu pata mundësinë që personalisht t’i përcillja atij urimet personale të Komisionerit për Zgjerimin z. Oli Rehn. Pyetësori është vërtet një hap i ri historik, një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet Shqipëri-Bashkimi Evropian. Pyetësori ka 2280 pyetje të shënuara 384 faqe. Pra, ky është një tregues i seriozitetit me anë të të cilit Komisioni Evropian po përpiqet që të kuptojë në mënyrë gjithëpërfshirëse informacionin për sa i përket përgatitjeve të Shqipërisë dhe hapave që po ndërmerren për anëtarësimin dhe sidomos për kriteret e Kopenhagenit. Në këtë kontekst, unë do të dëshiroja që të theksoja edhe një herë rëndësinë tepër të madhe të atyre që quhen kriteret politike, funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, sundimin e ligjeve apo shtetit të së drejtës, respektin e të drejtave për minoritetet. Komisioni Evropian do t’i analizojë me kujdesin më të madh përgjigjet që do të jepen. Po ashtu, Komisioni Evropian do të përpiqet që të bëjë një vlerësim të ecurisë së prekshme që do të jetë bërë pikërisht në këto fusha. Sigurisht, bëhet fjalë për ato aspekte që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit apo me shtetin e së drejtës, me luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ecuria apo progresi i mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian kërkon reforma të mëtejshme, reforma të vështira. Në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian këto reforma të vështira duhet të bazohen në konsensusin më të gjerë të mundshëm. Për ketë arsye, ne e themi dhe një herë se vendi për debatin politik është në Parlament. Dhe për t’a thënë atë me fjalët e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, në konkluzionet apo përfundimet që ky këshill ka nxjerrë: Bashkimi Evropian u bën thirrje të gjithë partive politike në Shqipëri që të ndjekin një dialog politik konstruktiv duke u përfshirë në Parlament. Unë e mbajta shënim thirrjen që u bë nga Kryeministri për të hapur këtë dialog.
Zoti Kryeministër,
Unë e nisa fjalën time duke ju uruar dhe duke ju përcjellë urimet më të mira për Vitin e Ri, ndërkohë që dëshiroj të jap disa urime të tjera. Ne, Komisioni Evropian, me të gjithë forcën tonë të mundshme urojmë që ky ngërç në situatën politike në Shqipëri të tejkalohet përpara ose në fillim të vitit që vjen, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë përpara ashtu siç dëshirojnë dhe siç e meritojnë të gjithë qytetarët shqiptarë.
Faleminderit!”

KM Berisha në takim me ambasadorin Lohan

KM Berisha dhe ambasadori Lohan gjatë prononcimit për media

KM Berisha dhe ambasadori Lohan

KM Berisha i dorëzon pyetësorin ministres Bregu





Politikë
Publicistike
Libra të rinj


