Disa te verteta per Kosoven, Ameriken dhe Ibrahim Rugoven

Seksionet

Arkivi

He Ma Enj Pr Sht Di
1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031

Newsletter

Dua të kyçem tek newsletter (lajmet në e-mail)

Sondazh: Dizajni

Si ju duket pamja e re e faqes?

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

A ju pëlqehet Artikulli?

(Gjithsej 3 Votime)
Madhësia e shkronjave Decrease font Enlarge font
image

Disa të vërteta për Kosoven, Amerikën dhe Ibrahim Rugoven  

(Me rastin e 20-vjetorit tё themelimit tё Lidhjes Demokratike tё Kosovёs)

Nga Gjekё Gjonlekaj*,New York  

Pas Luftёs sё Dytё Botёrore, Kosova edhe pse nё kushte tё vёshtira politike luante rolin e Shqipёrisё pёr tё gjithё shqiptarёt nё ish Jugosllavi. Nё Kosovё gjetёn mbёshtetje shqiptarёt  nga tri republikat sllave. Shumё tё arratisur  nga Shqipёria u vendosёn nё Kosovё, dhe disa prej tyre qёndruan atje pёrgjithmonё. Pavarёsisht kushteve tepёr tё rёnda politike dhe ekonomike, nё tokёn dardane pёrgatitej lindja e njё Shqipёrie tё Re. Pas largimit nga pushteti federativ i disa politikanёve serb anti-shqiptarё, gjendja nё Kosovё po  bёnte ndryshime pozitive nё tё gjitha fushat. Universiteti i Kosvёs nё Prishtinё u be vatra mё e madhe e pёrparimit tё shqiptarёve nё ish Jugosllavi. Studentёt e kёsaj qendre universitare  u pranuan pёr specializime nё  shumё vende tё Evropёs, deri edhe nё Shtetet e Bashkuara. Mё vone, disa prej tyre,  u bёnё udheheqёs tё lartё tё lёvizjes demokratike nё Kosovё, bile edhe Dr. Ibrahim Rugova ishte specializuar nё akademi perёndimore.

Ibrahim Rugovёn e kisha njohur si student ne Prishtinё nё fund tё viteve ‘60. Ai shoqёrohej shumё me  Rexhep Ismajlin dhe shokun tim, piktorin Mikel Gjokaj. Disa herё kishim udhёtuar sё bashku me tren nga Fushё Kosova pёr nё Pejё. Kishte njё pamje dhe paraqitje tё njё intelektuali par excellence. Nuk ishte mendjemadh. Ishte serioz dhe tregonte pёr shkrimtarё shqiptarё, qё  ishin tё ndaluar nё Kosovё. Prej tij kam dёgjuar pёr herё tё parё pёr veprёn “Kosova Djepi i Shqiptarizmit” tё Hamit Kokolarit. Bisedonte me  respekt pёr Gjergj Fishtёn. E pёlqente shumё kёngёn “Marash Uci”. Prej tij dёgjova pёr autorёt shqiptarё tё Mesjetёs dhe pёr Dardaninё. Shkruante dhe redaktonte revistёn  “Fjala”. Organizonte orё letrare. Bёnte pjesё nё elitёn kulturore tё Kosovёs. Kishte pamje aktori dhe zёri i tij ishte karakteristik, shumё i thellё. Tё gjithё e nderonin si njeri tё ditur.

mes tё janarit  1970 u larguam nga Prishtina. Shkuam nё Itali dhe prej atje u vendosёm nё Shtetet e Bashkuara. Ne fillim kishim shumё nostalgji  pёr vendlindjen tonё, por edhe mё shumё pёr Prishtinёn, sepse atje kishim kaluar ditёt mё tё lumtura tё jetёs. Pas disa vjetёsh nё Amerikё, filluam korrespondencёn me  Rexhep Qosjen, Zef Mirditёn dhe Ibrahim Rugovёn. Profesor Rexhep Qosjen e kishim takuar disa herё nё Institutin Albanologjik. Shkonim atje pёr tё lexuar revistat “Hylli i Dritёs” , “Leka” dhe ndonjё libёr qё nuk gjende, ose ishte i ndaluar. Ne vitet ‘70 dhe ‘80 Rexhep Qosja gёzonte respekt tё madh tek shqiptarёt e Amerikёs, sidomos tek brezi ynё qё kishim lindur pas Luftёs sё Dytё Botёrore. Nё shkrimet letrare dhe nё fjalimet e mbajtura nё pёrvjetore tё mёdha sic ishte 100-vjetori “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, Rexhep Qosja paralajmronte ndryshime historike nё shoqёrinё shqiptare. Ndёrsa Adem Demaci pёr shqiptarёt e Amerikёs ishte simbol i qёndresёs. Brohoritjet pёr Adem Demacin jehonin fuqishёm para Shtёpisё sё Bardhё nё Washington dhe pёrpara Organizatёs Botёrore nё New York.  Por, nuk ekzistonte ndonjё lidhje serioze midis institucioneve amerikane dhe disidentёve, ose intelektualёve shqiptarё tё Kosovёs. Demonstratat e vitit 1981 nё Kosovё i vёshtirёsuan edhe mё shumё lidhjet e Kosovёs me Shtetet e Bashkuara. Nё atё kohё, Jugosllavia ishte vend i privilegjuar dhe veprimet tona anti-jugosllave, qeveria amerikane nuk i shikonte me sy te mirё.  Ishte punё e  veshtirё pёr tё vёnё nё lёvizje makinerinё amerikane nё mbёshtetje tё Kosovёs. Qёndrimet e  shtetit shqiptar ndaj Shteteve tё Bashkuara e bёnin edhe mё tё vёshtirё veprimtarinё tonё. Shqipёria dhe Kosova nuk kishin asnjё lloj pёrfaqёsimi nё Shtetet e Bashkuara. Shqiptarёt  kishin vetёm njё dritare nё tokёn amerikane. Ky ishte “Zёri i Amerikёs”,organ zyrtar i qeverisё amerikane. Pavarёsisht sharjeve dhe fyerjeve qё bёnin qeveria komuniste jugosllave e ajo shqiptare,  “Zёri i Amerikёs” qёndronte pranё popullit shqiptar nё ditёt mё tё vёshtira tё historisё. Ishin gazetarёt amerikanё tё “Zёrit tё Amerikёs” Jolan Naegle dhe Laura Silber dhe shumё tё tjerё qё shkonin nё Kosovё dhe bisedonin me Ibrahim Rugovёn e aktivistёt e  tjerё tё cёshtjes shqiptare. Pranvera e vitit 1989 paralajmronte tragjedinё e Kosovёs. Mihail Gorbacovi, pas vizitёs pesё ditёshe nё ish Jogosllavi, dha urdhёr qё Kosovёs t’i hiqet autonomia. Ne, ketu nё Amerikё, mendonim pёr lidhje tё drejtpёrdrejta tё udhёheqjes shqiptare tё Kosovёs me Shtetet e Bashkuara. Ibrahim Rugova po ngrihej nё horizontin politik ndёrkombetar, mё i sigurt  se asnjё politikan tjetёr i Kosovёs. Viti 1989 pёr Kosovёn ishte tragjik dhe historik. Ishte tragjik pёr gjithato humbje dhe historik pёr 300-vjetorin e vdekjes sё Pjetёr Bogdanit. Pёr shkaqe tё ditura, Pjetёr Bogdani nuk mund tё nderohej nё Kosovё dhe as nё Shqipёri. Menduam qe ta pёrkujtojmё nё New York dhe, me kёtё rast, ftuam disa dijetarё nga Evropa dhe Amerika, midis tyre edhe Ibrahim Rugovёn dhe Engjёll Sedaj. Kёtё vepёr tё madhe kulturore e mori pёrsiper Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrёs”.

Imzot Rrok Mirdita dhe Dom Pjetёr Popaj  vepruan guximshёm  pёr realizimin e kёtij takimi madhёshtor dhe historik. Ndёrsa, kryetari i kёshillit tё kishёs Z. Tonin Mirakaj punoi rёndё dhe shpenzoi shumё pёr realizimin e kёtij simpoziumi,  qё mund tё quhej mё i sukseshmi nё historinё e shqiptarёve tё Amerikёs. Pavarёsisht se isha gazetar i rregullt i “Zёrit te Amerikёs”dhe pjesmarrja jonё nё aktivitetet e komunitetit tonё ishte pothuajse e ndaluar, ne e ndihmuam organizimin, sidomos ardhjen e Ibrahim Rugovёs dhe Engjell Sedaj pёr herё tёparё nё Shtetet e Bashkuara. Gazetarёt e “Zёrit tё Amerikёs” kishin disa privilegje tё vecanta. Dhe, tё gjitha keto privilegje i shfrytёzuam deri nё maksimum pёr tё mirёn e Kosovёs. Qёllimi ynё  ishte lidhja e Prishtinёs me Washingtonin dhe New York-un. Nuk e harrojmё kurrё  mbrёmjen e 6 tetorit tё vitit 1989, kur i dolёm pёrpara Dr. Ibrahim Rugovёs dhe Profesor Engjёll Sedaj nё Aeroportin John F. Kennedy.

U pёrqafuam vёllazёrisht. U pamё pёr herё tё parё pas 20 vjetёsh. Gjatё rrugёs prej aeroportit pёr nё qytet, biseduam pёr shumё cёshtje. Pyetjes pёr gjendjen nё Jugosllavi Ibrahim Rugova iu pёrgjegj: “Jugosllavia ёshtё kotec pulash”. Kjo fjali tregonte se Ibrahim Rugova ёshtё largpamёs. Angazhimi im serioz pёr organizimin e kёtij simpoziumi u mbёshtet fuqishёm nga Drejtori im dhe i Seksionit Shqiptar tё Zёrit tё Amerikёs, Elez Biberaj. Pёr ta transmetuar kёtё ngjarje tё madhe kulturore dhe politike, Elez Biberaj kishte ardhur enkas nga Washingtoni. Pёr cudi kishte shёnuar midis tё tjerash, se gjatё kёtij simpoziumi, tё pranishmit ishin ngritur nё kёmbё 14 herё pёr tё nderuar udhёheqёsin demokrat tё Kosovёs. Mendojmё se ardhja e tij nё Amerikё ishte nje hap i rёndёsishёm historik pёr Kosovёn dhe Rugovёn. Shqiptarёt e Amerikёs u gёzuan, sepse Ibrahim Rugova u pёrshёndet me tё gjithё, pavarёsisht bindjeve tё tyre politike. I shoqёruam  ato ditё pёr vizita nё  disa qendra tё rёndёsishme  politike dhe kulturore, midis tyre edhe Organizatёn e Kombeve tё Bashkuara. Shkuan edhe nё Washington nё Mekёn e Demokracisё amerikane dhe atje u pritёn nga Fran Shkreli dhe Elez Biberaj. U takuan me shumё autoritete tё larta politike amerikane, disa prej tyre miq tё shqiptarёve. Sic duket morёn bekimin e tyre pёr themelimin e institucioneve politike nё Kosovё. Dy muaj mё vonё Ibrahim Rugova dhe bashkёpunёtorёt e tij themeluan Lidhjen Demokratike tё Kosovёs, pikёrisht me 23 dhjetor te vitit 1989, nje dite para Krishtlindjes.

Atё mbrёmje bisedova nё telefon me Ibrahim Rugovёn dhe mё tregoi pёr themelimin e Lidhjes Demokratike tё Kosovёs. Nё fund mё porositi: “Tё lutem thuaj Elez Biberaj tё mё bёjё nesёr telefon, sepse dua tё jape disa shpjegime rreth themelimit tё Lidhjes Demokratike tё Kosovёs”. Une e kreva porosinё dhe tё nesermёn u realizua dёshira e tij.  Lidhjet e mia telefonike  me Ibrahim Rugovёn ishin pothuajse tё pёrditshme. Bile Drejtoria amerikane e “Zёrit tё Amerikёs” nё New York mё kishte tёrhequr vёrejtjen disa herё pёr shpenzime tё mёdha telefonike.

Kёto ditё lexova shёnime nё shtypin e Kosovёs pёr 20-vjetorin e themelimit tё Lidhjes Demokratike tё Kosovёs. Nё ato shёnime nuk pёrmendej fare Amerika, bile as “Zёri i Amerikёs”, qё bёri aq shumё pёr lirinё dhe pavarёsinё e Kosovёs. Kёto janё vetёm disa tё vёrteta pёr Kosovёn, Amerikёn dhe Ibrahim  Rugovёn.     

* autori eshte ish gazetar i “ Zerit te Amerikes”

 

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

Komento comment Komentimet (0 të postuar)

Lajmet:

Te gjitha te drejtat e rezervuara