Vetëflijimi

Seksionet

Arkivi

He Ma Enj Pr Sht Di
1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031

Newsletter

Dua të kyçem tek newsletter (lajmet në e-mail)

Sondazh: Dizajni

Si ju duket pamja e re e faqes?

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

A ju pëlqehet Artikulli?

(Gjithsej 0 Votime)
Madhësia e shkronjave Decrease font Enlarge font
image

Adelina Dardha

  Vetëflijimi

 Tregim          

Kishte dy ditë pa vajtur në punë. Temperatura e djalit e kishte mbajtur në shtëpi. E si mund të  shkonte, duke e pasur mendjen mbrapa? Njeri tjetër s'kishte që të kujdesej për djalin. Burri kishte më se  një vit  emigrant në Greqi. Nuk ishte pajisur akoma me karta greke që të vinte në Shqipëri dhe të çmallej me gruan e me djalin. Edhe sot e kishte marrë në telefon për ta pyetur për Mirin. Temperatura i binte, dhe pas disa orëve i ngrihej prap. Nesër,- mendoi me vete, do shkoj ta çoj në spital. Më mirë ta kontrollonte, se mos i ishin bërë grykët. Mos ndoshta kishte marrë ndonjë virus. Kishte dëgjuar, që në pallatin e saj, edhe dy fëmijë të tjerë, pak më të vegjël se Miri i saj, ishin me temperaturë. I  kishte thënë Sofika kur kishte ardhur për të pyetur për Mirin. I bëri një supë me lëng mishi dhe me pak limon. Do t'i bej mirë lëngu i limonit,- mendoi me vete. Mori pjatën, një lugë dhe po mundohej ta zgjonte nga gjumi djalin. Ai, hapi sytë  ngadalë dhe u mundua t'i buzëqeshte, por dhimbja e trupit e bëri që të nxirrte një “oh” të dalë nga shpirti.  

-   Të lutem mami, nuk mundem. Dua të rri vetëm shtrirë. Mbase më vonë mund  ta provoj.

- Zemër, të lutem, vetëm disa lugë, se të bën mirë. Ke dy ditë pa futur gjë në gojë.   Më kot i lutej, ai tashmë ishte kthyer në anën tjetër. OK më vonë do e zgjoj mendoi me vete dhe do e ushqej pak nga pak.               

Pasi i lau edhe ato dy  pjata që ishin në lavaman, veten e ndjeu të lodhur. Ishte e pagjumë dhe, sikur po i shtereshin fuqitë. Fshiu duart me përparësen që e mbante përpara dhe u ul në kolltuk. Mori pultin e televizorit dhe filloi të kontrollonte kanalet me radhë. Ora shënonte një pas mesnate. Jashtë bënte ftohtë. Hëna ishte mbledhur kruspull atje lart në qiell dhe lëshonte dritat e zbehta mbi çatitë e shtëpive , mbi tarracat e pallateve, mbi majat e pemëve. Rrugët e qytetit ishin zhytur në vetminë e tyre dhe skërmisnin dhëmbët nga i ftohti . Janari i këtij viti kishte qëlluar i thatë, pa shi, por era përplasej nëpër xhama sikur kërkonte edhe ajo pak ngrohtesi, duke zgjatur krahët e saj  poshtë derës së ballkonit, ku një batanije ishte shtruar aty, në dysheme, për t'i bërë rezistencë dëshirës së saj. Sobën me gaz nuk e kishte shuar as edhe nje minutë. E dinte që do harxhohej shpejt bombla e gazit, por nuk mund të linte djalin e saj të sëmure pa ngrohje.              

Nesër, mendoi të merrte në telefon kunatin që të çonte  Mirin në spital. Do i vendoste  edhe shallin e leshit, që mos t'i ftoheshin grykët. Patjetër Agimi do e merrte në telefon nga Greqia pa zbardhur dita mirë. Kur kishte folur sot në darkë, dukej vërtet tepër i shqetësuar.- Amanet djalin, -  i kishte thënë, kur e kishte mbyllur telefonin. Nesër duhet ta çosh patjetër për vizitë tek mjeku. - Mos ki merak, -  ishte përgjigjur. Mos u shqetëso se do i kaloj. Grip do të ketë, por nesër të premtoj se do e vizitojmë.               

Pas një jave, djali mbushte 12 vjeç. Ishte hera e parë që do e festonin pa Agimin. Kur e kishte pyetur djalin se cfarë kishte dëshirë t'i dërgonte babi për ditëlindje. ai ishte përgjigjur se do t’i pëlqente të kishte një palë atlete si ato të Edit. Ia kishte sjellë i ati  nga Greqia. Edhe ai ashtu i donte të bardha me stamp “Nike”. Agimi i kishte blerë edhe një komplet sportiv “Nike” dhe ia  kishte nisur me një shokun e tij. Nesër, ai vinte në Shqipëri. Sa do gezohet djali i mamit,- mendonte nëna e lodhur. Gjithëçka mendonte veç për atë . E kishte të vetëm. Nuk e gëzoi perëndia me një fëmijë tjetër. Ishin munduar goxha. Ku nuk kishin shkuar. Zoti nuk bëri tjetër mrekulli. Ishte e shkruar të mbeteshin vetëm me Mirin.               Ishte vërtet fëmijë i ëmbël. Nga trupi vinte pak i sjkurtër, imcak por ishte plot energji. I ngjante shumëAgimit. Sa vinte edhe bëhej si ai. Jo vetëm sytë bojëqielli e plot jetë, që i shkëlqenin nga drita, por edhe flokët ishin bërë ngjyrë kafe të çelët,  të dallgëzuara, si valët e detit.               

Nëna dremiste aty, e ulur mbi kolltuk, me mendimin që të ngrihej përsëri të kontrollonte djalin. Por, qepallat i ishin rënduar dhe nuk i bindeshin, që të ngriheshin lart. Lodhja kishte bërë punën e saj.  Si në ëndërr,  shifte veten  të veshur nuse dhe njerëzit të mbledhur rreth saj, sikur këndonin. Të gjithë dukeshin të lumtur. Mundohej të dallonte Agimin midis njerëzve, të veshur si dhëndër. Ai qëndronte në një qoshe dhe dukej i mërzitur. Një hije e rëndë i kishte rënë në fytyrë dhe e shifte me qortim, sikur donte t'i thoshte diçka. I buzëqeshi si e zënë në faj. E kishte marrë shumë  malli. Donte t'i puthte si e marrë  buzët e tij që të shuante mallin dhe, pastaj të  harrohej në një përqafim të pafund, sin ë natën e pare të martesës.             

U përmend si e marrë nga gjumi që e kishte pllakosur.  Kërkonte të shoqin me sy, por e kuptoi  që kishte qënë vec në ëndërr. Menjëherë u kujtua djali. Shkoi me vrap tek krevati  i tij. Ai flinte. Dukej si ëngjëll. I vuri dorën tek balli. Ai ishte i ftohtë. Buzët i dukeshin si dy qershija të vogla. I kapi dorën . Akull. Afroi veshin të ndiente frymëmarrjen, të dëgjonte të rrahurat e zemrës së  vogël. Asnjë shenjë jete. E shtrëngoi fort në gji dhe i lutej me dhembsuri nëne, me lotët që i rridhnin çurk. 

-O biri im, o zemra ime, hapi sytë shpirt!

- O bir! Zëri i saj rrahte faqet e murit dhe ngrihej lart në tavan pastaj përplasej poshtë në dysheme. Vajtonte gjithë shtëpia. Edhe soba e gazit i ngriu flakët e saj nga dhimbja. Sikur lutej edhe ajri i dhomës me thirrjet e nënës, që të ndodhte ndonjë mrekulli, duke lëshuar sa më shumë oksigjen për mushkëritë e djalit të vogël.               

Por, ëngjëlli i saj nuk i dëgjonte lutjet e nënës. Ai flinte i qetë në gjumin e përjetshëm. E puthte, e përkëdhelte, shpirti i qante dhe zemra i dhembte. Jo nuk do e linte të ikte i vetëm. Ishte mësuar ta kishte gjithmonë pranë. Ishte jeta e saj, ëndrrat e saj  për ta rritur, për ta burrëruar, për ta martuar, që t'i mbushte shtëpinë me nipër dhe mbesa. Ç'farë kuptimi do kishte jeta e saj tani? 

 – Po iki bashkë me djalin. Nuk mund të duroj  dot dhimbjen,- i shkruajti mbi një letër, me dorën që i dridhej fjalët e lamtumirës.            

E puthi për herë të fundit. Pastaj mori një litar. E lidhi përjashta tek ballkoni dhe u lëshua si një degë mbi pemën e saj. Akrepat e orës ishin ndalur mbi supin  e mëngjezit që tregonte orën pesë. Ishte zbardhur agimi i ditës së re, mbi trupin e saj që lekundej i ngrohtë. Era i shpupuriste  flokët, duke luajtur me gishta, dhe i puthte buzët  gjysëm të hapur nga shtrëngimi i  fytit. Nëpër sy lotët ishin kthyer në copa akulli, kurse dhimbja flinte pa ëndërra, se e kishte me vete dritën e saj përgjithmonë.  Aty afër dëgjoheshin  kuisjet e një qeni. Një zile telefoni binte pa pushim. Ishte Agimi. Merrte nga Greqia të pyeste për djalin.

  • email Dërgo në e-mail shokut
  • print Verzioni për printim
  • Add to your del.icio.us del.icio.us
  • Digg this story Digg this

Komento comment Komentimet (0 të postuar)

Lajmet:

Te gjitha te drejtat e rezervuara