Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
LUSHNJE
(Internimet e viteve 1954-1990)
Simon Miraka
Ndoshta për vetë pozitën e saj, larg kufijve tokësorë dhe detarë për t’u kontrolluar më lehtë nga Sigurimi dhe organet e Diktaturës, Lushnja u përcaktua si “epiqendra e kampeve te internimit”. Por nga ana tjetër ekonomikisht, Lushnja ishte ferma më e madhe e kishte nevojë për krahë të lirë pune. Kështu të internuarit e ardhur nga kampe te ndryshme u vendosën si robër lufte të punonin në disa sektorë, si Savër, Plug, Gjazë, Çermë. Me vone një pjesë do të shkonin në Gradisht dhe Grabjan.
Mbas vdekjes së Stalinit trajtimi i të internuarve ndryshoi. Rrethimi me tela u hoq, por jo rrethimi i vërtetë: ai i pa dukshmi. Ky rrethim i ri quhej apeli. Për të gjithë të internuarit, Apeli thirrej dy herë në ditë: nga policia dhe nga brigadjeri.
Në vitin 1955 internimi u formalizua disi. U krijua komisjoni i internim dëbimeve. Ky komisjon mblidhej një here në pesë vjet, duke qenë se dënimet jepeshin nga pesë vjet. Me dëbim duhet kuptuar, shkalla më e ulët e internimit, heqja e apelit, lëvizje e kufizuar në disa qytete te përcaktuara nga M. Brendëshme. Gjatë kësaj perjudhe të internuarit u pajisën me një leje qarkullimi. Kjo leje tregonte se ata mund të lëviznin brenda rrethit, por gjithmonë duke u paraqitur dy herë në apel, në mëngjes dhe në darkë, sipas orarit të vënë nga Dega e Punëve të Brendëshme. Filluan të jetojnë me të ardhurat që merrnin nga puna. Në këtë perjudhë liberale nëse mund ta quajmë, ne na u dha mundësia e shkollimit të kufizuar: arritëm të mbaronim gjimnazin. Në vitin 1964 grave iu hoq apeli, morën statusin e të dëbuarave.
Më kujtohet një rast kur krytari i degës Nuci Tira po i komunikonte zj.Mulletit (gruaja e Qazim Mulletit) se: “u është hequr apeli dhe keni te drejte te shkoni vetem ne Berat, Fier” ajo i përgjigjet: ‘Qyqja, qyqja çfar’ ështe kjo “liro e mos lisho”.
Kjo qetesi per te internuarit nuk zgjati shume. Me fillimin e prishjeve te mardhanjeve me B.S. filluan arrestimet. U arrestuan: Vasil Kokali, Loli Mavro, Stefan Pollo, Shanisha Dosti, Llambi Plasoti, Zydi Kasa, Emror Koleci, Sinan Hajdari.Trajtimi i te internuarve filloj të përkeqesohej. Ata nuk mund të lëviznin më. Lejet e qarkullimit iu morën. Në qytet mund te dilnin vetem ne rast semundjeje. Lejet jepeshin vetem nga operativi i zonës. Në leje shkruhej p.sh.; “Lejohet i internuari Simon Mirakaj te shkoje per vizite te doktori”. Lejohej vetem të përshkoje rrugën që të çon për në ambulancë. Me të mbrritur në qytet ishe i detyruar qe me lejen e marrë te paraqiteshe te oficeri roje i Degës së Brendëshme. Me të mbaruar viziten te mjeku, do shkoje te merrje lejen ku oficeri roje të shënonte orarin e nisjes.
Kundra disa familjeve u krijuan një mori strukturash të forcës së së keqes nga Ministria e Brendëshme: operativë, agjentë, civilë të maskuar kanë jetuar duke mbushur raporte të zeza kundër këtyre familjeve. Për këtë shkak Lushnja identifikohej me kampet e te internuarve dhe shiheshin me dyshim kudo.
Kampe te internuarish kishte edhe në Fier, si: Shtyllas, Levan; kurse në Vlorë ishin ngritur; kampet e Llakatundit, Kuçit, Zvërnecit.
Në çdo cep të Shqipërisë kishte të internuar. Lufta e klasave sa vinte e bëhej më e ashpër sidomos ne vitet e miqësisë ndërkomuniste shqiptaro-kineze. Revolucjoni kulturor që kishte filluar ne Kine perfshiu dhe komunistët shqiptarë. Ata prishën kisha e xhami, madje duke përdorur shkollën që mbante emrin e Rilindasit “Naim Frashëri” dhe fëmijët. Burgjet mbusheshin çdo ditë e me njerez te pafajshem madje edhe me klerikë të shquar.Disa familje nga Savra i nisën për në Gjazë. Here mbas here vinte shefi operativ Apostol Çepeli i cili kishte porositur drejtuesit e sektorit Gjazë se kufiri i te internuarve per te levizur do reduktohej në vetëm 700 hektare toke te fermes, me kërcënimin se po ta kalonim kufirin do na ndëshkonin me: “plumbin ballit”.
Per te kuptuar ju te nderuar zonja e zoterinj izolimin tone te pa shembullt dhe mizorine e ketyre njerzve do te jap disa fakte tronditese unikale në Evropën e asaj kohe.Në vitet 1973-1981 u arrestuan: Ded Gjon Markagjoni, Fatbardh Kupi, Moisi e Lek Mirakaj, Haredin Nasufi, Naim Stravecka, Qemal Dema, Ahmet Kolgjini, Eqerem e Fatmir Mujo, Elez Hoxha, Dom Mikel Koliqi, Njazi Bylykbashi, Shefqet Dobra, Mehdi Çeliku, Mazllëm Kaso, Tefta Tasi etj.Në gusht të vitit 1983 vdes Tasim Spahiu një simbol i qëndresës antikomuniste i diplomuar në akademinë ushtarake në Modena të Italisë. Ishte detyrim njerëzor dhe miqësor për të marrë pjesë në varrimin e tij. Kur ju drejtuam operativit për leje për në varrim ai na u përgjigj: se leje merret vetem kur t’ju vdesi nëna dhe babai. Një tjetër rast tragjiko-komik dhe i pabesueshëm.
Në vitin ‘75 në Gjazë na vjen një këpucar që dikur kishte qene i internuar, por e kishte permirësuar biografinë. Vajza e nje fshatari bie në dashuri me të. Nje dite ai na e rrëmben. Partia e sektori alarmohet, kështu vendosën te shkojnë në Gradisht ku jetonte çifti i ri. Partia dhe drejtuasit e sektorit e mbushën një kamiaon tip “Zis” të fermes me te rinj revolucjonarë. Këta të rinj revolucionarë mbanin fotografinë e shokut Enver ne duar dhe duke kenduar këngën e famëshme “Enver Hoxha tunjatjeta” i shkojne ne shtepi çiftit të sapomartuar. Këpucarit ia marrin gruan dhe me vone morëm vesh se e kishin martuar ne Divjakë sipas porosise te Partise.
Me gjithe ate cdo e keqe ka nje te mire sepse ne keto kampe kishte njerez te medhenj, intelektuale te shquar si Dom Mikel Koliqi, komentatori i veprës së Bogdanit Pater Mark Harapi, studiuesi Lazer Radi, Guljem Deda, përkthyesi i Ariostos, Mithat Arianitasi, Nedin Kokona, Frida Sadedini, Ibrahim Sokoli, Dom Nikoll Mazreku, Mark Temali, Petrit e Elena Merliken,Valentin Previzin, Hamit Kazazin te cilet ndikuan shume ne formimin tone.Ne keto kampe kishte edhe mjaft te rinj te talentuar e te shkelqyer ne mesime e sjellje qe fati i denoi. Si Evgjen Merlika, Ahmet Kolgjini, Gjon Markagjoni, Bilbil Cami, Fatbardh Kupi, Ernest Dosti, Kurt Kola, Lek e Sokol Mirakaj, Sazan e Hajredin Nasufi, Naim Staravecka, Ilir Bicaku, Musa Capani, Irena Dukagjini etj. E paharrueshme eshte dita e lirimit tonë nga “Purgatori komunist”. Ajo ndodhi me 4 korrik te vitit 1989. Kishte rënë muri i Berlinit. “Perandoria të së keqes” siç e quajti presidenti Regan, ishte në grahmat e fundit. Fjalët e Papa Gjon Palit të dytë: “Shpërtheni dyert, mos keni frikë” ende më kumbojnë të gjalla ndër veshë.
Ndonëse në qershor të vitit 1989: ishte mbledhur Komisioni Qendror i Internimeve në Tiranë, i cili vendosi si procedurë “normale” të na shtojnë dënimin edhe me pese vjetë të tjerë, pra për mua dhe vëllain tim Sokolin ishte pesë vjetëshi i dhjetë. Me këtë dënim do të plotësonim jo 45, por 50 vjet internim. Në 4 korrik te vitit 1989, Komisioni Qendror i Internimeve u mblodh përseri e vendosi te na heqë masën e dënimit të dhënë në qershor të viti 1989. Kështu mbas 44 vjetesh, u lamë të lirë.
Ne fillimisht u përndoqëm që fëmijë për shkak të aktivitetit politik të prindërve dhe duke u rritur kampeve përndjekja kaloi drejtpërdrejt mbi ne pasi ne nuk iu gjunjëzuam as presioneve as joshjeve vulgare të tyre.Po përfundoj këto kujtime duke risjellë një thënie të Isa Boletinit për një gazetë në Londër “për ne shqiptarët asht zor me u lavdue” kur e pyetën për të rrëfyer rezistencën e tij kundër serbve e Turqisë. Por gazetari anglez i tha gjeneral Boletinit “në perendim është normale të tregosh rezistencën për vëndin tënd” kjo është edhe nje nga aresyet qe ne kërkuam hapjen e dosjeve.
Ndërsa Monsinjor Frano Ilia iu drejtua persekutorëve tanë “LUM JU QE NA NUK JEMI SI JU”. Le punojmë së bashku që historia të mos përsëritet. E që të mos përsëritet kjo histori duhet shkruar dhe përcjellë brezave.




Politikë
Publicistike


