Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
LETËR E HAPUR PRESIDENTIT TË SHQIPËRISË PROF. DR. BAMIR TOPI
I nderuar President Topi,
po ju drejtohem në lidhje me ligjin e datës 25 mars 2010 të Kuvendit të Shqipërisë që miratoi ngritjen në territorin e vendit tonë të varrezave për ushtarët grekë të vrarë gjatë Luftës Italo-Greke në Shqipëri në periudhën e viteve 1940-1941.
Ne kërkojmë nga ju që ta refuzoni dekretimin e këtij ligji për shumë arësye.
Antarët e Federatës Panshqiptare VATRA, si të gjithë shqiptarët kudo në botë, të cilët e duan kombin e atdheun, janë thellësish të shqetsuar nga ky veprim i kryer në ditën kur, gjatë paradës në Athinë duke kremtuar pavarësinë e Greqisë, njësi ushtarake greke thërrisnin se do të pinin gjakun e shqiptarëve. Ky nuk është një epizod i izoluar, por nji akt i rëndë provokues, i përsëritur disa herë, edhe në 2007-ën. Qeveria dhe shteti grek nuk kanë bërë asgjë për të parandaluar përsëritjen e dukurive të tilla armiqsore kundër Shqipërisë e shqiptarëve.
VATRA mbështet marrëdhënje të vërteta miqësie midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ne besojmë se dy vendet dhe popujt tanë kanë shumë vlera të përbashkëta që shkojnë deri në lashtësi. Por miqësia e vërtetë vendoset në barazi, dinjitet dhe interes të ndërsjelltë. Asnjëherë dinjiteti shtetëror dhe kombëtar nuk mund t’i bëhet dhuratë një vendi të huaj, sado mik që të jetë ai.
Asnjë shtet sovran nuk i ngre përmendore apo varreza një ushtrie të huaj pushtuese. Është fakt historik se Shqipëria e pushtuar nga Italia fashiste kishte humbur pavarësinë dhe personalitetin juridik si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Pavarësisht nga kjo, edhe pse dy vendet tona janë tashmë anëtarë të NATO-s, Parlamenti Grek mban në fuqi Ligjin e Gjendjes së Luftës me Shqipërinë, duke u shkaktuar dëme të mëdha pasurore shtetasve shqiptarë me interesa ekonomike në Greqi.
Është e vërtetë se në vitin 1940-1941 trupat greke mbrojtën me heroizën vendin e tyre nga fashistët italianë. Mirëpo ato u këthyen vetë në trupa pushtuese kur hynë në trojet shqiptare, përfshirë Korçën, Gjirokastrën, Himarën, Sarandën etj.
Qeveria greke vendosi një regjim të vërtetë pushtimi në Shqipërinë e jugut, duke mos lejuar ngritjen e flamurit shqiptar, duke futur në qarkullim monedhën greke e duke ndërmarrë veprime të tjera aneksuese. Madje, qeveria greke refuzoi edhe thirrjet e Mbretit Zog dhe të patriotëve shqiptarë për krijimin e forcave të përbashkëta ushtarake që do të ndërmerrnin çlirimin e plotë të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe rikëthimin e qeverisë së ligjshme shqiptare në vend. Shembulli më i qartë i synimeve aneksioniste të Athinës ishte vendimi i shtatmadhorisë greke për të mos tërhequr trupat pushtuese nga Shqipëria e jugut, megjithë kërcënimin që i vinte vendit të tyre nga ndërhyrja gjermane në Maqedoni. Për më tepër, edhe para kapitullimit ndaj gjermanëve, gjeneralët grekë u përpoqën të hyjnë në pazarllëk me nazistët që Shqipëria e jugut t’i mbetej Greqisë.
Në lidhje me këtë ngjarje fyese ne jemi shumë të shqetësuar për rolin që ka luajtur Peshkopi Janullatos dhe dënojmë shkeljet e ligjeve të shtetit shqiptar nga ana e tij, në gjithë këtë proces, rreth ndërtimit pa leje të varrezave.
Greqia e sotme, si vend anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe vend fqinj i Shqipërisë, ka shumë për të bërë që të çrrenjosë shfaqjet e nacional-shovinizmit greko-madh dhe të racizmit, që u shfaqën botërisht në paradën e ditës së pavarësisë në Athinë. Gjaku shqiptar duhej nderuar, në atë ditë kremtimi, me emërat e Boçarit e Bubulinës dhe shumë të tjerëve, të cilët luftuan për lirinë e pavarësinë e Greqisë. Për të treguar vullnetin e miqësisë dhe të fqinjësisë së mirë, Greqia zyrtare duhet t’a njohë dhe t’a trajtojë me drejtësi problemin e çamëve, të cilët nuk i lejon as të vizitojnë varrezat familjare në vendlindje.
I nderuar Zoti President,
Eshtrat e ushtarëve grekë le të varrosen me nderime në Peloponez apo Atikë, por kurrsesi në tokën tonë. Ngritja e varrezave për ta në Shqipëri cënon sovranitetin dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe nxit më tej nacional-shovinizmin e verbër greko-madh.
Prandej, duke shprehur për ju konsideratën më të lartë, kërkojmë dhe shpresojmë që ju ta refuzoni dekretimin e Ligjit të Varrezave Greke dhe të ruani nderin e shtetit shqiptar.
Me shumë respekt,
Dr. Gjon Buçaj
Kryetar
30 Mars 2010





Politikë
Publicistike


