Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
Ndjenjë & Mendim
Astrit Luslushi
Njerëz me besim mbizotëronin dikur botën shqiptare të mendimit dhe ideve. Kështu ishte Buzuku me Mesharin, pasuar nga Bogdani, De Rada, Frashërit, Tahsimi, Konica, Noli, Fishta e shume të tjerë. Këto ndodhnin para se vendi të hynte në epokën pa qenie të shpirtit në mendimin e tretur në ateizëm.
Arsyet e këtij dorëzimi mund të jenë shumë. Faji i hidhet shtypjes sepse cdo detyrim - edhe indoktrinimi - është dhunë, e cila për 50 vjet zevendësoi gjykimin e shëndoshë. Qenia - gjallesa - i mungoi mendimit a anasjelltas. Krejt ndryshe nga dikur, kur përgjithësisht mendonin;
“Ç'sheh, është Zot' i vërtetë,
Ç'dëgjon, është zër' i tija,
Gjithë ç'ka e s'ka në jetë,
Është vetë Perëndia
(N. Frasheri)
apo..
“Vetëm frati vendit s’luejti
n’ditë të vshtirë s’iu dà shqiptërve
Fenë e besen n’Shqyni e ruejti,
ruejti gjuhë e doke t’parve,
(Fishta)
dhe..
"Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,
Tokën e Shenjtë kurrë s'e shkelni
Skllevër, bij-skllevësh, s'e meritoni
Se liri s'doni!"
(Noli)
Naimi ishte besimtar, Fishta klerik, Noli edhe politikan. Të tre ishin poetë e atdhetarë. Asnnjë prej tyre nuk i shkroi keto vargje në shërbim të fesë e as të politikës - e aq më pak në shërbim të vetes - por vetëm sepse cështja për të cilën përpiqeshin, kishte nevojë për mendim jo të sterilizuar, por me frymëzim thuajse hyjnor, që rilindja shpirtërore të ndodhte e mbijetonte. Sepse mendimin ka nevojë të jetë i tillle lidhës. që të përcohet, kuptohet e zhvillohet, duke bërë që njeriu t'i ikë konformizmit, të ndryshojë, reformohet e transformohet, për më mirë.
Ndërsa njerëzit ndeshen me sfida e përballen me cështje të ndryshme ata kanë nevoje për rritje - edhe intelektuale. Shpesh harrohet se rritje e vërtetë nuk don të thotë akumulim në masë, pasuri e njohuri. Sepse gjithmonë ka njerëz trupmëdhenj, por prapë të vegjël; të pasur, por tee humbur; njohës, por të cekët.
Përqëndrimi vetëm në njohjen e fakteve e thjeshton nxënien në shuarje kureshtjeje. Në raste të tilla njeriu edhe nëse gjithmonë mëson, asnjëherë nuk është në gjendje t'a njohë të vërtetën e cila qëndron përtej ideve dhe sjelljeve të njerëzve per rreth. Dhe të shohësh por të mos njohësh është si të mendosh pa lidhje, ose të besosh pa ditur përse.
Të menduarit, shpesh pak vlerësohet. Idea është se mediokriteti përkrahet, ose përkrah të vetët. Njohësi mesatar e shtyn tjetrin të dyshojë e të mos përpiqet për më shumë, kur sheh se atë që ëndërron mund t'a arrijë me pak. Rritja intelektuale shihet me frikë. Kush përpiqet të mësojë shpesh përqeshet a përcmohet. Prandaj edhe shoqëria ka krijuar zgjidhje të shpejta a rrugë të shkurtëra, si TV, Kompjuter e Internet. Për të nxitur intelektin. ato përdoren edhe për të përmbytur informacionin, si tubi i gjërë nga ku uji vërshon dhe njeriu gënjen vetëm a bën sikur pi.
Edhe informacioni i kufizuar bën të njëjtën gjë. Indoktrinimi zëvëndëson dijen, sepse ka njerëz që besojnë se tjetri ka nevojë për aq informacion sa të shpjegojë a mbështesë pikëpamjen e tyre. Pikëpamjet e tjera jane false prandaj cdo
informatë tjeter është e kotë, e njohja humbje kohe, mendojnë ata.
Një përqasje e tille ndaj të mësuarit kufizon kontaktin me idetë. Kapërcimi i pengesave të dijes kërkon përkushtim dhe pranim se njeriu nuk mund të dijë cdo gjë. Thuajse të gjitha ato që mësohen sot në shkolla, cdo njeri mund ti gjejë. Prandaj thuhet se roli i mësuesit nuk është më ai i përcuesit të dijeve, por që t’I ndihmojë studentët të organizojnë dhe vlerësojne njohuritë që marrin. Sepse mënyra se si njohuritë kuptohen e bën njeriun ë zhvishet nga frika e së panjohurës. Duke u ndeshur me ide të reja ai ndihmohet të kuptojë më mirë idetë e veta, njësoj si duke mësuar një gjuhë të huaj, e ndihmon personin të kuptojë më mirë a të rifreskojë gramatikën dhe sintaksën e gjuhës së vet. Sepse kush di vetëm një gjuhë është si ai që lexon libra të një zhanri të vetëm, ose si ata besimtarë që lexojnë vetëm libra fetarë, pa pranuar të njohin filozofinë e psikologjinë që qëndron
pas tyre.
“Jeta është e lehtë me sy mbyllur”, thoshte John Lennon në një këngë të tij kur ishte gjallë. Disa mendojnë se sa më pak të dijnë aq më të lumtur do të ndjehen. E njëjta psikologji i ndjek edhe ata të rinj që vendosin të lënë shkollën ose fanatikët që kanë vendosur se cfarë do të besojnë e nuk duan njohuri të tjera nga frika se besimi mund t’u lëkundet. Jeta me sy mbyllur është për indiferentët. Dhe indiferenca është heshtje negative e njeriut pa bindje.
“Është jeta ime
o tani o kurrë!
Dua të jetoj, vetëm tani
sa jam gjallë”
(Maximum Indifference, Bon Jovi)
Ndërsa mbijetuesi I Holokaustit Elie Wiesel, sikur përgjigjej;
"E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja,
E kundërta e arti nuk është shëmtia,
E kundërta e besimit nuk është herezia,
Dhe e kundërta e jetës nuk është vdekja,
E kundërta e këtyre të gjithave,
Është indiferenca."
Indiferenca është zgjedhje që njeriu bën. Dhe kapërcimi i saj, ashtu si ndryshimi I cdo mendimi a pikëpamjeje, nuk vjen thjesht me dëshirë, por me zhvillimit intelektual, pas debateve, argumenteve dhe leximit të mijëra librave të llojeve të ndryshme.





Politikë
Publicistike


