Seksionet
Newsletter
Sondazh: Dizajni
A ju pëlqehet Artikulli?
Anton Çefa
MUNGESË QË HIRTËSON VARGUN
Mbi përmbëledhjen poetike “Mungesë e hirtë”të autorit Pjetër Jaku
Botuar në “Shoqëria botuese “Kuvendi”, Lezhë, 2008
Poezia është arti që lidhet më së shpejti me kohën. Intuitë qoftë, siç e ka përcaktuar Benedetto Croce artin në përgjithësi, a “esenca e artit”, siç e ka përcaktuar Heidegger, ajo është gjithnjë një medalje e artë që i varet kohës në qafë.Në fillimet e viteve ’ 90, poezia jonë, e pasinkronizuar me zhvillimet e poezisë botërore për një gjysmë shekulli, e bunkerizuar në vetveten e saj të ideologjizuar kokë e këmbë, u gjet në një situatë krejt të re, plotësisht e çorientuar dhe e hapur ndaj të gjitha ndikimeve, që kërkonin kohë për t’u asimiluar në esencën e tyre.
Emigrimi i shumë shkrimtarëve solli kultivime poetike në diasporat shqiptare nëpër botë, çka pritej të binte një prurje ndikimesh të rrymave e shkollave më të ndryshme, nëpër të cilat qe përshkuar poezia botërore dhe sidomos ajo evropiane, kryesisht gjatë 50 viteve të dyta të shekullit që kaloi, po edhe të viteve të mëparshme. Por nuk ndodhi kështu.
Si pasojë e mungesës së njohjes së rrugëve përmes të cilave qe përshkuar poezia botërore, më së shumti, poezia shqipe në diasporën tonë, (ka mundësi edhe në diaspora të tjera), duke mbetur e lidhur me hallet e atdheut, të projektuara thellë në shpirtin mërgimtar të larguar nga e keqja, eci në gjurmët e traditës së një poezie mërgimtare, dhe fare pak u lidh me zhvillimet e poezisë së huaj të kohëve të fundit. Duhet thënë se gjatë këtyre dy dekadave pati dhe ka ende vërshim të një poezie eklektike, të paqartë dhe të hallakatur; shkurt, vargëzim. Një frymë të re sollën disa pena që filluan të bëjnë hapa mbi një truall ekzistencial. Priten përpjekje të vazhdueshme në këtë rrafsh të lavrimit poetik për të shkuar drejt pjekurisë artistike. (Dihet se ekzistencializmi qysh në formësimin e vet si rrymë filozofike e veçantë e ka gjetur shprehjen e vet më të përshtatshme në art, sidomos në pikturë dhe në letërsi, në prozë tregimtare dhe në poezi. Me sa di unë, në poezinë tonë, mbas viteve ’90, hapin e parë dhe më të mirin e bëri Stefan Çapaliku me përmbledhjet: “Asgjë më shumë se kaq s’ka ndodhë” (1993), dhe “Kohë e ndalur” (1994), që u analizuan me një profesionalizëm për t’u admiruar nga Ardian Marashi, në “Hylli i Dritës”, nr. 5-6, 1994, “Shkodër – Stinë e re botimesh”).
Në hulli të një poetike ekzistenciale mund të analizojmë përmbledhjen poetike “Mungesa e hirtë” e Pjetër Jakut, që vjen mbas botimit të përmbledhjeve poetike “Harrimi i vetes” dhe “Ankthe”. Vetë simbolika e këtij titulli të gjetur, “Mungesë e hirtë”, na e dëshmon më së miri tonin ekzistencial që përshkon poezinë. Poeti nuk e ka ndjerë nevojën të titullojë kështu ndonjë prej poezive të vëllimit, dhe po aq edhe lexuesit nuk i shkon mendja ta kërkojë, sepse kjo mungesë e hirtë hirtëson a “ekzistencializon” pothuajse numrin më të madh të poezive të vëllimit, duke na paraqitur një individualitet poetik që buron dhe formësohet nga mungesa e sigurisë së individit, paqëndrueshmëria e rrethanave jetësore, pakënaqësia për gjendjen aktuale, pamundësia e jetësimit të dëshirave dhe dukuri të tjera të kësaj natyre të ekzistencës njerëzore. Në një situatë të tillë, poeti është i çorientuar, nuk di çka don: “Në ditë me diell, unë dua shi / Dhe kur ka shi, jam i merzitur” (115).
Uni ekzistencial përkapet në të gjitha segmentet e jetës dhe të veprimtarisë njerëzore, deri tek ajo artistike. Kështu që, sado që poeti e vlerëson veprimtarinë krijuese deri në sferat më të larta të sublimes: “Fuqinë e krijimit” e quan “Perëndi të Perëndive”, ose poetizon: “Dimrin e zbusin poetët / fryma e tyre e ngrohtë” (81); ai nuk mund t’i shmanget asaj çka të ofron jeta, pasigurisë së saj, sa t’i “ndjehet rëndë (edhe) poezia”, ku “fjalët nuk rrinë asnjëherë aq lirë” (33). Ai e ndjen veten të lodhur edhe nga vetë poezia: “Tani jam i lodhur, më duhet ta lë, / Të shkruaj–mosshkruaj aspak dhe asgjë”.
Dhe kur poezia, që është për të veprimtari e shenjëtëruar, i ftohet, ai e humb fillin dhe nuk di çfarë të bëjë: “të shfryjë, të fryj, të rri–mosrri” (34).Ekzistencializmi në poezinë e Jakut e ka gjetur veten më rahat në motivet politike, ku uni ekzistencial vjen i përgjithësuar në një hapësirë të përbashkët kombëtare. Jo vetëm dashuria për atdheun që në mërgim është më e fuqishme, por edhe shqetësimi për gjendjen e tij aktuale dhe për të ardhmen e tij ushqejnë motive poetike aty-këtu të realizuara suksesshëm. Në poezinë “Revoltë” (f. 24), përvijohet në vargje një ndjenjë e fuqishme pakënaqësie ndaj gjendjes në atdhe, ku “në udhë njerëz të nxirë / thua se ecin në role baladash”, dhe një zemërim shpërthen me forcë ndaj klasës politike që po e çon atdheun në katastrofë. Çdo gjë është në revoltë: revoltohen “stomakboshët e verbuar”, “udhët e pluhurta”, “aktorët banalë”, “prostitutat”; një revoltë e përgjithshme që nuk jetësohet, mbetet vetëm si konstatim, një situatë vërtet ekzistenciale, sepse: “Ne bëjmë sikur s’dimë/ E duam, por nuk bëjmë”.
Mungesa e zgjidhjes së kësaj gjendjeje, vjen jo si pamundësi, po si mungesë vullneti, si një dëshirë e projektuar, pa arritur të formësohet si synim.Për t’u larguar nga realiteti ekzistencial, në mjaft motive erotike, poeti gjen prehje të këndshme përjetimi poetik të ndjenjës së dashurisë përmes imagjinatës dhe në krahët e saj shtjellon motivin. Në një linjë të tillë përftimi shpesh realizohen poezi të bukura me efekte estetike. Po veçoj poezitë: “Fantazi” (f. 50), “Erdha”, (f. 52), “Në Krujë”, (f. 54). Në poezinë “Fantazi” poetizohet forca, intensiteti i ndjenjës së “një njohjeje të panjohur”, që shkon deri atje sa “Frymëmarrjen unë ta ndjeva / edhe fjalën e pathënë”, edhe pse “ndonëse ne na ndante koha / këtu diell e atje hënë”. Çlirimi i ndjenjave estetike në këto vargje i jep flatra realizimit poetik.Është tipike në këtë hulli trajtimi poezia “Në Krujë”, ku nën mantelin e simbolikës së kështjellës, çifti i dashuruar përjeton jo vetëm njohje shpirtërore, po edhe fizike të njëri-tjetrit: “Atëherë do të na ndihmojë kështjella/ Vetes t’ i ngjitemi deri në majë”.
Në shtratin e imagjinatës, dashuria arrin të jetësohet jo thjesht si një ndjenjë, por edhe si gjendje përjetuese, e dhënë me origjinalitet në këtë skenë: “Pastaj, eh, pastaj / Do të vizitojmë muzeun ndërplanetor / Të njëri-tjetrit,/ Ku do të bëhen betejat e nesërme/ Te gurrat e përgjakura të shkëmbit”
Dhe të lodhur do t’i “zërë gjumi në krahët e mbrëmjes.Një numër i konsiderueshëm motivesh në këtë përmbledhje poetike lidhen me mërgimin, dashurinë për atdheun dhe mallin për vendlindjen, Mirditën, për njerëzit e familjes, të afërmit, miqtë e shokët. Shpesh, një kryqëzim motivesh. Malli përjetohet si dhimbje e thellë shpirtërore, si dëshirë e fortë dhe e flaktë për t’u kthyer në atdhe, për t’u takuar atje me mjerëzit e dashur, për të rijetuar atje përgjithnjë. Në poezinë “Ti nuk e di” (f. 42), poeti i drejtohet atdheut: “Shqipëria ime, mungesë e përhershme”.Mërgimi nga atdheu, kjo plagë e pashëruar e popullit tonë, poetizohet si një ikje sa e detyruar aq e padetyruar, një dozë fataliteti, sa e dëshiruar aq e zhgënjyyer, dhe si një dëshirë dhe shpresë e përhershme për kthim. Mërgimtarët janë “përherë të përzënë, / askund të mbërritur!”. Në poezinë “Shqipëria”, (f. 30), thuhet” Atëdheu zgjat krahët, / të na marrë në Atëdhe! / të na i ngrohë ëndrrat, / shpresat e pashpresë, / se secili nesh / atje do të vdesë”; dhe më poshtë përvijohet një pasazh bukolik plot lirizëm:“Pemët gishtakullta/Me lotë të ngrirë/Presim t’i shartojmë/Me një syth të ri,/T’i ujisim verës/Me mundimin tonë/Dimrit të mos ftohen/Vetë t’i mbulojmë.”
Po veçoj një tjetër poezi të këtij cikli motivesh, poezinë “Kthimi i mërgimtarit” (f. 104), një nga më të realizuarat artistikisht, e derdhur një një venë fluiditeti lirik që ngjall në vetëdijen e lexuesit emocione të hijshme estetike. I kushtohet Dodës, një mërgimtari që kthehet. Poezia fillon me vargjet që trajtësojnë nisjen: “Kurt ë dhamë dorën / Kullat prisnin ëndrrën tënde/ Dhe zjarrin tonë!
”Mbasi përgjithësohet kjo dukuri si përjetim ndjenjësor plot dhembje e keqardhje, thuhet “Të përcollëm . . . / jo veç për të dhënë dorën, / por mallin tonë ta çosh / në prehër të maleve, / pa e bërë mjegull” Dhe përfundon: “Bërë mirë që u ktheve! / kur të burrërohemi dhe më, / do të kthehemi në Atdhe. / na i ruaj kullat, / bre burri i dheut, / të mos i djeg / dashuria për ne!”
“Mungesa e hirtë” dëshmom që poezia e Jakut ka marrë rrugëtimin kryesisht drejt trajtesave ekzistenciale, duke njëmendësuar një individualitet krijues, që jep shpresë për një pasurim jo vetëm motivor, po edhe të një shprehimësie më të ndriçme stilistike. Uni lirik ndjen nevojën të shmangë një un deklarativ dhe didaktik që nxjerr kokën në ndonjë rast. Poeti, eseisti dhe krtiku francez Paul Valery, duke folur për nevojën e pandërprerë të përpunimit të poezive, ka thënë: “Një poezi nuk është kurrë e përfunduar, vetëm e braktisur”.





Politikë
Publicistike


